dr. Ilija Kelepuroski
spec. urolog
EPSH SPITALI KLINIK, MANASTIR
|
Varikocela është një çrregullim që karakterizohet nga zgjerimi i pleksusit pampiniform ose venave në skrotum. Nga njëqind meshkuj, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë kanë varikocelë dhe mund të thuhet se është e njëjtë me venat varikoze në këmbë.
Varikocelat krijohen kur venat e pleksusit pampiniform në skrotum rriten. Këto vena janë si venat e zgjeruara (venat e shtrembëruara, të ënjtura, që gjenden në këmbë.) Formohen gjatë pubertetit, më vonë mund të rriten dhe të vihen re më shumë me kalimin e kohës. Varikocelat janë më të zakonshme në anën e majtë të skrotumit. Kjo sepse anatomia mashkullore nuk është e njëjtë në të dy anët. Ka mundësi që të ekzistojnë në të dy anët njëkohësisht, por është e rrallë. Rreth 10 deri në 15 djem nga 100 kanë varikocelë.
Në shumicën e rasteve, varikocelat nuk shkaktojnë probleme dhe janë të parrezikshme. Në raste të rralla ato mund të shkaktojnë dhimbje, probleme me atësinë, rritjen më të ngadaltë të njërit testikul apo zvogëlimin e tij.
Simptomat
Shumica e meshkujve me varikocelë nuk kanë simptoma, por ka disa arsye pse i shqetësojnë. Disa mund të shkaktojnë shterpësi (probleme me atësinë) dhe rritje të ngadaltë të testikulit të majtë gjatë pubertetit. Varikocelat mund të jenë shkaktar i problemeve me fertilitetin te rreth katër nga dhjetë meshkuj që kanë probleme me atësinë e fëmijës së tyre të parë. Ato gjithashtu mund të jenë shkaktar i problemeve me fertilitetin te rreth tetë nga dhjetë meshkuj që kanë probleme me atësinë kur planifikojnë një fëmijë të dytë.
Arsyet
Ka një numër arsyesh për shfaqjen e varikocelave. Ka raste kur valvulat në vena mund të jenë insuficiente (ose mund të mungojnë). Nëse qarkullimi i gjakut është i dobët, gjaku mund të mbetet në vena. Gjithashtu, venat më të mëdha që lëvizin nga testikujt në zemër janë të lidhura ndryshe nga ana e majtë dhe e djathtë, ndaj nevojitet më shumë presion në anën e majtë në mënyrë që gjaku të rrjedhë nëpër venat në drejtim të zemrës. Nëse gjaku rrjedh së prapthi ose vonohet në vena, mund të shkaktojë ënjtjen e tyre. Në raste të rralla, nyjet e ënjtura limfatike ose masa të tjera prapa stomakut bllokojnë qarkullimin e gjakut. Kjo mund të çojë në një ënjtje të papritur të venave të skrotumit, e cila shpesh është e dhimbshme.
A janë varikocelat të zakonshme?
Rreth 15 nga 100 meshkuj kanë varikocela. Është e vështirë të parashikohet se cili nga këto 15 do të ketë probleme me fertilitetin që shkaktohet nga varikocelat e tyre, mirëpo rreth 4 nga 10 meshkuj të testuar për probleme me fertilitetin kanë varikocela dhe lëvizje të reduktuar të spermës. Edhe pse varikocelat gjenden shpesh tek meshkujt e testuar për infertilitet, 8 nga 10 meshkuj që kanë varikocelë nuk kanë probleme me fertilitetin.
Diagnoza
Varikocelat diagnostikohen përmes ekzaminimit vetanak të skrotumit ose ekzaminimit rutinë nga mjeku. Ato përshkruhen si “qese krimbash” për shkak pamjes dhe ndjesisë që japin.
Urologët kontrollojnë nëse ka varikocela duke i kërkuar pacientit që të qëndrojë në këmbë. Mund t'ju kërkohet të merrni frymë thellë, të mbani frymën ose të kolliteni ndërsa urologu e ekzaminon skrotumin mbi testikul. Kjo teknikë njihet si “manovra e Valsalvës” dhe e njëjta e lejon urologun të gjejë venat e zgjeruara.
Urologu mund t'ju caktojë një test të skrotumit me anë të ultratingujve. Diagnoza përcaktohet edhe me ndihmën e ekosonografisë së testikujve. Varikocelat në ultratinguj përkufizohen si vena që janë më të gjera se 3 milimetra, në të cilat gjaku rrjedh në anën e kundërt gjatë manovrës së Valsalvës.
Trajtimi
Varikocelat zakonisht nuk trajtohen, ndërsa trajtimi u ofrohet meshkujve që kanë:
- probleme me fertilitetin (problemet me atësinë e një fëmije)
- dhimbje
- rritje më të ngadaltë të testikulit të majtë në krahasim me të djathtin
- analizë jonormale të spermës
Nuk ka barna për të trajtuar ose parandaluar varikocelat.
Kur është e nevojshme, ndërhyrja kirurgjikale është forma kryesore e trajtimit. Embolizimi, nga ana tjetër, është një opsion jo-kirurgjik i trajtimit.
Ndërhyrja kirurgjike
Ka shumë mënyra se si mund të bëhet ndërhyrje kirurgjike në rast të varikocelës. Të gjitha përfshijnë bllokimin e qarkullimit të gjakut në venat e pleksusit pampiniform.
Ndërhyrja kirurgjike bëhet nën anestezi të përgjithshme. Dy qasjet kirurgjike të përdorura më shpesh janë:
Varikocelektomia mikroskopike: me këtë teknikë, kirurgu bën një prerje prej 1 cm mbi skrotumin dhe me anë të mikroskopit, lidh të gjitha venat e vogla dhe kursen kanalin që mbart spermën, arteriet e testikujve dhe kullimin limfatik. Procedura zgjat nga 1 deri në 2 orë dhe pacienti lëshohet nga spitali në të njëjtën ditë.
Varikocelektomia laparoskopike: me këtë teknikë, kirurgu fut tuba të hollë në stomak dhe kryen lidhjen e venave. Meqenëse në stomak ka më pak vena për të lidhur, procedura është më e shkurtër dhe zgjat rreth 30-40 minuta. Pacienti lëshohet nga spitali në të njëjtën ditë.
Ekziston edhe një qasje tjetër, e ashtuquajtura qasje e hapur me modifikime të ndryshme në varësi të prerjes së barkut. Megjithatë, ka studime të shumta që sugjerojnë se kjo qasje është inferiore në krahasim me dy të parat, prandaj përdoret dhe praktikohet më pak.
Rezultatet e trajtimit kirurgjik
Komplikimet pas cilitdo operacion janë të rralla. Disa komplikime të mundshme janë sa vijojnë:
- varikocela e përsëritur ose kthimi i saj
- formimi i lëngut rreth testikulit (hidrocela)
- dëmtimi i arteries së testikulit deri në atrofi
Ekziston një mundësi e vogël që operacioni të mos e rregullojë problemin. Në raste të rralla, dëmtimi i arteries së testikulit mund të çojë në humbjen e testikulit. Vazhdimësia ose përsëritja e varikocelave ndodh te më pak se një nga dhjetë pacientë që i nënshtrohen ndërhyrjes. Kirurgjia mikroskopike ka shkallën ose mundësinë më të ulët të përsëritjes apo të rikthimit të varikocelave. Pacientët u kthehen aktiviteteve normale pas 1 jave nga operacioni, me një dhimbje të lehtë që trajtohet me analgjetikë.
Embolizimi perkutan mund të përmendet si një trajtim jo-kirurgjik për zgjidhjen e problemit me varikocelat dhe kryhet nga një radiolog intervencional. Për të parë burimin e problemit përdoren injeksionet e kontrastit përmes një tubi me udhëzime me rreze X. Qëllimi është gjetja e të gjitha venave që çojnë në varikocelë. Induktorët ose lidhësit me ose pa sklerozant, përdoren për të bllokuar qarkullimin e gjakut në varikocelë në mënyrë që të bëhet skarifikimi i venave. Kryhet ose me anestetikë lokale ose me qetësues të lehtë përmes një vrime shumë të vogël në ijë ose në qafë. Metoda më së shpeshti zgjat nga 45 minuta deri një orë.
Rekomandime pas trajtimit
Shërimi pas operacionit është i shpejtë dhe dhimbja është e lehtë. Duhet të shmangni ushtrimet trupore nga 10 deri në 14 ditë. Shpesh mund të ktheheni në punë 5-7 ditë pas operacionit, duke vazhduar të konsultoheni me urologun për çfarëdolloj problemi. Analiza e spermës bëhet tre deri në katër muaj më vonë.
Rimëkëmbja pas embolizimit është po ashtu relativisht e shkurtër, me një dhimbje të lehtë. Ushtrimet trupore duhet të shmangen nga 7 deri në 10 ditë pas procedurës, kurse në punë mund të ktheheni një deri në dy ditë më vonë. Mundësia e përsëritjes me embolizim është në të njëjtën masë me ndërhyrjen kirurgjike, por ka raste kur embolizimi preferohet më shumë se operacioni.
Cilësia e spermës përmirësohet te rreth 6 nga 10 meshkuj jopjellorë pas ndërhyrjes kirurgjike në varikocelë. Ky trajtim duhet të futet në mesin e opsioneve të tjera për trajtimin e shterpësisë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2020).