Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Lufta e përjetshme me celulitin

June 1, 2021

Kristina Gjorgjeva
dipl. farmacist
Barnatore Vivalek, Shkup

|

јуни 2021

Celuliti, i njohur si sindroma e lëvozhgës së portokallit, është një gjendje ku zonat e depozitave të dhjamit shfaqen mbi lëkurë, duke i dhënë asaj një pamje me gunga dhe gropëzime. Është më mbizotërues në mollaqe dhe kofshë dhe zakonisht paraqitet në pubertet. Megjithëse është i përfaqësuar te të dy gjinitë, janë gratë ato që preken më shumë nga ky problem, kryesisht për shkak se janë më të prirura ndaj depozitimit të yndyrës. Sipas dermatologëve, deri në 90% e grave në botë përballen me këtë problem gjatë gjithë jetës.

Celuliti klasifikohet në 3 faza:

fazën e parë celuliti nuk është i dukshëm në sipërfaqe, por vetëm nën mikroskop. Faza e dytë karakterizohet nga elasticiteti i zvogëluar i lëkurës dhe temperatura më e ulët në zonat ku depozitohet celuliti. Vërehen edhe ndryshime të vogla në lëkurë, si sipërfaqe të palëmuara. Në fazën e tretë, lëkura i ngjan një lëvozhge portokalli me gropëzime dhe celuliti mund të shihet me sy të lirë.

Shkaqet e shfaqjes së celulitit

Arsyet për shfaqjen e celulitit nuk njihen ende mjaftueshëm, por ka disa teori që e shpjegojnë këtë dukuri, edhe atë:

Faktorët hormonalë - hormonet luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e celulitit. Ka shumë që besojnë se estrogjeni, insulina, noradrenalina, hormonet e tiroides dhe prolaktina, janë pjesë e rëndësishme e procesit të formimit të celulitit.

Gjenetika - disa gjene të caktuara janë vendimtare për zhvillimin e celulitit. Gjenet mund të predispozojnë një individ për karakteristika të caktuara që lidhen me celulitin, të tilla si gjinia, raca, metabolizmi i ngadalshëm, shpërndarja e dhjamit nën lëkurë dhe pamjaftueshmëria e qarkullimit të gjakut.

Ushqimi - njerëzit që hanë shumë yndyrë, karbohidrate ose kripë dhe pak fibra, ka të ngjarë të kenë sasi më të mëdha të celulitit.

Mënyra e jetesës si faktor - celuliti mund të jetë më i përhapur në mesin e duhanpirësve, ata që nuk ushtrojnë dhe ata që qëndrojnë ulur ose vetëm në një pozicion për periudha të gjata kohore.

Si ta parandaloni celulitin?

Ka disa mënyra që ndihmojnë për ta hequr ose parandaluar celulitin.

Mënyrat e tjera të parandalimit janë kremrat anti-celulit, pirja e sasive të mjaftueshme të ujit dhe një dietë e shëndetshme.

Dieta e shëndetshme, që nënkupton ushqime të pasura me fibra dhe përqindje të ulët të yndyrave, si perimet dhe frutat, mund t'ju ndihmojnë për të reduktuar celulitin, ashtu si dhe stërvitja e rregullt, që ndihmon në mirëmbajtjen e peshës dhe jua largon stresin. Shumë mjekë estetikë do t'ju thonë se përpjekja e tyre është e kotë, nëse nuk ushtroni rregullisht dhe nuk kujdeseni për dietën tuaj.

Çelësi i çdo gjëje është baraspesha, por edhe zgjedhja e ushqimit të duhur për trupin tuaj. Dhe mbani në mend se për heqjen e celulitit nuk ju ndihmojnë shumë dietat rigoroze!

Mitet dhe të vërtetat rreth celulitit

Ka shumë lloje informacioni që qarkullojnë në mesin e njerëzve në lidhje me këtë temë, disa të vërteta, e disa më pak.

Celuliti shkaktohet nga toksinat në trup - mit!

Sipas hulumtimeve në këtë fushë, shkaku i celulitit janë depozitat e dhjamit. Kur formohen, ato mbivendosen dhe i shtyjnë fibrat e kolagjenit nën lëkurë. Mund të shfaqet gjithashtu si rezultat i sëmundjeve në indin lidhës. Prandaj, nëse dëshironi të blini një produkt për trajtimin e këtij problemi, i cili premton mënjanimin e toksinave për të hequr qafe pamjen e pakëndshme - mendoni dy herë, sepse ka shumë të ngjarë që kjo të jetë vetëm një strategji marketingu.

Ky problem zakonisht ndodh tek gratë që kanë probleme me humbjen e peshës - mit!

Celuliti është i pranishëm te të gjithë, pavarësisht nga ndërtimi i trupit ose shtimi i peshës. Po, është e vërtetë se është më i dukshëm tek njerëzit pak më të shëndoshë, por me këtë problem përballen edhe shumë gra të dobëta, të cilat, për shembull, merren me modelizëm, luajnë sporte dhe hanë ushqim të shëndetshëm.

Me moshën, celuliti është më i zakonshëm - e vërtetë!

Me kalimin e viteve, kjo gjendje mund t'ju krijojë më shumë probleme. Kjo për shkak se trupi fillon të prodhojë më pak estrogjen, i cili është hormoni përgjegjës për mirëmbajtjen e enëve të gjakut. Qarkullimi i gjakut nuk do të jetë më i mirë, kolagjeni do të jetë në një nivel më të ulët dhe indet do të dëmtohen.

Celuliti mund të zhduket nëpërmjet ushtrimeve - mit!

Lëvizja me të vërtetë ndihmon, por nuk e eliminon këtë problem, thjesht e bën më pak të dukshëm dhe e zvogëlon intensitetin e tij. Pse? Sepse muskujt forcohen dhe lëkura bëhet më e tendosur. Pra, është ide e mirë të shkoni në palestër nëse doni të dukeni më mirë dhe të zbusni pamjen e pakëndshme që e jep ky inflamacion.

Gjinia femërore është më e prekur nga prania e celulitit - e vërtetë!

Sipas të dhënave, nga kjo gjendje vuajnë 90% e grave dhe kjo është për shkak se indi lidhës i tyre është më i dobët, duke e bërë më të lehtë depozitimin e dhjamit në kofshë dhe këmbë. Celuliti është gjithashtu i pranishëm tek meshkujt, por në një masë shumë më të vogël. Vetëm 10% e meshkujve përballen me një problem të tillë.

Veshja ndihmon në uljen e celulitit - mit!

Çdo veshje që ju premton një gjë të tillë është vetëm strategji marketingu. Veshja mund t'ju ndihmojë që të tonifikoni muskujt dhe të mos e keni atë efektin e dridhjes kur ecni ose ushtroni, por nuk ka ndonjë mrekulli për ta hequr celulitin aq thjesht.

Ka zgjidhje që e heqin qafe përgjithmonë celulitin - mit!

Pa marrë parasysh nëse përdorni një kozmetikë të caktuar, pilula ose ndërhyrje, ky inflamacion nuk mund të zhduket përgjithmonë. Po, ka kremra që zvogëlojnë efektet e celulitit, përmes sportit mund të tonifikoni muskujt, ndërsa përmes ndërhyrjeve të ndryshme mund të shijoni një periudhë pa celulit. Por e gjithë kjo është afatshkurtër.

Ka ndërhyrje të famshme me laser, që kushtojnë para të majme dhe promovohen me të madhe, sidomos në rrjetet sociale, të cilat japin efekte shumë më të mira se ato që arrihen nga metoda të tjera, por jo në afat të gjatë.

Procedura e famshme "Cellulaza", e cila u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave në vitin 2012 dhe e shkrin dhjamin përmes laserit, është një ndërhyrje që nuk krijon shumë siklet dhe lejon shërim të shpejtë, por edhe në këtë rast, mund t'ju duhet të paguani mbi 3500 dollarë për secilën këmbë dhe rezultatet të zbehen për jo më shumë se dy vjet.

Celuliti mund të trashëgohet gjenetikisht - e vërtetë!

Rreziku i zhvillimit të celulitit është edhe më i madh nëse dikush tjetër në familje, si për shembull nëna apo gjyshja, ka ose ka patur probleme të tilla. Ka edhe teste që mund t'ju tregojnë qartë nëse rasti juaj është trashëgimi gjenetike. Por në fund të fundit, duke pasur parasysh përqindjen shumë të lartë të grave që e kanë këtë problem, mund të mos ia vlejë të shpenzoni para për një gjë të tillë.

Pirja e duhanit nuk është e lidhur me celulitin - mit!

Njerëzit që pinë duhan kanë probleme me kolagjenin, sepse kjo shprehi ndikon në enët e gjakut, duke i dobësuar dhe dëmtuar ato. Kështu, rreziku i celulitit serioz rritet dhe zvogëlimi i tij do të jetë i vështirë.

Dieta ndikon te celuliti - e vërtetë!

Me sa duket, menyja e ekuilibruar do t'ju ndihmojë në luftën kundër celulitit, por duhet të shoqërohet nga një sasi e mjaftueshme e lëngjeve dhe ushqimit të shëndetshëm.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8-9 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>