Merita Alili
Kryqi i Kuq - Gostivar
|
Dhurimi i gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut bazohet në parimet e vullnetit të lirë, anonimitetit, mirësisë dhe solidaritetit. Vetëm parime të tilla sigurojnë gjak dhe produkte më të besueshme të gjakut. Me vetë dhurimin e gjakut, dhuruesi i gjakut shpreh shkallën më të lartë të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për të, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, ngjyra dhe përkatësia kombëtare apo fetare.
Dhurimi vullnetar i gjakut pasqyron vlera të larta etike, njerëzore dhe morale. Të dhurojmë gjak për t'ia shpëtuar jetën dikujt. Dhurimi vullnetar i gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka një qëllim të vetëm, i cili është të motivojë sa më shumë njerëz që të dhurojnë gjak vullnetarisht, për të mbledhur sasinë e nevojshme të gjakut dhe produkteve të gjakut për trajtimin e të sëmurëve dhe të plagosurve. Dhurimi i gjakut zhvillon cilësitë e njerëzisë dhe solidaritetit midis qytetarëve, kurse veçanërisht tek të rinjtë, kontribuon në ngritjen e nivelit të kulturës shëndetësore dhe vetëdijes publike. Për këto arsye, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut - Organizata Komunale Gostivar beson se motivimi i popullatës për dhurim vullnetar të gjakut është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ndërtimin e një qëndrimi pozitiv ndaj dhurimit të gjakut.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut - Organizata Komunale Gostivar, në koordinim me Kryqin e Kuq të RMV-së, Institutin e Mjekësisë Transfuzive të RMV-së dhe Kabinetin e Mjekësisë Transfuzive të Gostivarit, realizon aksione për dhurimin e gjakut (përmbushjen e programit vjetor të dhurimit të gjakut). Qëllimi i këtij programi është të zhvillojë kulturën e dhurimit vullnetar të gjakut, të ndërtojë një rezervë të qëndrueshme të gjakut dhe përbërësve të gjakut, të sigurojë kujdes cilësor për shëndetin dhe siguri për dhuruesit e gjakut. Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut - Organizata Komunale Gostivar, përveç realizimit të vazhdueshëm të aksioneve për dhurimin e gjakut, shënon 17 marsin, Ditën e Dhurimit të Gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe 14 qershorin, Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut.
Këtë vit, me rastin e 14 qershorit, Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, Organizata Komunale Gostivar do të ndajë mirënjohje jubilare për dhurimin e gjakut të kryer në vitin 2020, për ata që kanë dhuruar gjak 25 dhe 50 herë gjegjësisht, si dhe për organizatat dhe institucionet më të suksesshme në fushën e dhurimit të gjakut. Në periudhën nga marsi 2020 deri në mars 2021 është vënë re një rënie e numrit të dhurimeve të gjakut dhe numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut, si pasojë e pandemisë COVID 19, ndërsa nevojat për funksionimin normal të sistemit shëndetësor për sa i përket gjakut dhe produkteve të gjakut janë rritur. Kryqi i Kuq i Gostivarit do t'i mobilizojë të gjitha burimet në dispozicion për rekrutimin e dhuruesve të rinj dhe rritjen e vetëdijes së popullatës për nevojën e dhurimit të gjakut, sidomos në mesin e popullatës së re. Dhurimi i gjakut është plotësisht i sigurt dhe nuk lidhet me pandeminë COVID 19.
E shfrytëzoj këtë rast për t'u bërë thirrje të gjithë dhuruesve të mundshëm të gjakut, që të dhurojnë nga ky lëng i çmuar, sepse për dikë do të thotë jetë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).