Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Hiperhidroza apo djersitja shtuar

March 1, 2022

Lidija Biserkoska
Specialiste e dermatologjisë dhe venerologjisë

|



Hiperhidroza nënkupton djersitje më të madhe sesa nevojitet për rregullimin e temperaturës së trupit. Më së shpeshti preken sqetullat, pëllëmbët, shputat dhe fytyra.

Kjo gjendje është shumë e shpeshtë dhe konsiderohet se djersitja e shtuar është veçanërisht e theksuar te 2-3% e popullsisë, nga të cilët 51% kanë djersitje të tepërt nën sqetulla. Rritja e djersitjes së shuplakave dhe shputave fillon rreth pubertetit, zakonisht rreth moshës 13 vjeç, ndërsa nën sqetulla zakonisht më vonë. Shkaku i shfaqjes duket të ketë predispozitë gjenetike, meqenëse 30-65% e pacientëve raportojnë se edhe anëtarë të tjerë të familjes së tyre ankohen për djersitje të tepërt.

Shumë sëmundje neurologjike, metabolike dhe të tjera, si sëmundjet që shoqërohen me temperaturë dhe përdorim të disa barnave, mund të shkaktojnë djersitje të madhe. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për njerëz të shëndetshëm. Një rritje e nxehtësisë ose emocioneve mund të nxisë djersitjen, por ata te të cilët ajo është problem, zakonisht djersiten në mënyrë të pakontrolluar gjatë gjithë kohës, pavarësisht nga temperatura e jashtme apo disponimi.

Djersitja e tepërt mund të ketë pasoja të rënda praktike, si vështirësi në përdorimin e duarve, në drejtimin e makinës, nevoja për ndërrim të shpeshtë të këpucëve dhe rrobave et., të cilat sjellin një sërë kufizimesh në krijimin e stilit të personit të prekur. Sigurisht që vendimi për administrimin e një procedure të caktuar terapeutike duhet të merret në konsultim me mjekun dermatolog, për sa i përket kryerjes së analizave të caktuara laboratorike të gjakut, glicemisë, nivelit të acidit urik apo të ashtuquajturat katekolamina, testit të funksionit të tiroides etj. Mundësitë terapeutike për trajtimin e këtij problemi janë këto në vijim:

Përdorimi i antiperspirantëve

Terapi lokale me antiperspirantë që përmbajnë përqendrime të ndryshme të klorurit të aluminit. Sasia e këtij përbërësi te deodorantët është 1-2%, por për të vepruar si bar, pra për të penguar djersitjen, duhet të jetë me përqendrim 15-25%. Kjo i referohet hiperhidrozës së lehtë deri në mesatare. Preparatet janë me përqendrime të ndryshme të klorurit të aluminit, aplikimi është i përditshëm, ndërsa përqendrimi më i lartë mund të çojë në acarim të lëkurës.

Përdorimi i barnave

Barnat antikolinergjike, beta-bllokuesit dhe barnat kundër depresionit triciklik. U referohet kryesisht atyre rasteve kur shkaku i djersitjes është një sëmundje tjetër.

Jontoforeza

Terapia Hidrex, kryesisht për djersitje të shtuar të shuplakave dhe shputave. Nevojiten 5-6 trajtime, gjatë të cilave djersitja vendoset nën kontroll për tre muaj dhe më pas procedura përsëritet. Efektet anësore përfshijnë skuqje, ndjesi shpimi gjilpërash të pakëndshme në lëkurë, fshika etj.

Trajtimi kirurgjik

Ky trajtim, i njohur si simpatektomia endoskopike torakale, mund të jetë tejet efektiv. Nëse djersitja është problem, veçanërisht nën sqetulla, është e mundur të hiqen gjëndrat në atë zonë me anë të kiretazhës dhe liposuksionit.

BOTOKSI

I referohet toksinës Botulinum të tipit A, i cili është një preparat proteinik shumë i pastër që përdoret në mjekësi prej 30 vitesh dhe është shumë efektiv dhe i sigurt si bar. Përdoret në doza të vogla, veçanërisht në kozmetologji. Injeksionet e toksinës Botulinum të tipit A bllokojnë transmetimin e impulseve nervore nga nervi në gjëndrat e djersës.

Botoksi është një procedurë e paçmuar terapeutike për trajtimin e këtyre problemeve. Ky trajtim është vërtet i përshtatshëm për pacientët me hiperhidrozë të kufizuar. Trajtimi fillon me anestezi të zonës që do të trajtohet (anestezi në formë kremi) më pas, me ndihmën e gjilpërave ultra të holla, jepen injeksione topikale të toksinës Botulinum të tipit A në rrugë intradermale. Kjo zgjat rreth njëzet minuta për një rajon. Efekti është i dukshëm brenda një jave, pra ulja e djersitjes te 95% e pacientëve, që zgjat nga 4 deri në 7 muaj. Pastaj procedura mund të përsëritet. Efektet anësore janë të vogla dhe i referohen dhimbjes së mundshme në vendin e pickimit, deri në shfaqjen e mundshme të një mavijosjeje të vogël.

Botoksi për trajtimin e hiperhidrozës është dëshmuar të jetë efektiv, pasi opsionet e tjera janë jetëshkurtra ose kanë ndonjë rrezik. Studimet kanë treguar se 80-95% e pacientëve kanë rezultat me një trajtim. Efektet anësore janë minimale, kurse injeksionet e përsëritura janë të sigurta. Në trajtimin e hiperhidrozës rekomandohet të shkohet hap pas hapi, për të përcaktuar nëse është një problem i përgjithshëm apo është para se gjithash i kufizuar. Rrjedhimisht, bëhet një plan terapie, i cili sigurisht duhet të ndjekë rekomandimet e reja. Rekomandohet përdorimi i të gjitha mundësive konservative në trajtim, përpara se të aplikohet trajtimi kirurgjik.

Ulja e djersitjes rrit cilësinë e jetës!

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>