|
Milçe Xhonova - MSc në farmaci
BARNATORE BIO-LEK, SHTIP
Me sistem imunitar nënkuptohet ndërveprimi kompleks i qelizave dhe organeve të caktuara që mbrojnë trupin nga ndikimet e dëmshme dhe radikalet e lira, duke synuar shkatërrimin e baktereve dhe viruseve që shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Funksionimi i tij i rregullt është një nga komponentët më të rëndësishëm për të qenë të shëndetshëm. Ndodh që imuniteti të dobësohet për arsye të ndryshme, gjë që i bën njerëzit më të prirur ndaj sëmundjeve. E gjithë kjo mund të shmanget me rregullimin e dietës dhe marrjen e shtesave ushqimore.
Vitaminat dhe mineralet janë shtesa shumë të rëndësishme ushqimore, të domosdoshme për një jetë të përditshme të ekuilibruar. Nëse për shkak të dietave dhe ritmit ditor nuk merren mjaftueshëm vitamina nëpërmjet ushqimit, ato duhet të zëvendësohen me shtesa ushqimore. Këto shtesa mund të forcojnë organizmin dhe sistemin e tij mbrojtës. Zgjedhja e drejtë e shtesave ushqimore gjatë verës është po ashtu e rëndësishme.
Vitamina C është e rëndësishme për sistemin imunitar dhe marrja e përditshme e saj mbron nga infeksionet dhe mund të ndihmojë trupin të mësohet më shpejt me temperaturat e larta gjatë verës.
Vitamina A është e rëndësishme në verë, pasi është një antioksidant që ndihmon trupin të shërohet nga dëmtimi i rrezeve të diellit në lëkurë.
Vitamina E është një antioksidant që lufton radikalet e lira në trup dhe alergjitë sezonale.
Vitamina D është e rëndësishme për imunitetin, por gjatë verës duhet të keni kujdes me shtesat e vitaminës D, meqenëse e marrim edhe përmes diellit.
Vitamina B6 është gjithashtu e rëndësishme për sistemin imunitar, në luftën kundër baktereve dhe viruseve dhe së bashku me vitaminat e tjera të grupit B, është e domosdoshme të merret çdo ditë.
Zinku është mineral që përmirëson sistemin imunitar dhe shërben për të mbrojtur qelizat nga stresi oksidativ.
Magnezi është mineral i rëndësishëm për një sërë funksionesh, si rregullimi i gjumit, përmirësimi i punës së trurit dhe sistemit nervor dhe parandalimi i proceseve inflamatore. Mungesa e tij çon në dobësim të sistemit imunitar.
Hidratimi i duhur i trupit është jashtë mase i rëndësishëm gjatë gjithë vitit, por gjatë verës është i qenësishëm. Nevoja për marrjen e ujit dhe elektroliteve rritet ndjeshëm gjatë verës, për shkak të temperaturave më të larta dhe djersitjes së shtuar të trupit. Nëse nuk konsumohet aq sa duhet mund të vijë deri te dehidratimi i organizmit. Në rast të dehidratimit, përveç ujit, trupi humbet një sasi të madhe të elektroliteve, veçanërisht natrium dhe kalium, të cilat janë thelbësore për mbajtjen e baraspeshës acido-bazike dhe funksionimin e muskujve dhe nervave. Edhe ndryshimet më të vogla në përqendrimin e elektroliteve në gjak mund të shkaktojnë çrregullime të konsiderueshme biokimike, që mund të përkeqësojnë shëndetin e një personi, prandaj është e rëndësishme që elektrolitet të rimbushen shpejt dhe me efikasitet, për të parandaluar çekuilibrimin e mundshëm. Përdorimi i tyre është veçanërisht i rëndësishëm në rast të diarresë, pafuqisë, humbjes së energjisë, dhembjes së kokës, tharjes së gojës, rritjes së ekspozimit në diell dhe temperatura të larta. Marrja e tyre është me rëndësi kyçe për atletët me aktivitet të lartë fizik. Tretësirat për rehidratim përmes gojës përmbajnë natrium, kalium, bikarbonat, magnez, kalcium dhe glukozë. Ordinimi i tyre është po ashtu shumë i rëndësishëm. Pluhuri tretet në ujë sipas udhëzimeve dhe pihet gllënjkë pas gllënjke brenda disa orëve.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).