Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Bukuri që nuk njeh kohë – Biljana Debarlieva

March 1, 2022

1. Për gati tre dekada, shikuesit para ekraneve të vegjël ju kanë parë si pjesë të familjes së vet. Çfarë e ushqen motivimin tuaj të përditshëm për të krijuar përmbajtje të re?

  1. Në të vërtetë, gati tre dekada! Vitin e ardhshëm bëhen saktësisht tridhjetë vjet nga paraqitja ime e parë televizive.  Si numër tingëllon shumë, por mua më duket sikur gjithçka kaloi në një çast. Shumë emisione, shumë projekte dhe, përmes tyre, e pranishme në shtëpitë e shumë familjeve, në radhë të parë shikuesve të rregullt. Respekti i tyre më jep gjithmonë motiv shtesë për të mbajtur të njëjtën cilësi, madje për të qenë edhe më e mirë, sepse siç thonë, vitet sjellin me vete përvojën, por përgjegjësia është edhe më e madhe çdo ditë, muaj e vit që kalon. Njeriu mëson sa të jetë gjallë dhe po të njëjtën gjë duhet ta investojë për veten dhe profesionin e vet. Ndryshe, kreativitetin e marr nga përditshmëria, si dhe nevojat dhe dëshirat e teleshikuesve. Është më interesante kur punon në përmbajtje të ndryshme, sepse kësisoj as ti e as publiku nuk mërziteni para ekraneve të vegjël.




2. Me mënyrën e përsosur të të folurit dhe fjalorin e zgjedhur me kujdes, keni ngjallur gjithmonë admirimin e teleshikuesve. A mendoni se brezat e rinj kanë të njëjtin interes për kujdesin ndaj gjuhës maqedonase dhe përdorimin e drejtë të saj?

Kohët po ndryshojnë, brezat po ndryshojnë... por, për fat të keq, jo për mirë - të paktën kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj gjuhës letrare maqedonase, veçanërisht nga personazhet publike. Ne njerëzit e mediave, jemi ata nga të cilët brezat e rinj duhet të marrin shembull për të folurën e bukur dhe të drejtë. Duhet të punohet shumë, të lexohet shumë dhe e folura standarde të ushtrohet në jetën e përditshme. Unë pata fatin që në katër vitet e shkollës së mesme të kisha një mësues të gjuhës maqedonase, i cili më mbolli aq shumë dashuri për gjuhën letrare maqedonase, që më shërbeu si një bazë e madhe për atë që më vonë u bë angazhimi im profesional dhe me të cilën merrem edhe sot. Është shumë e rëndësishme fillimisht ta duash, e më pas ta flasësh e të tregosh kujdes ndaj gjuhës letrare, diçka që fatkeqësisht brezat e rinj po e praktikojnë gjithnjë e më pak.

3. A e mbani mend daljen tuaj të parë para kamerave? Nëse ktheheni në atë kohë, a ka ndonjë gjë që ju mungon sot?

Si jo, e mbaj mend si dje: e hutuar, e trembur, e pasigurt në vetvete, a do të lexoj si duhet! Mbaj mend që e pata lexuar tekstin 100 herë paraprakisht dhe, duke u përqendruar vetëm te fjalët dhe fjalitë, kisha vendosur maskara vetëm në njërin sy, Më pas, ndërsa lexoja drejtpërdrejt, më ra një tufë flokësh në fytyrë, por nuk lëviza, sepse më e rëndësishme për mua ishte të lexoja saktë, pa gabuar. Me kalimin e kohës të bëhet rutinë, ndaj disa gjëra të tilla të vogla as që kanë rëndësi, sepse mëson se si t'i përballosh aty për aty. Gjithsesi, mbeten kujtimet e bukura të disa kohëve të mira, për të cilat flas gjithmonë me kënaqësi!

4. Ju keni një profesion që sjell me vete obligime të përditshme në lidhje me pamjen fizike. Cila është shprehia më e rëndësishme që e keni përvetësuar për t'u përgatitur shpejt dhe të dukeni mirë?



Është një obligim që e pranova lehtësisht si pjesë e profesionit dhe përditshmërisë sime. Nuk është e lehtë dhe e thjeshtë, sepse e kam obligim të ngrihem shumë herët në mëngjes, kur s'do të doja gjë tjetër veçse të fle; të grimohem, të rregullohem dhe të dukem e çlodhur, e freskët dhe e buzëqeshur. Por kur e mëson bioritmin e trupit që të funksionojë kështu, këto obligime rutinë janë ndoshta më të lehta për t'u kryer. Gjithmonë largohem nga shtëpia plotësisht e rregulluar dhe kur dal në televizor u them mirëmëngjes teleshikuesve me buzëqeshje. Dua të dukem bukur si për veten time, ashtu edhe për teleshikuesit, të cilët një ditë mund të më takojnë edhe në rrugë.  Shpejtësinë e përgatitjes e kam ushtruar ndër vite. Më besoni kur ju them se më duhen vetëm 20 minuta përgatitje për të dalë para kamerave.

5. Si do ta përshkruanit një mënyrë jetese të shëndetshme dhe a praktikoni shprehi të shëndetshme?

Kohët e fundit po, sepse të gjithë e dimë tashmë se sa e rëndësishme është t'i kushtojmë vëmendje një diete të shëndetshme, aktivitetit fizik, gjumit të mirë, uljes së stresit dhe më e rëndësishmja, sasive të mjaftueshme të ujit gjatë ditës, i cili i nevojitet çdo pjese të trupit për të funksionuar siç duhet. Ha shumë pak bukë e, nëse ka mish, atëherë e ha në kombinim me sallatë. Më pëlqejnë ëmbëlsirat, por tashmë në sasi më të vogla. Sigurisht, ka raste kur bëj përjashtim dhe thyej ndonjë rregull, por kujdesem që të mos ndodhë shpesh.

6. Si kujdeseni për fytyrën tuaj? Keni një "rutinë sekrete"?

Nuk kam ndonjë ritual të veçantë, përveç heqjes së rregullt dhe të plotë të grimit nga fytyra pas orarit së punës, lyerjes me krem, zakonisht vetëm gjatë natës, sepse këtë e kërkon fytyra dhe lloji i lëkurës sime, pa i lënë anash edhe trajtimet e rregullta kozmetike për pastrim dhe hidratim të fytyrës.  Vitet e fundit kam marrë edhe shtesa ushqimore, të cilat ndihmojnë dhe kontribuojnë në rinovimin e kolagjenit në lëkurë, për një pamje të bukur, të rregulluar dhe të shëndetshme. Sekreti im është në fakt buzëqeshja dhe dihet se s'ka njeri që buzëqeshja nuk ia zbukuron fytyrën.

7. Tani si prind i dy fëmijëve të rritur, cila është gjëja më interesante që e keni mësuar prej tyre?

Prindërit duhet t'u mësojnë fëmijëve të tyre bazat e jetës dhe, siç thonë, t'i udhëzojnë në rrugën e duhur. Koha e sotme është shumë e vrazhdë, e paparashikueshme, me shumë rreziqe e vese dhe prindi ka gjithmonë frikë për fëmijën e vet.  Por edhe prindërit duhet të mësojnë nga fëmijët e vet! Unë nga të mitë mësova se në jetë duhet të shfrytëzosh çdo rast dhe mundësi që të jepet dhe të mos heqësh kurrë dorë nga qëllimi që duhet dhe dëshiron ta arrish. Të tregosh guxim dhe vendosmëri në çdo situatë, të mbash qëndrimin tënd, të shfrytëzosh çdo mundësi dhe çdo moment! Sepse, nëse për momentin të jepet një mundësi dhe nuk e shfrytëzon, nuk e di nëse do të të shfaqet sërish.



8. Na tregoni diçka që publiku nuk e di për ju?

Mendoj se publiku deri diku di mjaftueshëm për secilin prej personazheve publike, sepse sado që ta fshehësh privatësinë dhe ta ruash për vete, nuk mund të fshihesh gjithmonë nga syri vigjilent i publikut. Jam shumë emocionale: derdh lot edhe kur jam e lumtur, edhe kur jam e trishtuar. Nuk lejoj askënd të më prishë humorin me komente negative. Në thelb jam një person që nuk rresht së buzëqeshuri. Nga natyra jam optimiste dhe shoh anën pozitive edhe në gjërat më të këqija, ndërsa kur kam ndonjë problem, i them vetes prit, ndalo, mos u zhgënje, edhe kësaj do t'i gjendet zgjidhja!



9. Në një muaj kur të drejtat e grave kanë theksin më të madh, çfarë mesazhi dëshironi t'u dërgoni të gjitha grave që nuk kanë motivim dhe guxim për t’i arritur ëndrrat e tyre.

  1. U them të jenë vetvetja, të guximshme, të vendosura; ta duan dhe ta respektojnë veten, të jenë të dashura dhe të respektuara nga ata që i rrethojnë, në radhë të parë nga të afërmit dhe më pas nga të gjithë të tjerët! Të mos heqin dorë nga asgjë, të jetojnë çdo moment të jetës me krahë hapur, të kujdesen për veten, të drejtpeshojnë në çdo situatë, duke marrë vendime të mençura, të shijojnë të gjitha bukuritë përballë vetes dhe të jenë një shtyllë e vërtetë për familjen!


Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>