|
Ashwagandha (Withania somnifera) është një nga bimët më të famshme ajurvedike, që i përket kategorisë së ripërtëritjes së organizmit të njeriut. Përveçse si tonik për ripërtëritjen e organizmit, njihet edhe si bimë adaptogjenike dhe si afrodiziak i shkëlqyeshëm, e përdorur në Indi për më shumë se 1000 vjet.
Ashwagandha është kaçube e mesme, që mund të arrijë një lartësi prej 1.70 metrash dhe që jep fryte të vogla, me ngjyrë të kuqe. Rritet në klimë të ngrohtë dhe e ka prejardhjen nga pjesa verilindore e Indisë. Kjo bimë ndryshe njihet edhe si qershi dimërore ose si “xhensen indian”. Emri i saj fjalë për fjalë do të thotë “erë kali” (ashwa - kalë, gandha - erë), sepse është bimë që ka aftësi t'i japë njeriut gjallërinë dhe forcën e një kali. Përmban shumë përbërës aktivë, nga të cilët më kryesorët janë alkaloidet dhe laktonet steroidale.
E ashtuquajtura “xhenseni indian” përmban fitonutrientë që rregullojnë organizmin kur ekspozohet ndaj stresit fizik ose mendor dhe e ndihmojnë trupin të përshtatet. Përdoret gjerësisht për ulje të stresit, shëndet të mirë hormonal dhe të trurit, ndërsa kohët e fundit ka gjetur përdorim edhe në shtojcat ushqimore të sportistëve për përmirësim të performancës së tyre atletike. Përveç që është një bimë adaptogjenike, ajo ka edhe shumë efekte të provuara farmakologjike: anksiolitik (anti-depresiv), hipotensiv (ul presionin e gjakut) dhe qetësues, stimulon funksionin e frymëmarrjes, shtendos muskujt dhe stimulon punën e gjëndrës tiroide.
- Në cilësinë e afrodiziakut, Ashwagandha nxit fuqinë seksuale, balancon hormonet mashkullore, rrit numrin dhe lëvizshmërinë e spermës dhe ka një veprim të dobishëm në rregullimin e problemeve të papjellorisë te meshkujt.
- Përmirëson shëndetin e zemrës, duke ulur kolesterolin dhe trigliceridet.
- Ka një veprim të dobishëm në mjekimin e ekzemës, mbresave dhe psoriazës.
- Përmban alkaloide që janë efektive në normalizimin e punës së hormoneve në trup.
- Stimulon funksionimin e trurit dhe rrit përqendrimin, si dhe përmirëson gjendjen e disa sëmundjeve neurodegjenerative (Alzheimer, Parkinson).
Lufton me sukses radikalet e lira dhe ngadalëson procesin e plakjes së organizmit.
- Ka veti anti-inflamatore, falë të cilave është mjaft efektive në trajtimin e artritit dhe sëmundjeve të tjera reumatike, zvogëlon inflamacionin, ënjtjen dhe dhembjen e nyjeve.
- Mbështet një sistem të shëndetshëm imunitar.
Ashwagandha është bimë që u nevojitet të gjithëve si një shtesë dietike, sepse ndihmon në kontrollin e stresit, lodhjes, mungesës së energjisë dhe vështirësisë për t’u përqendruar. Kjo bimë mjekësore jo vetëm që ndikon në mënjanimin e problemeve aktuale, por gjithashtu çon në ndryshime të përhershme dhe përmirësim të gjendjes së tërë organizmit.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2020).