Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

A është kanceri më i zakonshëm në popullatën e moshuar?

July 1, 2021

Dr.med.sci. Maja Milovançeva-Popovska
Interniste-nefrologe
IPSH Promedika Medikal Centar

|



Jetëgjatësia dhe përqindja e popullsisë që arrin pleqërinë është rritur në mënyrë dramatike gjatë shekullit të kaluar. Nëse në të kaluarën njerëzit jetonin 47 vjet, tani jetojnë shumë më gjatë. Plakja e popullatës dhe zgjatja e jetëgjatësisë kanë kontribuar në ndryshimin e qëndrimeve për atë që është shëndet dhe çfarë është sëmundje.

Me rritjen e numrit të të rriturve që e arrijnë moshën e vjetër, po rritet edhe numri i rasteve të reja të kancerit. Kanceri mund të quhet si sëmundje e lidhur me moshën, sepse incidenca e shumicës së kancereve rritet me rritjen e moshës, duke filluar nga mosha e mesme. Shkalla e kancerit është më e lartë në moshën 64-65 vjeç, ndërsa 60% e njerëzve që kanë kancer (mushkëri, gji, zorrë të trashë, prostatë) janë 65 vjeç e lart. Për këtë arsye, kanceri quhet sëmundje e moshës më të vjetër, por kjo nuk do të thotë që patjetër do të sëmureni me kancer ndërsa plakeni.

Zhvillimi i kancerit është një proces kompleks që ndodh për shumë vite. Me kalimin e kohës, qelizat e trupit dëmtohen. Një gjë e tillë mund të ndodhë rastësisht ose të shkaktohet nga diçka si pirja e duhanit ose rrezatimi ultravjollcë nga dielli. Ndonjëherë trupi mund ta ndreqë vetvetiu dëmin, por ndërsa plakemi, ka më shumë kohë që ky dëm të grumbullohet dhe të bëjë që qelizat të rriten dhe të shumohen më shumë se zakonisht, duke shkaktuar kancer.

Plakja dhe kanceri kanë disa veçori të përbashkëta. Kalimi nga qelizat normale në ato kancerogjene është një proces multifaktorial, i cili përfshin grumbullimin e dëmtimeve dhe mutacioneve që ndodhin me kalimin e kohës, së bashku me prishjen e sistemeve të ndreqjes dhe rregullimit të rritjes së qelizave. Studimet tregojnë se ndryshimet e lidhura me moshën në mikromjedisin qelizor (rritje e inflamacionit, ulje e funksionit imunitar), çojnë në mutacione që e mbështesin shumimin dhe përhapjen e qelizave të ndryshuara. Faktorë të ndryshëm të rrezikut mund të ndikojnë në pika të ndryshme në procesin e transformimit dhe të përshpejtojnë dëmin, si tymi i cigares, infeksionet virale, faktorët e rrezikut nga mjedisi ose vendi i punës, ekspozimi ndaj agjentëve kimikë dhe fizikë etj.

Proceset biologjike të plakjes janë misterioze dhe të ndryshueshme. Megjithatë, plakja në vete është një proces i përcaktuar gjenetikisht dhe pjesë të këtij procesi nuk mund të ndryshohen, ndonëse procesi mund të modifikohet, duke shmangur faktorët të cilët ndikojnë në mekanizmat biologjike që e përshpejtojnë procesin e plakjes. Me këtë do të vonohej edhe shfaqja e kancerit.

Mosha e mesme, në mënyrë arbitrare mosha 45-64 vjeç, është periudhë kur ekziston një rrezik i lartë i kancerit dhe incidenca për shumë lloje të kancerit fillon të rritet. Por, ashtu siç është kohë e ndjeshmërisë së rritur ndaj kancerit, mosha e mesme është edhe kohë e parandalimit të kancerit.

Pirja e duhanit, cigares, puros ose llullës, rrit ndjeshëm rrezikun e shfaqjes së kancerit të mushkërive, kancerit të gojës, fytit dhe ezofagut. Për këtë shkak, duhanpirësit nxiten të lënë cigaren në cilëndo periudhë të jetës.

Konsumi i tepërt i alkoolit ndikon në zhvillimin e kancerit të gojës, fytit, telave të zërit, ezofagut, mëlçisë, pankreasit dhe gjirit. Kjo mendohet të jetë për shkak të dëmtimit të ADN-së, krijimit të specieve reaktive të oksigjenit, inflamacionit kronik, mungesës së folateve dhe lëndëve të tjera ushqyese, si dhe niveleve të rritura të estrogjenit. Kombinimi i konsumit të tepërt të pijeve të forta alkoolike dhe pirjes së duhanit është veçanërisht i dëmshëm.

Diabeti i tipit 2 lidhet me një rrezik në rritje të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë, gjirit (pas menopauzës) dhe pankreasit. Diabeti përshpejton plakjen biologjike. Parandalimi dhe trajtimi i diabetit të moshës së mesme zvogëlon rrezikun e disa kancereve më vonë në jetë.

Pesha e tepërt e trupit lidhet me një rrezik në rritje të shumë llojeve të kancerit përmes mekanizmave të shumtë biologjikë: ezofagut, fshikëzës së tëmthit, pankreasit, zorrës së trashë dhe rektumit, veshkave, gjëndrës tiroide, gjirit dhe mitrës. Indi dhjamor visceral prodhon citokina, substanca të cilat krijojnë inflamacion kronik dhe nxisin rritjen e kancerit.

Shtimi i peshës lidhet gjithashtu me sindromën metabolike, e cila është dy herë më e zakonshme tek të rriturit e moshës së mesme sesa tek të rriturit e rinj. Nga ana tjetër, sindroma metabolike lidhet me një rrezik në rritje të kancerit, prandaj parandalimi i sindromës metabolike (ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik) zvogëlon rrezikun e kancerit.

Ekspozimi ndaj rrezatimit lidhet veçanërisht me një rrezik në rritje të kancerit tek njerëzit e moshës së mesme. Për shumicën e të rriturve, ekspozimi më i madh ndaj rrezatimit jonizues është në ekzaminimet mjekësore.

Ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë në moshën e mesme rrit ndjeshmërinë ndaj kancerit. Djegia nga rrezet e diellit rrit rrezikun e melanomës së lëkurës.

Infeksioni kronik i hepatitit C lidhet me një rrezik në rritje të kancerit të mëlçisë.

Infeksioni HIV, për shkak të mosfunksionimit të imunitetit, lidhet me një rrezik në rritje të kancerit anal, limfomës Hodgkin dhe kancerit të mëlçisë. HPV-ja onkogjene lidhet me kancerin e qafës së mitrës, kancerin e vulvës, të vagjinës, penisit, anusit dhe orofaringut.

Kancerogjenët mjedisorë, si azbesti, benzeni, formaldehidi, radoni dhe rrezatimi ultravjollcë, janë shumë të zakonshëm dhe gjenden në mjedis, në produktet e konsumit të gjerë ose në vendin e punës.

Të gjithë së bashku - faktorët personalë, faktorët e mjedisit dhe kushtet e vendit të punës, komunikojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin në rritjen e rrezikut të kancerit.

Kanceri tek të moshuarit tregon rritje më të ngadaltë, meqenëse trupi ka një ritëm më të ngadaltë të rritjes së qelizave sesa tek të rinjtë. Mirëpo të moshuarit me kancer kanë prognozë më të keqe, për shkak të diagnozës së vonuar. Diagnostikimi i kancerit shpesh pengohet nga frika dhe fshehja, ndërsa fazat e fundit janë të dhimbshme dhe plot vuajtje, personale dhe familjare. Për më tepër, informacioni i ri e ka më të vështirë të arrijë tek njerëzit e moshuar, të cilët shpesh ia mveshin moshës ndryshimet që i vërejnë. Shpeshherë, edhe të afërmit, miqtë, madje edhe profesionistët mjekësorë e kanë të njëjtin qëndrim.

Reagimi ndaj kancerit lidhet me shumë aspekte personale, kulturën, arsimin, familjen dhe shoqërinë, prandaj njerëzit e moshuar kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me shkaqet dhe trajtimin e kancerit. Disa besojnë se kanceri është sëmundje ngjitëse, ndërsa të tjerët mendojnë se është dënim për njerëzit që kanë bërë diçka të gabuar. Njerëzit e moshuar mund të kenë njohuri më të ulëta shëndetësore dhe vetëm disa janë të vetëdijshëm për rrezikun e lartë të kancerit. Ata mendojnë se në moshën e tyre nuk vlen asgjë, as diagnoza e hershme e as trajtimi dhe është më e vështirë t'i bindësh të thërrasin një mjek kur ndiejnë vështirësi dhe shqetësime.

Për shumë njerëz, kanceri simbolizon fundin e jetës, ndaj reagimet më të zakonshme psikologjike janë ankthi dhe depresioni. Përveç kësaj, diagnostikimi i kancerit sjell me vete një ndjenjë të vetmisë, pafuqisë, dobësisë, shqetësimit fizik dhe mendimin se e ardhmja nuk ekziston. Ballafaqimi me ndihmën e fesë është një përparësi e rëndësishme psikologjike për të moshuarit që besojnë në Zot.

Njerëzit e moshuar kanë gjendje fizike që i bëjnë ata më të ndjeshëm dhe terapia e kancerit mund të mos jetë e nevojshme. Disa terapi mund të jenë katastrofike dhe të ndikojnë seriozisht në cilësinë e jetës së tyre. Ata mendojnë se terapia është po aq e keqe sa vetë sëmundja dhe se nuk do t’i mbijetojnë asaj. Kjo frikë nga efektet anësore të terapisë i parandalon të moshuarit që të marrin masa për diagnostikim të hershëm.

Ndërsa plakemi, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për trupin tonë dhe të dimë se çfarë është normale për ne, sepse diagnostikimi me kancer në një fazë të hershme ndikon në mbijetesën e tij. Megjithatë, provat sugjerojnë se kanceri nuk ka pse të jetë pasojë e pashmangshme e plakjes. Mbajtja e një ambienti të shëndetshëm, sjellja e shëndetshme dhe përballimi më i suksesshëm i sëmundjeve kronike ndihmojnë për një kalim më të shëndetshëm nga mosha e mesme në atë të vjetër.

Njerëzit e moshuar dinë më shumë për efektet e dëmshme të pirjes së duhanit dhe ekspozimit të tepërt në diell, pirjes së alkoolit dhe dietës jo të shëndetshme si faktorë rreziku. Disa prej tyre e dinë dhe besojnë se kanceri mund të parandalohet duke bërë një jetë më të shëndetshme, që ndihmon në zvogëlimin e gjasave të shfaqjes së kancerit.

Asnjëherë nuk është vonë për të bërë një ndryshim dhe për ta parandaluar atë. Megjithëse disa modele të plakjes nuk mund të ndryshohen, faktorët që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve kronike, përfshirë kancerin, mund të ndryshohen për të pasur një plakje më të shëndetshme. Këto janë ndërprerja e pirjes së duhanit, pirja e sasive më të vogla të alkoolit, mbajtja e një peshe të shëndetshme, gjumi më cilësor, një dietë e shëndetshme e pasur me perime dhe fruta dhe më pak mish të kuq, rrezitja e sigurt, më shumë aktivitet fizik etj.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>