d-r Kosta Cvetkovic
spec. dermatovenereolgjisë
|
Lythat janë rritje beninje në sipërfaqen e lëkurës, që mund të paraqiten si pasojë e ndikimeve të jashtme ose të brendshme në trup. Lëndimet, proceset inflamatore e kështu me rradhë, janë shkaqet më të shpeshta për shfaqjen e këtyre rritjeve.
Lythat ndryshojnë në madhësi, si dhe në vendndodhje. Vendndodhja e tyre kushtëzohet nga një proces i mëparshëm që mund të ndodhë në çdo pjesë të lëkurës sonë, prandaj nuk ka ndonjë vend të predispozuar për shfaqjen e tyre. Nuk përbëjnë një problem serioz shëndetësor, ngase në mbi 95% të rasteve janë asimptomatikë, ndërsa pjesa tjetër shoqërohen me kruajtje ose ndjesi shpimi gjilpërash (varësisht nëse zona është e prirur për traumë apo jo). Sipas përbërjes, lythat janë formacione të dendura dhe kompakte, që janë paraqitur pas ndonjë procesi inflamator. Sistemi imunitar i trupit të njeriut është i tillë që ka nevojë të zëvendësojë dëmtimin e indeve me një mbresë. Lythat janë në njëfarë mënyre plagë të brendshme dhe për këtë arsye janë të fortë dhe si gunga në prekje.
Diagnoza e këtij lloji të ndryshimit të lëkurës bëhet në mënyrë klinike dhe dermoskopike. Sigurisht, ekziston edhe mundësia e verifikimit histologjik, por këto lezione të lëkurës kanë një pamje aq karakteristike, saqë pacientët zakonisht nuk zgjedhin as biopsinë dhe as verifikimin HP. Në shumicën e rasteve, lythat nuk kërkojnë një lloj të veçantë të diagnozës, ngaqë janë shumë të zakonshëm dhe mjaft tipikë për nga forma. Të gjitha ''pjesët'' që mungojnë për të përcaktuar diagnozën në mënyrë klinike, i plotëson vetë pacienti përmes historisë personale të ndryshimit, kohëzgjatjes së tij dhe mbase më e rëndësishmja, çfarë i ka paraprirë shfaqjes së lythit në vendndodhje. Do të ishte absurde të zbatoheshin rrezet X, rezonanca magnetike ose tomografia për këtë lloj rritjeje, ngaqë është fare e lehtë të nxirret diagnoza e duhur.
Trajtimi i këtyre lezioneve është i larmishëm. Megjithatë, qasja më e zakonshme është heqja e drejtpërdrejtë e rritjes (lythit) plotësisht nga lëkura. Një mënyrë pak më konservatore është ajo në të cilën lezioni trajtohet në vend me azot të lëngshëm, i cili zvogëlon ndjeshëm sipërfaqen dhe vëllimin e lythit. Përveç azotit të lëngshëm si opsioni më konservator, çdo teknikë tjetër e heqjes ose zvogëlimit të lythave (laseri, terapia me radiovalë) kryen në mënyrë të përsosur funksionin e vet.
Metoda e dytë është heqja kirurgjikale me verifikim histopatologjik, ku lythi hiqet plotësisht dhe ekzaminohet nën mikroskop për diagnozë përfundimtare. Si opsion i fundit, ekzistojnë injeksione që depërtojnë në vetë rritjet (injeksione kortikosteroide), me çka vjen deri te zvogëlimi i brendshëm i bërthamës së lythave e kësisoj edhe simptomat e përgjithshme/morfologjia e tyre. Janë pacientët ata që zgjedhin, ndërsa ne si mjekë e kemi për detyrë t'ua tregojmë të gjitha opsionet e mundshme. Nuk ka preparate lokale që pacientët mund t'i marrin në mënyrë të pavarur për eliminimin efektiv të këtyre rritjeve, prandaj ju rekomandojmë që të këshilloheni me një mjek përpara se të ndërmerrni ndonjë hap.
Nga përvoja personale mund të them se nuk ka patur kurrë ndonjë ndërlikim gjatë heqjes së lythave, përveç gjakderdhjes lokale dhe/ose skuqjes, gjë që është e pritshme në këtë lloj ndërhyrjeje. Nuk përbëjnë rrezik për shëndetin, ndërsa problemi është më tepër i natyrës estetike sesa mjekësore. Meqenëse bëhet fjalë për një ndryshim të vogël, unë do të thoja që terapia me azot të lëngshëm në disa raste është alternativa më e mirë për të sanuar lezionin pa shumë rrëmujë dhe dhimbje, sesa ndërhyrja kirurgjike. Sidoqoftë, ekipi diagnostikues i ordinancës DermaPlus qëndron në dispozicionin tuaj për çdo çështje lidhur me lythat, si dhe për çfarëdolloj ndryshimesh të tjera në sipërfaqen e lëkurës.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2020).