Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

A është dashuria art dhe si është dashuria midis partnerëve

June 1, 2021

Prof. dr. Slagjana Angelkoska
psikologe

|



A është dashuria art, i cili kërkon njohuri dhe punë? Apo është një ndjenjë e këndshme, e cila është rezultat i rastësisë së thjeshtë, diçka që mund të na ndodhë nëse jemi me fat?

Shumë njerëz e perceptojnë problemin e dashurisë si një problem i të qenit i dashur nga dikush dhe jo si një problem i aftësisë për të dashur dikë. Ndaj për të arritur që t’i duan, djemtë dhe vajzat marrin drejtime të ndryshme. Një mjet që përdoret kryesisht nga djemtë është të qenit të suksesshëm, të fuqishëm dhe të pasur, aq sa lejojnë kufijtë e pozitës së tyre shoqërore. Nga ana tjetër, vajzat përpiqen të jenë më tërheqëse, me trup të pastër dhe rroba të zgjedhura mirë.

Mënyrat e tjera për të arritur cilësinë e të qenit tërheqës, të cilat përdoren në mënyrë të barabartë si nga djemtë ashtu edhe nga vajzat, përbëhen nga përvetësimi i sjelljeve të mira, zhvillimi i aftësive komunikuese, modestia, dashamirësia, gatishmëria për të ndihmuar etj. Nga kjo mund të nënkuptojmë se, ajo që për shumë njerëz në kulturën tonë do të thotë të jesh i denjë për dashuri, është në thelb përzierje e “të qenit popullor” dhe “të qenit joshës”.

Dashuria është marrëdhënia më përmbushëse dhe më e zjarrtë nga të gjitha të tjerat, sepse përmban në vete tiparet më të mira nga të gjitha llojet e marrëdhënieve, si respektin, adhurimin, miqësinë, afërsinë, ngazëllimin dhe mbi të gjitha, ka elegancën dhe magnetizmin e vet. Dashuria nuk është kryesisht raport ndaj një personi; ajo është një qëndrim, një orientim karakteri, që e përcakton raportin e njeriut ndaj botës në tërësi dhe jo vetëm ndaj një objekti dashurie.

Nëse njeriu dashuron vetëm një person dhe nuk i bëhet vonë për të afërmit e vet, ajo nuk është dashuri, por është lidhshmëri simbolike ose egoizëm i rritur. Megjithatë, një numër i madh njerëzish besojnë se dashuria krijohet nëpërmjet objekteve dhe jo nëpërmjet aftësisë. Ata besojnë se prova e dashurisë së tyre është se nuk e duan askënd tjetër, përveç “personit të dashur” të tyre. Ky qëndrim mund të krahasohet me qëndrimin e një njeriu, të cilit i pëlqen të vizatojë, por në vend që të mësojë të vizatojë, ai thotë se është duke e kërkuar objektin e duhur dhe kur ta gjejë, do ta vizatojë shumë bukur. Nëse vërtet duam një person, atëherë dimë të duam të gjithë njerëzit, botën, jetën...

Ka lloje të ndryshme të dashurisë, si dashuria vëllazërore, dashuria prindërore, dashuria për zotin, dashuria për partnerin. Kjo e fundit është e ndryshme nga të gjitha format e tjera të dashurisë. Ajo është një dëshirë për bashkim të plotë me një person tjetër. Është e veçantë, jo universale.

Kjo dashuri shpesh ngatërrohet me një përvojë shpërthyese të “rënies në dashuri”, asaj thyerje të papritur të barrierave që ekzistonin midis dy njerëzve, të cilët nuk e kishin njohur njëri-tjetrin deri në atë moment. Kjo rënie shpërthyese në dashuri është jetëshkurtër nga natyra, sepse thyerja e shpejtë e barrierave çon në njohje thjesht sipërfaqësore midis dy njerëzve, të cilët deri në atë moment nuk e kishin njohur njëri-tjetrin. Kur njihen më thellë me personin tjetër, kur arrijnë të shijojnë pafundësinë e personalitetit të tjetrit, ata zbulojnë diçka të re me të cilën lidhen më shumë, në mënyrë që përfundimisht të krijohet një lidhje fizike.

Kur bëhet fjalë për dashurinë midis partnerëve, ideja e dashurisë barasvlerësohet me dëshirën seksuale dhe lehtë arrihet në përfundimin e gabuar se ka dashuri të ndërsjellë vetëm atëherë kur partnerët e dëshirojnë fizikisht njëri-tjetrin. Dashuria mund të shkaktojë dëshirë për bashkim seksual dhe dëshira për të bërë për vete është e mbushur me butësi. Tërheqja seksuale krijon për një moment një iluzion të njësimit, por dashuria në thelb duhet të jetë akt i dëshirës, një vendim për t'ia kushtuar jetën në maksimum një personi tjetër.

Dashuria duhet të jetë rezultat i reagimeve spontane emocionale, ndjenjave që na kaplojnë papritmas dhe të cilave nuk mund t'u rezistojmë. Në atë dritë, te personi tjetër shihen vetëm veçantitë. Të duash një person nuk është vetëm një ndjenjë e fortë - është vendim, gjykim, premtim.

Nëse të gjithë njerëzit janë të njëjtë, të gjithë do ishin në gjendje të donin njësoj. Mirëpo pangjashmëria jonë si individë, çon në një mënyrë të ndryshme të të dashurit dhe të shprehurit të dashurisë, ndërsa dashuria midis partnerëve kërkon një specifikë të caktuar, shumë elemente të veçanta që çojnë në një tërheqje individuale, diçka të thjeshtë në lidhje me dy persona të veçantë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>