Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Dermatiti atopik

December 1, 2020

|

Dr. Elpinka Marin
Specialiste e Dermatologjisë
SPITALI I PËRGJITHSHËM NË OHËR



Përkufizimi

Atopia është prirje e organizmit, te individë ose familje të tëra, për rritje të prodhimit të imunoglobulinave të klasës E, kurse me këtë edhe rritje të reaktivitetit alergjik të organizmit kur ekspozohet ndaj alergjenëve të përditshëm. Mund të shfaqet si astmë bronkiale, rinitit alergjik dhe faringit ose dermatit atopik, e cila dikur njihej si astmë e lëkurës. Mekanizmi i shfaqjes është i njëjtë, dallon vetëm organi i synuar ku manifestohet reagimi alergjik, ndërsa kjo bën që të dallojë edhe simptomatologjia e sëmundjes. Hulumtimet e deritanishme kanë treguar se kjo në të vërtetë është një sëmundje e lindur, e përcaktuar gjenetikisht dhe ndodh shpesh që disa anëtarë të së njëjtës familje të kenë të njëjtën sëmundje dhe të njëjtat simptoma.

Dermatiti atopik është një sëmundje akute, subakute dhe kronike e karakterizuar nga lëkura e thatë dhe kruajtja e rëndë. Kjo sëmundje prek një përqindje të madhe të popullsisë së botës dhe është një lloj i veçantë i mbindjeshmërisë alergjike ndaj një numri të alergjenëve të ndryshëm që gjenden në natyrë, si ushqyes, të thithshëm dhe të tjerë. Emri i saj vjen nga fjala greke Atopic, që do të thotë “në vendin e gabuar” dhe Dermatitis, që do të thotë “pezmatim i lëkurës”.

Diagnoza vendoset në bazë të pasqyrës klinike dhe shpeshherë  testet laboratorike tregojnë nivele të rritura të imunoglobulinës E (IGE) në gjak. Te shumë pacientë, edhe historia familjare është pozitive për sëmundjet alergjike.

Më shpesh ndodh tek foshnjat e porsalindura dhe shfaqet si skuqje, thatësi dhe zbokth në lëkurën e faqeve, qafës dhe pjesëve të tjera të trupit dhe gjymtyrëve. Me kalimin e kohës, simptomat lokalizohen në pjesët e rrudhura të krahëve dhe këmbëve, qepalla, qafë dhe shpinë.

Kjo sëmundje mund të zëvendësohet nga dermatiti seborroik (sidomos në foshnjëri), infeksioni kërpudhor në sipërfaqen e lëkurës ose dermatiti si rezultat i dëmtimit të resorbimit në zorrë. Për shkak të rezistencës së zvogëluar të lëkurës te këta pacientë, në fazën aktive të sëmundjes, mund të ndodhë edhe superinfeksioni me mikroorganizma patogjene kërpudhorë, bakterialë ose viralë. Një ndërlikim veçanërisht serioz është kolonizimi me Staphylococcus aureus dhe virusin herpes simplex në lëkurën atopike - Eczema herpeticum, që kërkon trajtim më të gjatë.

Trajtimi

Për trajtim përdoren kompresat e lagura për të zbutur lëkurën e thatë, vajrat dhe kremrat kortikosteroide me kohë më të shkurtër përdorimi, kremrat imunosupresive lokale e të ngjashme. Në rastet e intensifikimit të sëmundjes përdoren antihistamina orale dhe kortikosteroide. Në disa raste mund të përdoret edhe fototerapia me rrezatimin UVB-A dhe UVB-B. Në rast të superinfeksionit me mikroorganizma të caktuar, përdoren medoemos antimikotikë, antibiotikë lokalë dhe oralë, si dhe barna antivirale.

Mirëmbajtja dhe kujdesi për lëkurën atopike

Pacientët me dermatit atopik kanë lëkurë shumë të ndjeshme, e cila kërkon kujdes dhe mirëmbajtje të veçantë. Trajtimi është i domosdoshëm kur ka përkeqësim të sëmundjes, por në periudhat kur lëkura është e qetë dhe pa simptoma patologjike, është e nevojshme të mbahet higjiena dhe kujdesi i duhur për të shmangur periudhat e rikthimit. Lëkura e tillë duhet të mbrohet nga era dhe të ftohtit sepse këta faktorë e thajnë dhe irritojnë më tej.

Edhe pse higjiena është e domosdoshme, prapëseprapë duhet pasur kujdes që kohëzgjatja e banjës të jetë më e shkurtër dhe nuk duhet të përdoret ujë shumë i nxehtë, ngaqë shkakton tharje dhe plasaritje shtesë të lëkurës. Duhet të përdoren banja dhe xhel me yndyrë, të ashtuquajtura sindet, të cilat e pastrojnë lëkurën pa mos e tharë atë. Larja largon papastërtitë dhe alergjenët që kanë rënë në kontakt me lëkurën. Më pas, lëkura preket lehtë me një leckë të butë pambuku dhe ndërsa është akoma e lagur, lyhet me kremra zbutës ose locione hidratuese të trupit. Një kujdes i tillë nuk përdoret vetëm kur gjendja përkeqësohet dhe kur nevojitet mjekim.

Këta pacientë gjithashtu duhet të zgjedhin me kujdes profesionin e tyre dhe nëse është e mundur, të shmangin punët në kushte të papastra, ku përdoren kimikate, vajra industriale; punët e krahut në ndërtimtari ose profesionet në të cilat ka më shumë kontakt me lëngje. Nëse kjo ndodh shumë herë, është e nevojshme të ndërroni punën ose profesionin.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>