Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Ndikimi i dhimbjes në jetën e pacientëve

November 1, 2021

dr. Biljana Kalçovska
Specialiste e mjekësisë fizikale dhe rehabilitimit
në IPSH Klinika Universitare e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit
"Presveta Bogorodica", Shkup

|



Dhimbja është një përvojë e pakëndshme shqisore dhe emocionale e lidhur me një dëmtim ekzistues ose të mundshëm të një pjese të trupit. Dhimbja është simptoma më e zakonshme e një sëmundjeje ose dëmtimi. Shfaqet për shkak të dëmtimit të indeve dhe në thelb është një reagim mbrojtës i trupit nga dëmtimet e mëtejshme. Intensiteti i dhimbjes nuk lidhet gjithmonë me shkallën e dëmtimit të indeve, sepse dhimbja nuk është vetëm fizike, por edhe një proces mendor me pasoja të gjera te njerëzit.

Dhimbja është një përgjigje biokimike, fizike dhe psikologjike ndaj një stimuli mekanik, kimik ose termik mbi pragun e receptorëve të dhimbjes. Ajo është subjektive dhe ndikon te pacienti, por ndikon edhe në rrethin e tij më të ngushtë dhe më të gjerë dhe sigurisht që ndikon në pjesëmarrjen e tij në aktivitetet e përditshme profesionale dhe shoqërore.

Dhimbja është arsyeja më e zakonshme për marrjen e ilaçeve dhe kërkimin e ndihmës nga profesionistët e shëndetit. Dhimbja akute është arsyeja më e zakonshme për të kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa dhimbja kronike është shkaku më i zakonshëm i paaftësisë funksionale afatgjatë. Trajtimi i suksesshëm i dhimbjes akute parandalon kalimin në dhimbje kronike.

Është shumë e rëndësishme që pacienti të përshkruajë dhimbjen e tij në mënyrën e duhur. Një gjë e tillë çon gjithashtu në përcaktimin e trajtimit të duhur për një lloj të veçantë dhimbjeje. Dhimbja mund të përshkruhet në mënyra të ndryshme, të tilla si djegie, pickim, pulsim, shtrëngim e të ngjashme. Vetëm fjala e pacientit se "ka dhimbje" nuk mjafton që mjeku të marrë informacion në lidhje me llojin e dhimbjes me të cilën përballet ai. Prandaj, është gjithmonë e nevojshme që pacienti të përshkruajë saktë dhe në detaje ekzistencën e dhimbjes, gjegjësisht, sa kohë zgjat, nëse intensifikohet gjatë kryerjes së një aktiviteti, nëse zvogëlohet me përdorimin e një analgjetiku, cilat pozicione të trupit çojnë në uljen e intensitetit të saj etj. E gjithë kjo lehtëson rrugën drejt trajtimit të duhur.

Dhimbja ndahet sipas patofiziologjisë së dhimbjeve neuropatike dhe nociceptive, si dhe një kombinimi të dhimbjeve neuropatike dhe nociceptive. Dhimbja neuropatike është një lloj dhimbjeje e shkaktuar nga problemi me një ose më shumë nerva. Funksioni i nervit është (gjithashtu) të dërgojë mesazhe të dhimbjes në tru dhe për këtë arsye, dhimbja neuropatike shpesh përshkruhet nga pacientët si një ndjesi djegieje, ndjesi shpimi gjilpërash, pulsimi etj. Ekzistojnë shkaqe të ndryshme për këtë lloj dhimbjeje, si herpesi zoster (neuralgjia postherpetike), neuropatia diabetike, dhimbja fantazmë e gjymtyrës pas heqjes kirurgjikale (amputimit) të saj, skleroza e shumëfishtë, dhimbja pas kimioterapisë, alkoolizmi dhe çrregullime të ndryshme të tjera nervore.

Dhimbje nociceptive është termi për dhimbjen që zbulohet nga nervat shqisore të specializuara të quajtura nociceptorë. Këto nerva janë të vendosura në indet e buta dhe organet e brendshme. Dhimbja nociceptive është e ndryshme nga dhimbja neuropatike, e cila shkaktohet nga dëmtimi i nervave. Më tej, dhimbja nociceptive ndahet në dhimbje viscerale me origjinë nga organet e brendshme dhe dhimbje somatike me origjinë nga nyjat, kockat, muskujt dhe indet e tjera të buta.

Dhimbja psikogjene shoqërohet me pjesë të shumta të sistemit nervor qendror. Ajo shkakton një ndjenjë të pakëndshme, e cila nuk është pasojë e dëmtimit të dukshëm të indeve dhe nuk është manifestim i një stimuli të jashtëm. Ky lloj dhimbjeje, në shumicën e rasteve, është rezistent ndaj terapisë konvencionale me analgjetikë, prandaj trajtimi i saj kërkon vlerësim dhe trajtim psikiatrik.

Sipas kohëzgjatjes, dhimbja ndahet në dhimbje akute, subakute dhe kronike. Dhimbja akute shfaqet në një periudhë të shkurtër kohore, zakonisht disa orë, dhe zgjat deri në një muaj. Ajo është simptomë e një gjendjeje ose sëmundjeje. Intensiteti i saj lidhet me gjendjen ose sëmundjen dhe mund të diagnostikohet dhe trajtohet. Dhimbja subakute zgjat nga 6 deri në 12 javë. Zakonisht është hyrje në dhimbjen kronike dhe kërkon një analizë më të detajuar të shkakut.

Dhimbja kronike zgjat më shumë se 3 muaj. Paraqet një sëmundje në vetvete dhe intensiteti i saj është individual dhe nuk lidhet me gjendjen ose sëmundjen. Dhimbja kronike është një sfidë për t'u trajtuar si duhet. Sipas intensitetit, dhimbja ndahet në e dobët, mesatare dhe e fortë. Përcaktimi i intensitetit të dhimbjes është një metodë subjektive dhe për këtë qëllim përdoret e ashtuquajtura shkallë analoge vizuale, e përbërë nga një vijë e drejtë nga 0 deri në 100 mm, ashtu që pika e fillimit të vijës nënkupton mungesën e dhimbjes, ndërsa fundi përfaqëson një dhimbje shumë të fortë ose të padurueshme.

Në këtë lloj shkalle të dhimbjes, matjet bëhen duke vizatuar një vijë 100 mm të gjatë. Pacientit i kërkohet të shënojë vijën për të përshkruar pozicionin e dhimbjes. Mjeku mat pastaj largesën midis pikës së fillimit të vijës dhe shenjës së dhënë nga pacienti. Sa më e shkurtër të jetë largesa, aq më e lehtë është dhimbja. Nga ana tjetër, nëse largesa është më e madhe, atëherë dhimbja e ndierë është mjaft e fortë.

Përveç shkallës analoge vizuale, shpesh përdoret edhe shkalla numerike e dhimbjes, e përbërë nga një varg me numra nga 0 në 10. Mjeku i kërkon pacientit të zgjedhë një numër sipas pragut të vet të dhimbjes, që do të thotë: numri 0 – nuk ka dhimbje, numrat 1 - 3 dhimbje e lehtë, numrat 4 - 6 dhimbje mesatare dhe numrat 7 - 10 tregojnë dhimbje të rëndë.

Shprehja e intensitetit të dhimbjes është individuale ose subjektive, që do të thotë se nëse për një pacient dhimbja është e lehtë deri në mesatare, për dikë tjetër do të thotë mesatare deri në e fortë. Prandaj është gjithmonë e nevojshme që të ketë një qasje të individualizuar në vërejtjen, përcaktimin dhe trajtimin e dhimbjes te secili pacient veç e veç.

Shoqata Ndërkombëtare për Studimin e Dhimbjes e ka shpallur vitin 2020 si vitin e parandalimit të dhimbjes. Ajo që mund të përmblidhet si rekomandim nga kjo shoqatë është: mbajtja e një stili jetese të shëndetshme, gjë që ka ndikim të fortë në parandalimin e dhimbjeve kronike, mbajtja e një peshe normale të trupit dhe ngrënia e një diete të shëndetshme, aktiviteti i rregullt fizik, mënjanimi i zakoneve jo të shëndetshme, si alkooli i tepërt dhe pirja e duhanit, puna dhe pushimi në pozicionin e drejtë të trupit, menaxhimi i stresit dhe kështu zvogëlimi i burimeve të stresit të panevojshëm kurdo që të jetë e mundur. Sa herë që është e nevojshme duhet të kërkohet këshillë ose terapi psikologjike apo e sjelljes (behavioral therapy).

Në trajtimin e dhimbjes, megjithatë, vendin kryesor e zënë mjekët, natyrisht kryesisht ata familjarë, dhe më pas specialistët e duhur nga specialitete të ndryshme, të cilët duhet të kenë një qasje të individualizuar ndaj pacientit dhe të përqendrohen në trajtimin multimodal, me qëllim që të parandalohet kalimi nga dhimbja akute në kronike.

Trajtimi është farmakologjik, i cili ende zë vendin e parë dhe të padiskutueshëm në trajtimin e dhimbjeve. Përveç trajtimit farmakologjik, ekziston edhe e ashtuquajtura qasje jofarmakologjike, e përbërë nga aplikimi i procedurave fizike dhe rehabilituese, aktiviteti fizik dhe mbështetja psikologjike. Është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm dhe fillimi në kohë i trajtimit të dhimbjes akute. Fillimi i parakohshëm si dhe trajtimi joadekuat i dhimbjes akute çon në zhvillimin gradual të dhimbjes kronike.

Një nga format më të shpeshta të dhimbjes kronike është dhimbja e fundshpinës. Sindroma e dhimbjes së mesit është një grup simptomash të etiologjive të ndryshme që shfaqen si dhimbje në pjesën lumbare ose lumbosakrale të shtyllës kurrizore, me ose pa përhapje në gjymtyrët e poshtme. Shkaku më i zakonshëm janë ndryshimet degjenerative të nyjave ndërunazore në pjesën lumbosakrale të shtyllës kurrizore. Është vlerësuar se 9.2% e popullsisë së botës vuan nga dhimbja e fundshpinës dhe mesatarisht 70% e popullsisë në vendet e zhvilluara kanë dhimbje të mesit. Sipas studimeve, te 10% e pacientëve që kanë pasur dhimbje akute të mesit, ajo është bërë kronike, dhe këta pacientë shpenzojnë 80% të parave nga fondet dhe kompanitë e sigurimeve që janë të parapara për sëmundjet e pjesës lumbare të shtyllës kurrizore. Ky lloj dhimbjeje është shkaku më i zakonshëm i mungesave nga puna.

Dhimbja e mesit shfaqet më së shpeshti në periudhën më riprodhuese të jetës njerëzore, midis moshës 25-64 vjeç, por më shpesh pas moshës 40 vjeç dhe është njëtrajtësisht e përfaqësuar në të dy gjinitë. Dhimbja kronike e mesit është zakonisht e përhapur dhe e topitur. Ajo ndodh kur qëndroni për një kohë të gjatë në këmbë, ulur, shtrirë dhe ecni, dhe tërhiqet pas aktivitetit të lehtë fizik, por dhimbja intensifikohet gjatë aktivitetit të rëndë fizik. Qëllimi i trajtimit të dhimbjes kronike të mesit përbëhet nga zvogëlimi ose mënjanimi i dhimbjes, ngadalësimi i proceseve të mëtejshme patologjike, ruajtja e lëvizshmërisë optimale në nyje dhe shpinë, rivendosja e nivelit më të lartë funksional të pacientit, parandalimi i zhvillimit të kontrakturave dhe deformimeve, parandalimi i zhvillimit të dhimbjes kronike dhe paaftësisë dhe natyrish,  përmirësimi i cilësisë së jetës së pacientëve.

Ka një gamë të gjerë ilaçesh për trajtimin e dhimbjes kronike, ku përparësia u takon ilaçeve anti-inflamatore josteroide (NSAID). Për të arritur rezultatin optimal në zgjedhjen e ilaçit, duhet të respektohen doza dhe mënyra e administrimit, qasja individuale, duhet vlerësuar rreziku i përdorimit të ilaçeve anti-inflamatore josteroide dhe duhet vlerësuar rreziku i përdorimit të këtyre ilaçeve te pacientët me sëmundje të tjera kronike. Në prani të dhimbjes kronike të mesit, është i rëndësishëm përdorimi i një ilaçi anti-inflamator josteroid pluhur, i cili ka fillim të shpejtë të veprimit, efikasitet dhe tolerancë të mirë dhe mund të përdoret për një kohë të gjatë, me gjasa minimale për efekte anësore.

Sigurisht, gjëja më e rëndësishme është që gjithmonë të keni sukses në parandalimin e shfaqjes së dhimbjes kronike me një dietë të duhur, aktivitet fizik të rregullt, ushtrime për forcimin e muskujve paravertebral, abdominal dhe gluteal, pozicione të drejta të trupit, ulje të niveleve të stresit dhe natyrisht, duke aplikuar analgjetikun më të përshtatshëm.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-16 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>