Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Stresi tek të rinjtë

July 2, 2020

prof. d-r Slagjana Angelkoska
psikolog



|

Të rriturit shpesh thonë se rinia është periudha më e bukur dhe më e shkujdesur e jetës. Me siguri të ngrihen flokët përpjetë kur dëgjon këtë dhe thua me vete se ata s'kuptojnë gjë. Sidomos faktin se sa shpesh e gjen veten nën stres dhe presion. Të themi të drejtën, sado e mrekullueshme të jetë rinia, për çka bëhemi të vetëdijshëm vetëm pasi të ketë kaluar, herë pas here di të nxjerrë edhe vështirësi dhe sfida me të cilat na takon të përballemi.

Shumë ndryshime që ndodhin brenda dhe përreth teje kërkojnë që të lëvizësh në hap me to dhe e gjithë kjo mund të shkaktojë stres. Ndjenja e stresit paraqitet kur ndiejmë se numri i kërkesave që na shtrohen përpara tejkalon mundësitë tona për t'i përmbushur. Nga ana tjetër, trupi reagon duke mbledhur forcë dhe burime shtesë që të mund të ballafaqohemi me sukses me këto situatat. Nëse situata stresuese zgjat për një kohë të gjatë ose përsëritet shpesh, atëherë trupi lodhet dhe ndjehet i pakënaqur, i lodhur dhe i mbingarkuar.

Se a do ta përjetojmë si stresuese një situatë të caktuar apo jo, varet nga dy vlerësime: ''Sa i rrezikuar jam nga kjo situatë?'' dhe ''A mund ta tejkaloj këtë situatë?''. Përveç kësaj, po aq të rëndësishme janë edhe hapat që i ndërmarrim në situata stresuese.



Cilat janë situatat stresuese për të rinjtë?

     Si të ballafaqohemi me stresin?

Për t'u përballur me stresin, së pari duhet të arrijmë në përfundimin se vërtet jemi të ngarkuar. Ndoshta je gjithmonë nervoz, e shfryn zemërimin mbi të tjerët ose je qaraman apo me humor të ndryshueshëm. Dëshiron të kalosh më shumë kohë në gjumë për t'u ikur problemeve, nuk të zë gjumi natën (në kokë të kalojnë probleme që s'mbarojnë kurrë) ose fantazon. Nuk ke vullnet për asgjë, shikon seri dhe thjesht nuk të jepet të punosh asgjë. Nuk arrin as të hash, hidhesh sa te një obligim te tjetri. Të duket se shpëton nga problemet kur qëndron shumë gjatë në internet. Tërhiqesh dhe mbyllesh në vete dhe nuk tregon se çfarë të shqetëson ose je agresiv. Të mundon vazhdimisht dhembja e kokës ose e stomakut, ndonëse nuk ka problem real.

Arsyeja për të gjitha këto mund të jetë një ndjenjë tensioni dhe stresi.



Sekreti i menaxhimit të mirë të stresit

Forco veten që të kesh më shumë gjasa për t'i kapërcyer me sukses situatat stresuese. Ha dhe fli sa duhet dhe në mënyrë të shëndetshme. Ushtro rregullisht ose merru me ndonjë hobi. Çlodhu dhe përpiqu të kalosh ca kohë në ajër të pastër në natyrë, duke bërë aktivitete që të bëjnë të buzëqeshësh dhe të ndjehesh mirë. Distancohu nga problemi.

Sporti është tejet i dobishëm kur është fjala për nxjerrjen e energjive negative. Mund të bësh ecje të shpejtë apo çfarëdo qoftë që të pëlqen dhe përmes së cilës mund të lirohesh nga energjia e tepërt. Secili nga ne kemi diçka që na përmbush, na mbetet vetëm ta gjejmë se cila është ajo.

Qetësohu, edhe nëse mendimet të gëlojnë në kokë, përpiqu të qetësohesh me një aktivitet të caktuar para se të marrësh masa.

   Vendos synime realiste

Nëse ka disa aktivitete që të tërheqin, duhet të vendosësh se cili është më i rëndësishëm për ty. Të rritesh do të thotë të bësh zgjedhje dhe kjo do të thotë të kujdesesh mirë për veten, të dish të dëgjosh dëshirat dhe nevojat e tua.

   Planifiko dhe organizo kohën

Nuk duhet ta teprosh me asgjë dhe shpesh duhet të pyesësh veten se si dhe ku po e shpenzon kohën. Duhet të kufizosh kohën e kaluar në internet ose duke shikuar televizor. Planifiko orarin e ditës, gjej kohë për angazhimet, për veten, për shoqërinë. Mbase nuk do të arrish gjithçka gjatë ditës, por do të përfundosh gjithçka gjatë javës.

    Zotëro përgjegjësitë me vetëdije dhe përgjegjësi

Nëse i lë gjërat për më vonë, atëherë do të grumbullohen dhe nuk do të kesh mundësi t'i zgjidhësh. Nëse e ke shprehi t'i shtysh obligimet për më vonë kujtoja vetes se nëse e kryen një pjesë të punës në çast, do të të ngelë shumë më pak për më vonë.

   Shiko vështirësitë në dritën e duhur

Për t'u ballafaquar më lehtë me problemin, fillimisht duhet të matësh mirë peshën e tij. Kjo do të thotë se as nuk duhet ta nënvlerësosh dhe as ta mbivlerësosh problemin.

Renditi gjërat që të shqetësojnë më shumë. Shkruaji në një copë letër. Kur e sjellim dhe e përsjellim nëpër mend një problem, mund të na duket shumë i madh, por kur e shkruajmë në letër e shohim ashtu siç është në të vërtetë dhe mund ta kapërcejmë më me sukses.

Mendo se çfarë mund të të ndihmojë të zgjidhësh problemin. Çfarë është më e rëndësishmja për ty për momentin? Çfarë të shqetëson më shumë? Cilat hapa mund të ndërmarrësh për të zgjidhur problemin? Cilat informacione dhe aftësi mund të të ndihmojnë? Si e ke zgjidhur deri më tani? Mbase do të habitesh kur të zbulosh se problemi nuk është aq i madh dhe i frikshëm.

   Ndrysho mënyrën se si i shikon gjërat

Pyete veten se çfarë është më e keqja këtu? Nga se ke frikë më së shumti? Përpiqu të parafytyrosh se si do ta vlerësoje këtë problem pas disa muajsh apo vitesh? A do të të duket aq i tmerrshëm? Çfarë mund të mësosh nga kjo situatë? Nëse je shumë i shqetësuar dhe i lodhur për të menduar për problemin, largoje mendjen që aty, dëgjo muzikë, dil për shëtitje.

Jepi zemër vetes - kujto përvojat nga e kaluara, si i ke zgjidhur me sukses problemet. Cilat janë pikat e tua të forta që mund të të ndihmojnë ta bësh. Optimizmi? Nxënia e shpejtë? Qetësia në situata stresuese? Fantazia? Kreativiteti? Gatishmëria për të dëgjuar këshillat dhe përvojën e njerëzve të tjerë, të cilat mund të gjejnë zbatim në rrethanat e tua?

   Kërko mbështetje

Bisedo me miqtë, prindërit, të afërmit që kanë mirëkuptim. Nganjëherë mjafton që dikush të na dëgjojë me mirëkuptim për të na ndihmuar të gjejmë rrugën e duhur.

Duhet të mësojmë të dallojmë se cilët njerëz rreth nesh janë të gatshëm të na mbështesin dhe të na mirëkuptojnë pikërisht atëherë kur kemi nevojë. Është e rëndësishme të mos heqësh dorë dhe t'ua bësh me dije se në sa gjendje të vështirë ndodhesh.

  Mëso nga përvoja

Kjo mund të të ndihmojë në parandalimin e një problemi të ri. Ji i sinqertë me veten. Mbase arsyeja përse e gjen veten në situata stresuese është ngaqë i lë gjërat për më vonë ose humb kohë aty ku nuk duhet.

Vendos nëse do të ndërmarrësh hapa për të parandaluar këto në të ardhmen.

  Ndihmo të tjerët

Ndonëse tingëllon paksa e çuditshme, kjo është një mënyrë e mirë për të parë problemin tënd nga një këndvështrim tjetër. Kur jemi të përqendruar në problemet tona, mund të na duket si fundi i botës. Por vetëm kur shikojmë se me çfarë problemesh përballen njerëzit përreth nesh, mund të vlerësojmë realisht problemin tonë.

  Zgjidhe problemin

Nuk je i pafuqishëm. Vetëm sepse mendon se profesori të ka në shënjestër, nuk do të thotë se duhet të anashkalosh mësimet. Më mirë kushtoji vëmendje mënyrës se si të lësh përshtypje më të mirë.

Duhet të vendosësh se çfarë duhet të bësh dhe të ndërmarrësh hapa konkretë. Fantazia mund të jetë e dobishme, por është gjithashtu e rëndësishme të ndërmarrësh hapa konkretë.

Të kujdesesh mirë për veten do të thotë të kërkosh ndihmë kur të kesh më shumë nevojë për të.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>