Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Antibiotikët – kur po dhe kur jo?

September 2, 2020

|

Dr. Zorica Martinoska Andonova
Doktoreshë e Mjekësisë
IPSH Pedimedika - Shtip

Çfarë janë antibiotikët?

Antibiotikët janë substanca që mund të vrasin bakteret (veprim baktericid) ose të parandalojnë rritjen e tyre (veprim bakteriostatik). Mund të jenë me prejardhje natyrore, sintetike ose gjysmë sintetike.

Kur dhe si përdoren antibiotikët?

Antibiotikët janë një zgjedhje e mirë për trajtimin e infeksioneve bakteriale, por nuk ndikojnë te viruset ose infeksionet kërpudhore. Është e rëndësishme që antibiotiku të merret për aq kohë sa është e paraparë dhe të mos ndalohet marrja e tij në momentin që ndjeheni më mirë. Nëse e ndaloni shumë herët marrjen e antibiotikut, bakteret e mbetura do të vazhdojnë të shumohen dhe mund të zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve.

Antibiotikët janë efektivë në trajtimin e infeksioneve bakteriale nëse merren:
• në dozën e rekomanduar
• në intervale të barabarta kohore
• sipas kohëzgjatjes së paraparë

Antibiotikët zakonisht duhet të merren 7 deri në 10 ditë, në varësi të shkaktarit që trajtohet.


Kur reagojnë antibiotikët dhe kur jo?


Para se të vendoset për një antibiotik, është më mirë që krahas pasqyrës klinike, të bëhet edhe një test laboratorik, i cili do të na tregojë nëse bëhet fjalë për virus apo bakter. Do të ishte ideale të bëhen teste mikrobiologjike dhe të merret mostër për analizë. Sigurisht, duhet të pritet 2-3 ditë dhe të mos nxitohet me dhënien e terapisë. Me këto teste, përveç vërtetimit të pranisë së bakterit, do të shohim se cila është ndjeshmëria e tij ndaj antibiotikëve, cilit antibiotik i përgjigjet dhe cilit nuk i përgjigjet, gjë që do të na lejojë të japim terapinë më të përshtatshme. Në rastet kur pasqyra klinike, së bashku me pasqyrën themelore të gjakut tregojnë bindshëm se bëhet fjalë për infeksion bakterial, nuk ka nevojë për teste të tjera laboratorike dhe mikrobiologjike.

Antibiotikët nuk reagojnë ndaj infeksioneve virale!

Rezistenca e baktereve ndaj antibiotikëve



Bakteret në trupin e njeriut mund të zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve. Kjo rezistencë zakonisht krijohet për shkak të përdorimit shumë të shpeshtë dhe të parregullt të antibiotikut, si dhe në rastet kur nuk është i nevojshëm. Rezistenca mund të paraqitet edhe ndryshe, nëse antibiotiku merret në doza joadekuate (shumë të vogla), nëse merret më shkurt nga sa duhet ose në intervale kohore të paregullta. Antibiotiku nuk duhet të merret vetëm 2-3 ditë e të ndërpritet pasi të përmirësohet gjendja. Kjo vetëm maskon infeksionin, nuk i asgjëson bakteret, ndërsa më pas mund të shkaktojë përsëri infeksion të ri. Këtë herë ky infeksion do të jetë rezistent ndaj antibiotikut që nuk është marrë si duhet më parë.

Me kalimin e kohës, bakteret mund të bëhen rezistente ndaj shumë llojeve të antibiotikëve, që do të thotë se ka edhe baktere jashtë mase rezistente ndaj pothuajse të gjithë antibiotikëve. Pasojat e kësaj dukurie janë një rritje e shkallës së sëmundjeve, rritje e vdekshmërisë nga disa sëmundje infektive dhe rritje e kostos së trajtimit. Kjo dukuri ngërthen në vete nevojën për antibiotikë të rinj dhe më të shtrenjtë, me përdorimin jo të duhur të të cilëve bakteret bëhen përsëri rezistente ndaj tyre.

Mjekësia bashkëkohore po përpiqet të fitojë luftën kundër infeksioneve. Ne nuk mund të parandalojmë plotësisht zhvillimin e baktereve rezistente, por mund ta ngadalësojmë me përdorimin e duhur të antibiotikëve, që do të thotë vetëm me rekomandimin e mjekut.

Rekomandim

Trupi i shëndetshëm është në gjendje të luftojë një numër të madh të infeksioneve pa antibiotikë dhe kështu të bëhet edhe më i fortë. Imuniteti i fortë është i rëndësishëm në mbrojtjen e trupit nga infeksionet, ndërsa imuniteti forcohet dhe mirëmbahet me ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik dhe një mënyrë jetese të shëndetshme. Prandaj rregullisht:

→ Lani mirë duart;

→ Lani mirë pemët dhe perimet para ngrënies;

→ Hani sasi të mjaftueshme të mishit/produkteve të mishit të trajtuara me nxehtësi

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHTATOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>