Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Shtatzënia dhe qelizat staminale të kordonit kërthizor. Zgjedhja e vetme për një të ardhme të sigurt

March 1, 2021

Dr. Antoni Angelovski
Drejtor Mjekësor - Bio Save Maqedoni

|



Qelizat staminale janë qelizat themelore të trupit të njeriut. Qeliza e parë staminale është qeliza vezë e fekonduar, e cila nëpërmjet proceseve të diferencimit dhe specializimit të mëtejshëm kalon në lloje të ndryshme qelizash, si qelizat e gjakut, qelizat nervore, qelizat e mëlçisë, qelizat e trurit, por edhe të gjitha qelizat e tjera nga të cilat formohet krijesë e re njerëzore.

Qelizat staminale kanë potencial të jashtëzakonshëm për t'u zhvilluar në shumë lloje të ndryshme të qelizave në trup gjatë periudhës së hershme të jetës dhe rritjes. Përveç kësaj, ato shërbejnë si një lloj sistemi i brendshëm i riparimit të indeve dhe organeve. Sipas nevojës së organizmit, ato ndahen pa kufizim për të rimbushur qelizat e vjetra, për aq kohë sa ka jetë. Kur një qelizë staminale ndahet, çdo qelizë e re ka potencialin që, ose të mbetet qelizë staminale ose të bëhet një lloj tjetër qelize me funksion të specializuar dhe në këtë mënyrë të rivendosë funksionin e një qelize tjetër në organizëm, siç janë qelizat e muskujve, zorrëve, gjakut ose qelizat e trurit. Nën kushte të caktuara fizike ose eksperimentale, këto qeliza mund të nxiten të bëhen qeliza specifike të indeve ose organeve me funksione të veçanta.

Në mjekësinë bashkëkohore, karakteristikat e qelizave staminale përdoren për ripërtëritjen dhe zëvendësimin e indeve dhe qelizave të dëmtuara dhe në këtë mënyrë, trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Ka shumë burime të qelizave staminale që sot në mjekësi janë në dispozicion për t'u përdorur në trajtime të ardhshme dhe këto mund të jenë: palca e eshtrave, indet dhjamore, gjaku periferik dhe si përzgjedhja më e preferuar e qelizave staminale, me potencial shumë më të madh biologjik për diferencim dhe shumëzim, qelizat staminale nga gjaku i kordonit të kërthizës.

Si metoda e parë shkencore për izolim dhe burimi parësor i qelizave staminale që përdoret sot në trajtimin e sëmundjeve të caktuara, është palca e eshtrave. Transplantimi i palcës së eshtrave është lloj transplantimi ku është e nevojshme të gjendet një donator i shëndetshëm që plotëson kritere të veçanta, të tilla si përkatësia në një grupmoshë të caktuar, të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe më e rëndësishmja, të tregojë përputhje të karakteristikave të indeve, domethënë të ketë pajtueshmëri të kënaqshme midis donatorit dhe pranuesit të transplantimit.

Gjëja themelore për planifikimin familjar është të sigurohemi që jemi të mbrojtur. Gjatë shtatzënisë prindërit e ardhshëm duhet të njihen më për së afërmi me mundësitë e ruajtjes së qelizave staminale të kordonit të kërthizës. Ne në Bio Save jemi të përkushtuar për ruajtjen e sigurt të qelizave staminale të kordonit kërthizor. Të gjithë së bashku, ne punojmë për të ruajtur në mënyrë të sigurtë mostra me cilësi të lartë, të cilat do të jenë në dispozicion të fëmijës suaj në rast nevoje mjekësore.

Gjaku që mbetet në kordonin e kërthizës pas lindjes është i pasur me qeliza staminale të të porsalindurit, ndërsa qeliza të tjera staminale mund të gjenden gjithashtu në indin e kordonit të kërthizës. Pas lindjes së foshnjës, ekziston një mundësi e veçantë për t'i mbledhur këto qeliza dhe për t'i ruajtur në një bankë qelizash staminale. Zgjedhja për dhurimin e gjakut të kordonit të kërthizës në një bankë publike të qelizave staminale është e disponueshme në mbarë botën, ndërsa në vendin tonë e vetmja mundësi për ruajtje është në një bankë private ku prindërit e ardhshëm ruajnë qelizat staminale për të porsalindurin dhe për të gjithë familjen.

Gjaku në kordonin kërthizor të foshnjës ka fuqinë për të shpëtuar jetë. Prandaj, ne synojmë t'u përgjigjemi të gjitha kërkesave edukative dhe pyetjeve të shtruara nga prindërit e ardhshëm, të cilat lidhen me zgjedhjen e duhur për ruajtjen e sigurt të qelizave staminale të kordonit të kërthizës.

Qelizat staminale të gjakut të kërthizës kanë përparësitë e tyre mbi burimet e tjera të qelizave staminale. Para se gjithash, ato janë biologjikisht më të reja dhe ndjeshëm më elastike se të gjitha burimet e tjera të qelizave staminale, me çka është treguar të jenë më të përdorshme për njerëzit. Suksesi i trajtimit varet përfundimisht nga mosha e qelizave staminale. Sa më të reja të jenë qelizat staminale, aq më e madhe është aftësia e tyre shëruese. Hulumtimet e reja tregojnë se sëmundjet që vijnë me kalimin e viteve, të tilla si ateroskleroza, manifestohen edhe kur qelizat staminale të pacientit të prekur bëhen shumë të vjetra për ta ndrequr vetë dëmtimin. Për këtë arsye, donatorët e palcës së eshtrave mund të jenë vetëm njerëz të moshës midis 25 dhe 45 vjeç.

Një përparësi po ashtu e madhe është se ato nuk janë të ekspozuara ndaj ndikimeve ose sëmundjeve të jashtme. Koha e nevojshme për të mbledhur qelizat staminale të kordonit të kërthizës lehtëson shumë procedurën, ngaqë nevojiten vetëm disa minuta për t'u mbledhur pas lindjes. Kjo nënkupton se metoda është joinvazive dhe plotësisht e sigurt dhe pa dhimbje, si për nënën ashtu edhe për foshnjën. Metoda e përdorimit dhe shfrytëzimit të këtyre qelizave staminale varet nga sasia e materialit të marrë si dhe nga karakteristikat individuale të indit. Hulumtimet e përparuara janë tejet shpresëdhënëse se në të ardhmen mund të presim një rritje të suksesshme të numrit të qelizave staminale në laborator, ndaj atëherë ky do të ishte një investim që ofron mundësi të pakufizuara.

Qelizat staminale vetjake janë zgjedhja e parë në trajtimin e shumë sëmundjeve, meqenëse trupi mund t'i pranojë ato në mënyrë optimale dhe kështu të shmangë rrezikun e përdorimit të qelizave staminale të huaja, të cilat, për shkak të karakteristikave të pangjashme, mund të shkaktojnë reagim refuzimi të transplantit. Prandaj, për sa kohë që e lejon terapia, preferohen qelizat staminale të vetë personit.

Qelizat staminale nga gjaku i kordonit të kërthizës përdoren sot për trajtimin e më shumë se 80 llojeve të sëmundjeve, duke përfshirë sëmundjet e sistemit imunitar, çrregullimet gjenetike, çrregullimet neurologjike dhe disa forma të kancerit, si leukemia dhe limfoma. Për disa nga këto sëmundje, qelizat staminale janë trajtimi parësor. Për të tjerat, trajtimi me qeliza staminale mund të përdoret kur trajtimet e tjera nuk funksionojnë. Ato mund të përdoren po ashtu në trajtimet eksperimentale të një sërë sëmundjeve të tjera.

Për këtë arsye, ju këshillojmë që para lindjes së fëmijës suaj të mendoni për këtë mundësi unike dhe kështu, t'i mundësoni atij të rritet së bashku me arritjet më të fundit në mjekësi, në një botë me përparim mjekësor që do të ofrojë një të ardhme më të sigurt për ju dhe fëmijën tuaj.

Nëse vendosni t'i ruani qelizat staminale të foshnjës suaj, gjëja e parë që duhet të bëni është të porositni setin për marrjen e mostrës, që do t'ju nevojitet në maternitet. Bio Save Maqedoni është pjesë e Grupit Bio Save, i cili përfaqësohet në shtatë vende të rajonit. Partneri ynë është Grupi FamiCord, e cila është banka më e madhe evropiane e qelizave staminale të kordonit kërthizor. Prapa partneritetit të Bio Save Group dhe Fami Cord Group qëndron përvoja më e madhe për ruajtjen e qelizave staminale si dhe aplikimin e tyre në trajtime të sëmundjeve të ndryshme.

Banka në Evropë ekziston që nga viti 2002 dhe sot përbën rrjetin më të madh të laboratorëve të specializuar dhe të akredituar në të gjithë Evropën me financa solide dhe të qëndrueshme. Tani për tani ka mbi 750,000 njësi të gjakut dhe indeve të kordonit të kërthizës dhe deri më tani ka pasur më shumë se 86 transplantime apo infuzione të njësive të qelizave staminale nga gjakut i kordonit të kërthizës. Nga ana tjetër, banka ka përvojë me më shumë se 3000 pacientë të cilët trajtohen me qeliza staminale. Kjo përvojë e pashembullt na lejon të bashkëpunojmë dhe të pranojmë mostrat e ruajtura në më shumë se 1300 spitale në të gjithë Evropën dhe botën. Shkalla e jashtëzakonshme e trajtimeve të suksesshme është edhe dëshmia më e mirë që ne e zhvillojmë bashkërisht dhe shumë seriozisht idenë e ruajtjes familjare dhe private të qelizave staminale të kordonit të kërthizës dhe se e meritojmë besimin e klientëve tanë si banka më e madhe dhe më e qëndrueshme me rëndësi ndërkombëtare.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>