Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Rosacea

September 2, 2020

|

Prim. Dr. Lidija Biserkoska Atanasovska



Rosacea është një sëmundje e zakonshme e lëkurës që manifestohet me skuqje, puçrra dhe ënjtje të lëkurës së fytyrës. Kjo sëmundje përshkruhet me fjalët "puçrra te të rriturit". Fillon papritur me skuqje në fytyrë, e cila kalon shpejt dhe më pas përsëritet. Zhvillimi i sëmundjes çon në shfaqjen e skuqjes së vazhdueshme të lëkurës në qendër të fytyrës, me mundësi për t'u përhapur në faqe, ballë, mjekër dhe hundë. Më vonë mund të përfshihen edhe sytë, veshët, gjoksi dhe shpina. Pas një kohe, fillojnë të shfaqen enë të holla të gjakut rreth lëkurës së kuqe me puçrra të vogla dhe ndryshe nga aknet, këtu nuk ka prani të komedoneve (pika të zeza).

Kur shfaqet rosacea së pari, skuqja zhduket shpejt dhe më pas përsëritet. Jo të gjithë i zhvillojnë të gjitha simptomat, p.sh. enët e vogla të zgjeruara të gjakut mund të jenë edhe rezultat i ekspozimit të zgjatur në diell. Sidoqoftë, nëse lëkura nuk kthehet në ngjyrën normale dhe ndryshimet e mësipërme janë të dukshme, është mirë që të vizitoni një dermatolog. Kjo gjendje mund të zgjasë me vite, kohë pas kohe mund të shërohet plotësisht, por pa trajtimin e duhur s’ka dyshim që do të përkeqësohet. Rreth 50% e njerëzve me rosacea kanë një ndjesi djegieje, kruarje të syve, gjendje që e njohim si konjunktivit dhe e cila nëse lihet pa trajtuar mund të çojë në komplikime serioze të shikimit.



Si të njihni rosacean

Në fytyrë shfaqen puçrra të vogla të kuqe, disa prej të cilave me qelb, të shoqëruara nga skuqje dhe enë të holla të gjakut të dukshme në sipërfaqen e lëkurës.

Në rastet më të rënda, zhvillohet një gjendje e quajtur rinofimë. Gjëndrat dhjamore zmadhohen dhe fryhen, skuqja në hundë zmadhohet - kjo zhvillohet në gjysmën e poshtme të hundës afër faqeve. Rinofima më së shpeshti shfaqet tek burrat.

Kur shfaqet më së shpeshti?

Të rriturit e moshës midis 30 dhe 50 vjeç, me lëkurë të zbehtë, janë pacientët më të zakonshëm të të dy gjinive. Ndonjëherë sëmundja është më e përfaqësuar në menopauzë, kështu që gratë shpesh ankohen për ndjeshmëri të lartë ndaj preparateve të kozmetikës. Ndjenja e turpit, ekspozimit, presionit, stresit, nëse janë të pranishme, mund ta theksojnë edhe më shumë skuqjen.

Shkaqet e paraqitjes?

Shkaqet e kësaj sëmundjeje janë akoma të paqarta. Bëhet fjalë për një inflamacion të lëkurës që shoqërohet me hollim të enëve të gjakut, në të cilin mund të luajë rol një agjent infektues, si Demodex dhe Helicobacter pylori. Por sigurisht që mund të ndikojnë edhe imuniteti i lindur dhe faktorët e jashtëm, pra faktorët mjedisorë.

Këshilla për pacientët me rosacea

Trajtimi

Rosacea zakonisht nuk njihet fillimisht si sëmundje, por është shumë e rëndësishme të njihet, në mënyrë që të ndërmerren hapat e parë në kontrollin e situatës. Mos bëni vetë-diagnostikim dhe trajtim sipas kokës suaj, pasi shumë produkte për përkujdesje të lëkurës mund të provokojnë skuqjen. Dermatologët rekomandojnë një kombinim të trajtimeve për secilin pacient veçmas. Këto trajtime duhet të parandalojnë zhvillimin e sëmundjes.

Kremrat, losionet, shkumat, xheli për larje janë pjesë e terapisë lokale, ndërsa antibiotikët, metronidazoli, benzoilperoksidi, acidi azelaik, retinoidet janë pjesë e ilaçeve. Përmirësimi i simptomave të lëkurës vërehet pas tre deri katër javë nga fillimi i terapisë. Për efekt më të madh, terapia duhet të zgjasë së paku dy muaj.

Marrja e antibiotikëve jep rezultate më të mira sesa trajtimi lokal. Preparatet, si kortizoni, mund të zvogëlojnë skuqjen në fytyrë, por nuk duhet të përdoren për më shumë se dy javë, pasi shkaktojnë rrallimin e lëkurës dhe rritje të përsëritur të skuqjes. Është më mirë të përdoren preparatet e rekomanduara nga një dermatolog.

Enët e vogla të zgjeruara të gjakut mund të trajtohen me laser, kurse skuqja mund të mbulohet me pudër të gjelbër.

Trajtimet e posaçme

Rinofima trajtohet me ndërhyrje kirurgjike. Indet e tepërta duhet të hiqen me shumë kujdes me dermoabrazion, laser dhe metoda të tjera kirurgjikale.

Çelësi për trajtimin e suksesshëm të rosaceas është diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm. Është shumë e rëndësishme të ndiqni udhëzimet e dermatologut. Nëse lihet e patrajtuar, rosacea përkeqësohet, duke e vështirësuar kontrollin e sëmundjes.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16-17 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHTATOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>