Mr.ph. Anastazija Jagurinovska
IPSH Barnatore Ambrozija Farm, Shkup
|
Për shumë prej nesh, pranvera është një nga periudhat më të dëshirueshme të vitit, por për fat të keq shumica e popullsisë njerëzore vuajnë nga probleme të cilat lidhen drejtpërdrejt me këtë stinë. Na ndodh shpesh që, me ardhjen e pranverës, të ndihemi të lodhur, pa përqendrim, të plogësht, me fiziologji të dëmtuar të gjumit, të na rrjedhë hunda, të teshtijmë, fillon të na ngacmojë fyti, të na djegin sytë, gjë që na bën të mendojmë menjëherë se jemi ftohur. Por për ta kuptuar nëse me të vërtetë bëhet fjalë për të ftohtë apo është një lloj rinititi alergjik, duhet të kërkojmë këshillë nga mjeku ose farmacisti ynë.
Jo rrallëherë ndodh që të ngatërrojmë simptomat dhe të marrim sipas kokës sonë ndonjë preparat që nuk jep asnjë efekt pozitiv. Një gjë e tillë shtron nevojën që farmacisti ose tekniku i farmacisë, përmes bisedës, të marrë pasqyrën reale të gjendjes shëndetësore të pacientit dhe t'ia rekomandojë preparatin më të mirë që do ta lehtësonte gjendjen e tij ose ta referojë pacientin te mjeku amë, nëse e sheh të nevojshme.
Ftohjet dhe alergjia sezonale kanë disa simptoma të përbashkëta, të cilat janë zënia e hundës, teshtitja dhe rrjedhja e sekrecionit të tejdukshëm nga hunda. Në rast të ftohjes, përveç simptomave të përmendura, zakonisht ka edhe dhimbje fyti, kollë të thatë irrituese dhe mund të ketë edhe një rritje të lehtë të temperaturës së trupit. Shkaktarët më të zakonshëm të ftohjeve janë viruset.
Alergjitë shoqërohen edhe me simptoma të tjera, të tilla si dhimbje e butë, më shumë si ndjesi shpimi gjilpërash në fyt, lodhje, rraskapitje, kruajtje e syve, skuqje e syve dhe kollë. Ato shkaktohen nga agjentë të jashtëm të natyrës së ndryshme. Gjelbërimi i kullotave, gjetheve, pemëve dhe lirimi i polenit në ajër, si dhe pluhuri i shtëpisë, merimangat, grimcat parazitare, myku, qimet e kafshëve janë shkaktarë të zakonshëm të reaksioneve alergjike të pakëndshme tek njerëzit.
Reaksionet alergjike ndodhin për shkak të pranisë së substancave të jashtme të quajtura antigjene, të cilat, kur vijnë në kontakt me ne dhe na depërtojnë në trup, ai fillon të mbrojë veten duke aktivizuar qelizat mbrojtëse të quajtura antitrupa. Në këtë proces të aktivizimit të mbrojtjes përfshihen një sërë mekanizmash imunitare, të nxitur nga aktiviteti i makrofagëve. Më pas, përmes T-limfociteve prodhohen citokinat (interleukinat e tipit IL3, IL5, IL13 etj) dhe nga stimulimi i B-limfociteve vjen deri te krijimi i antitrupave të tipit të imunoglobulinës E (IgE), të cilat lidhen me receptorët sipërfaqësorë të mastociteve, bazofileve dhe eozinofileve. Në fund prodhohen histamina, leukotrienet, prostaglandinët, bradikinina dhe faktori i aktivizimit të trombociteve.
Sipas intensitetit të aktivizimit të sistemit imunitar, kompleksitetit të tij dhe përqendrimit të alergjenit të pranishëm, fillojnë të shfaqen simptomat e para, të tilla si teshtitje, ngacmim në hundë dhe fyt, rrufë, zënie e hundës, dhimbje në zonën e sinuseve, ulje e ndjesisë së erës dhe shijes, kruarje në sy, skuqje në sy, ënjtje e qepallave, kollë dhe gulçim. Këto simptoma janë karakteristike për rinititin alergjik sezonal që ndodh më shpesh në fëmijëri dhe rini, ndërsa me kalimin e viteve, simptomat dalëngadalë ulen tek shumica e pacientëve.
Diagnoza e rinititit alergjik përcaktohet nga një mjek i familjes, me përcaktimin e eozinofileve dhe imunoglobulinës E (IgE) në gjak, përmes testeve alergjike të lëkurës si dhe ekzaminimit endoskopik të traktit të sipërm të frymëmarrjes nga një specialist i ORL-së, pulmonolog ose alergolog.
Ka rinitit alergjik sezonal dhe rinitit alergjik kronik të vazhdueshëm. Rinititi kronik i vazhdueshëm, ndryshe nga ai sezonal, zgjat më gjatë, madje edhe gjatë gjithë vitit dhe shpesh është i pranishëm tek pacientët me astmë bronkiale dhe rinosinusit akut dhe kronik. Rinititi kronik i vazhdueshëm mund të jetë po ashtu i një natyre joalergjike, i shkaktuar nga hormonet, ilaçet, lëndët konservuese të ushqimit, agjentët kimikë të mbajtjes së higjienës në shtëpi etj.
Nga ana tjetër, rinititi alergjik sezonal, në varësi të stinës së vitit kur ndodh dhe llojit të alergjenit ose shkaktuesit, mund të jetë pranveror, veror dhe vjeshtor. Rinititi pranveror më së shpeshti shkaktohet nga poleni dhe nga pemë apo drunj të tillë si thupra, panja, lisi dhe pisha. Tek rinititi veror, shkaktarët më të zakonshëm janë poleni nga kullosa, drunjtë frutorë, barërat e këqija dhe gështenja, ndërsa tek rinititi vjeshtor, shkaktari më i zakonshëm është myku i pemëve. Të gjitha llojet e rinititit alergjik sezonal janë me një simptomatologji të ndjeshme, për të cilën duhet të përcaktohet efikasiteti adekuat terapeutik.
Rinititi alergjik sezonal trajtohet më së miri duke shmangur shkaktarin e paracaktuar (alergjenin), nëse është e mundur, duke aplikuar më pas metodën konvencionale të terapisë, që përbëhet nga tretësira hipotonike ose hipertonike e hundës në formë të sprejit, e njohur gjerësisht si ujë i kripur i detit, pa kufizime në kohëzgjatjen e përdorimit. Më pas mund të përdoren tretësira dekongjestive dhe sprej intranazal me kortikosteroide, për një numër të caktuar ditësh, si dhe antihistaminikë oralë josedativë, me dozë dhe kohëzgjatje të terapisë të përcaktuar nga një mjek ose farmacist. Në qoftë se bëhet fjalë për forma më të rënda të reaksioneve alergjike, rekomandohet dhënia e sprejit të kombinuar me antihistaminikë dhe kortikosteroide për aplikim lokal, i cili gjithashtu duhet të përdoret me dozë dhe kohëzgjatje të terapisë të përcaktuar nga një mjek specialist i ORL-së, pulmonolog ose alergolog.
Format e rënda të alergjive trajtohen edhe me desensibilizim, e cila është më mirë të fillohet pas periudhës së lulëzimit dhe pllenimit dhe gjatë stinës së dimrit, nëse shkaktarët e alergjisë janë poleni, kullosa, pemët dhe myku. Për sa u përket alergjenëve të tjerë, siç janë parazitët e kafshëve shtëpiake dhe pluhuri, nuk ka kufizime për periudhën e imunizimit.
Imunoterapia alergjike aplikohet në dy mënyra: nën gjuhë ose nën lëkurë. Efektiviteti i kësaj mënyre të desensibilizimit është relativisht i lartë dhe tek 70% e pacientëve me forma të rënda të alergjive vërehet përmirësim i gjendjes. Ashtu si tek terapitë e tjera edhe te kjo terapi, ekzistojnë faktorë rreziku për të cilat kërkohet konsultimi me një alergolog ose pulmonolog specialist, që do të vendosë më së miri për llojin dhe metodën e terapisë.
Ekzistojnë edhe teknika kirurgjikale, të tilla si elektrokoagulimi, radioterapia dhe terapia me laser, të cilat sigurisht nuk janë zgjedhja e parë kur përcaktohet terapia për rinititit alergjik, por për pengesa të rënda dhe të pakthyeshme të mukozës së hundës mund të kërkohet mendimi i një specialisti të ORL-së.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8-9 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2021).