Dr. Spec. Simeon Mogilevski
psikiatër
IPSH Mogilevski
|
Fjala
agorafobi rrjedh nga fjalët greke
agora (shesh) dhe
phobos (frikë). Agorafobia karakterizohet nga një frikë e madhe fobike nga vendet publike dhe vendet ku marrja e ndihmës mjekësore, në rast nevoje, është e vështirë. Këtu përfshihen hapësirat e gjera dhe të hapura, si sheshet, autostradat, urat, hapësirat e mëdha të mbyllura, si qendrat e mëdha tregtare, teatrot, sallat e koncerteve etj.
Veçori e çrregullimit është edhe frika e madhe nga udhëtimi me autobus, tren, mjete të transportit publik, me përjashtim të transportit me taksi. Shkalla e frikës fobike mund të jetë me intensitet të ndryshëm dhe ta bëjë të pamundur kryerjen e angazhimeve normale shoqërore, ngase pacienti me frikë agorafobike e mbron veten duke mos u larguar nga shtëpia e vet.
Frika pothuajse gjithmonë ka dimensione paniku dhe shoqërohet me dukuri të shumta vegjetative, si takikardi, mbytje, djersitje e tepërt, ndjesi shpimi gjilpërash në disa pjesë të trupit, marrje mendsh etj. Etiologjia e çrregullimeve fobike shpjegohet me një gamë të gjerë teorish, edhe atë psikoanalitike, kognitive, biologjike dhe të sjelljes.
Pasqyra klinike
Fillimi i çrregullimit
Megjithëse pacientët manifestojnë një numër tiparesh karakteristike që nga fëmijëria e hershme, si mbindjeshmëria, ndrojtja, enureza, tmerret e natës, refuzimi për të shkuar në shkollë, frika e ndarjes nga prindërit e të ngjashme, paraqitja e simptomave të theksuara të çrregullimit është e rrallë në fëmijëri.
Pasqyra e zhvilluar klinike
Pasqyra klinike është shumë specifike për agorafobitë. Pacienti ndjen një sulm paniku, ankth dhe tension të madh, është vazhdimisht në lëvizje, është i gatshëm të ikë nga vendi ku ndihet i kërcënuar e kështu me radhë. Gjatë fazës së përjetimit të sulmit të panikut, pacienti thërret ambulancën, shkon atje personalisht ose drejtohet për një ekzaminim në qendrat e urgjencës.
Frika e parashikuar apo frika nga frika, ndodh si pasojë e sulmeve të përjetuara të panikut dhe për shkak të frikës dhe parashikimit që sulmet mund të përsëriten. Përvoja intensive e frikës nga frika çon në zhvillimin e një dukurie tjetër specifike karakteristike për agorafobinë, e cila është sjellja e shmangies. Mund të shfaqet në mënyrë aktive, duke ikur nga burimi i kërcënimit dhe në mënyrë pasive, kur ndodh frenimi i reagimit dhe sjelljes së personit. Zhvillohet dalëngadalë, edhe atë së pari shmangen situatat dhe vendet ku pacienti ka përjetuar shqetësimin e parë, kurse më pas vendet dhe situatat sa shkojnë e rriten.
Pasqyra e zhvilluar klinike e agorafobisë karakterizohet nga forma specifike të frikës, si të mbeturit vetëm dhe të qenit vetëm, frika nga udhëtimi, larja në vaskë, hapësirat e mbyllura, hipja në ashensor, fluturimi në avion, pritja në radhë, frika e ndarjes nga personi i afërt etj.
Një tipar themelor i sjelljes së pacientëve me agorafobi është sigurimi i mbrojtjes dhe sigurisë (prania e një personi tjetër me ta, syze dielli, bastun etj) dhe shmangia e sulmeve të frikës dhe panikut. Aktiviteti, zakonet dhe gjithçka tjetër janë të varura, gjë që nënkupton një mënyrë specifike të sjelljes së këtyre pacientëve (banesat në katin e parë, lëvizja në rrugë, shtigje dhe pjesë të njohura të qytetit, duke shmangur transportin publik, një ndjenjë sigurie në makinën e vet). Ata kanë nevojë për një shok të vazhdueshëm pa të cilin nuk mund të jetojnë vetëm në shtëpi ose të dalin jashtë. Si pasojë e çrregullimit, shpesh vërehen edhe kriza depresive.
Rrjedha dhe prognoza
Agorofobia është një sëmundje kronike që ka prirje të zgjasë shumë dhe të kalojë nëpër faza të ndryshme. Terapia e agorafobisë është e kombinuar dhe përfshin farmakoterapinë nga grupi i anksiolitikëve dhe barnat kundër depresionit
SSRI, psikoterapinë psikoanalitike dhe terapinë kognitive të sjelljes, në kombinim me ushtrime relaksuese (trajnim autogjenik).
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.31 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).