|
prof. dr. Gordana Stankovska
FAKULTETI E SHKENCAVE MJEKËSORE,
UNIVERSITETI I TETOVËS
Çrregullimi i spektrit të autizmit manifestohet midis moshës 2 dhe 3 vjeçe, me një predispozitë më të zakonshme tek djemtë sesa tek vajzat. Studimet epidemiologjike tregojnë rritje të numrit të fëmijëve me autizëm, kështu që prevalenca sillet midis 60-70 për 10,000 fëmijë. Karakteristikat kryesore të autizmit kanë të bëjnë me aftësinë për të komunikuar, ndërveprimin shoqëror, praninë e sjelljes stereotipike dhe aktivitetet. Konsiderohet se arsyeja e shfaqjes së saj është me bazë neurobiologjike, pra një proces specifik neurokimik në nivelin e sistemit nervor qendror (SNQ).
- Kontaktet sociale (të folurit dhe komunikimi)
Ndërveprimi themelor shoqëror përbën problem për fëmijët me autizëm. Mungesa e reagimit kur thuhet emri i tyre, kontakti i rrallë me sy, refuzimi për të marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta, mungesa e gjesteve të drejtuara dhe komunikimit verbal lënë përshtypje gjatë zhvillimit të hershëm fëmijëror. Të qenit afër dikujt, të kaluarit kohë me dikë, të kuptuarit e shikimeve, emocioneve dhe dëshirave dhe marrja pjesë në bashkëveprime të ndërsjella me të tjerët është një detyrë tejet e vështirë për ta.
Fëmijët autikë nuk dinë të komunikojnë me të tjerët, të luajnë, të krijojnë miqësi. Ata nuk imitojnë, nuk marrin pjesë në lojëra në grupe, nuk përdorin lodrat në mënyrë krijuese. Të folurit mund të jetë i dobët ose pjesërisht i zhvilluar, të cilin mund ta përdorin për të shprehur nevojat ose mund të përsëritin pa pushim të njëjtat fjalë. Këta fëmijë flasin për veten e tyre në vetën e tretë, e kanë shumë të vështirë të shprehin dëshirat dhe urdhrat e tyre dhe nuk përdorin gjestikulacionet.
- Të mësuarit dhe të menduarit
Fëmijët me autizëm kanë probleme me të menduarit abstrakt, krijimtarinë, imagjinatën, dallimin e imagjinatës nga e vërteta. Informacionin e treguar mund ta mësojnë dhe kujtojnë më lehtë përmes një figure, kur kanë paraqitje pamore të gjithçkaje që dëgjojnë dhe lexojnë. Vëmendja e tyre përqendrohet tërësisht në një objekt të veçantë ose një pjesë të tij, tregojnë interes për temat që lidhen me simbolet.
Fëmijët me autizëm shpesh tregojnë jofleksibilitet në sjellje dhe aktivitete. Ata kanë një mënyrë të pazakontë të të luajturit, të lidhjes me objekte të caktuara, pozicion të pazakontë të trupit, të mënyrës së të ecurit (p.sh. ecje në gishta), përsërisin fjalë ose lëvizje të njëjta, plasin duart, luhaten. Reagimet emocionale janë të dobëta, të kufizuara në shprehjen e zhgënjimit ose gëzimit në disa raste, situata të rëndësishme për fëmijën, shpesh shfaqen reagime të ankthit dhe të dëmtimit të vetvetes.
Shumë shpesh ndodh mbindjeshmëria e një ose më shumë shqisave - ndaj tingullit, nuhatjes, prekjes, ngjyrës, formës. Fëmijët autikë u përgjigjen stimujve ndijorë në mënyra të pazakonta, si manerizma motorike me duar ose gishta që përsëriten ose janë stereotipike. Ata kanë vështirësi të ndryshojnë rendin në shtëpi ose mjedis (shqetësohen nëse ua ndërrojmë vendin lodrave, nëse ndodh diçka e papritur, nëse rruga në të cilën ecin nuk është e zakonshmja).
Mbështetje dhe rekomandime në lidhje me nevojat zhvillimore, rehabilituese dhe arsimore
Fëmijët me autizëm lulëzojnë në mjedis të njohur dhe të strukturuar, që ofron një program të përshtatshëm individual dhe me qëllime të përcaktuara qartë, që mund të modifikohet në varësi të aftësive dhe nevojave të fëmijës. Prandaj duhet të ofrohen të gjitha mundësitë për të përmirësuar aftësitë e tyre sociale, njohëse dhe të të folurit, si dhe për të mësuar aftësitë e jetës së përditshme dhe të përvetësimit të rutinave.
Kur punoni me fëmijë me autizëm, duhet të mbizotërojë qasja pamore, komunikimi me ndihmën e simboleve, mësimdhënia e strukturuar, modifikimi i sjelljes me përfshirjen e më shumë profesionistëve.
Metodat dhe teknikat më të zakonshme që përdoren janë si më poshtë:
- Sistemi i komunikimit përmes shkëmbimit të fotografive (Picture Exchange Communication System – PECS) është krijuar posaçërisht për fëmijët me probleme të zhvillimit të të folurit. Ai përbëhet nga një sistem fotografish komunikimi, kështu që kur fëmija dëshiron diçka, ai ia jep fotografinë "bashkëbiseduesit" të tij (prind, terapist, mik) dhe kështu dalëngadalë fillon të formojë fjalë, fjali dhe të shprehë nevojat e tij.
Metoda PECS përbëhet nga gjashtë faza që i lejojnë fëmijës:
- Të mësojë të përdorë vetë sistemin,
- Të gjejë partner për komunikim (një person të cilit ai/ajo do t'ia tregojë fotografinë ose simbolin si kërkesë),
- Të fillojë të dallojë simbolet ose fotografitë,
- Të fillojë të formojë fjali të thjeshta për sa i përket kërkesës ose komentit.
Baza e zakonshme materiale e kësaj përbërjeje janë letrat me fotografi ose simbole që fëmija i ngjet në të ashtuquajturën pllakë të PECS.
- Shkëmbimi fizik - qëllimi është që fëmija të zgjedhë objektin e dëshiruar, të marrë fotografinë e tij në duar dhe t'ia japë terapistit. Atëherë ky objekt i dëshiruar fshihet dhe vazhdohet me përcaktimin e objekteve të tjera që i dëshiron fëmija, për të ardhur tek ata që i ka në qendër të vëmendjes. Ushtrimi vazhdon derisa fëmija të mbajë në mend fotografinë, kurse karakteristike për këtë është se nuk ka komunikim verbal.
- Zhvillimi i pavarësisë - qëllimi është që fëmija t'i afrohet vetë pllakës së komunikimit, të marrë fotografinë e objektit të dëshiruar dhe t'ia japë terapistit. As këtu nuk ka komunikim verbal midis terapistit dhe fëmijës. Numri i fotografive dalëngadalë rritet, fëmija bëhet më i pavarur dhe nuk varet aq shumë nga terapisti.
- Dallimi i fotografive - qëllimi është që fëmija ta kërkojë vetë objektin kur ndalet përpara pllakës së komunikimit, ta zgjedhë fotografinë dhe t'ia japë terapistit. Në këtë mënyrë mbikëqyret përparimi i fëmijës. Sa më shumë objekte të njohë, aq më i madh është numri i fotografive që i merr vetë dhe ia jep bashkëbiseduesit.
- Struktura e fjalisë - qëllimi është që fëmija të fillojë të dallojë objektet nga fotografia duke përdorur një fjali që është shkruar gjithashtu me fotografi/simbol dhe t'ia japë që të dy terapistit. Për shembull. nëse thotë "unë dua", terapisti thotë "unë dua karamele" dhe fëmija duhet të tregojë me gisht fotografinë e karameleve. Kur fëmija fillon të flasë, terapisti thotë fjalinë "unë dua" dhe presim që fëmija të përfundojë fjalinë duke emërtuar objektin e dëshiruar nga fotografia.
- Përgjigja e pyetjes "Çfarë dëshiron?" - qëllimi është që fëmija thjesht vetvetiu të fillojë të kërkojë objekte të ndryshme dhe t'i përgjigjet pyetjes së parashtruar. Çdo përgjigje e saktë shpërblehet me prekje, buzëqeshje ose një lodër të veçantë.
- Përgjigje spontane - qëllimi është që fëmija të fillojë duke iu përgjigjur pyetjeve: "Çfarë ke?" "Çfarë do?" "Çfarë po shikon?" etj. Vazhdojmë ta shpërblejmë fëmijën për secilën përgjigje të saktë. Tashmë dalëngadalë fillojmë të bëjmë pyetje të reja, mund të komentojmë me shprehje si "Uau" ose "Oh, shiko", duke nxitur kështu fëmijën të flasë më shumë. Në fazën përfundimtare, fëmija duhet të dallojë një numër nocionesh në situata të ndryshme (të njohë objektet, ngjyrat, pozicionin, madhësinë, të dallojë po/jo) etj. Nuk duhet të harrojmë ta vlerësojmë dhe shpërblejmë kur jemi të kënaqur me përgjigjen e tij.
- Analiza e zbatuar e sjelljes (Applied Behavior Analysis – ABA) është një ndërthurje e teknikave psikologjike dhe edukative që përshtaten me nevojat e fëmijës, ndërsa qëllimi kryesor është ndryshimi i sjelljes së padëshiruar. Zbatohet parimi i shpërblimit për çdo sjellje pozitive apo mbështetje pozitive.
- Programi me mbështetje pamore nga mjedisi (Treatment and Education of Autistic and related Communication Handicapped – TEECH) bazohet në aktivitete të strukturuara duke përdorur metoda pamore.
- Krijohen tregime sociale posaçërisht për fëmijën, duke shkruar situata të caktuara që duhet ta ndihmojnë fëmijën të përvetësojë ndërveprimet dhe aftësitë shoqërore përmes rregullave dhe udhëzimeve të pranuara përgjithësisht. Për shkak se fëmijët autikë mësojnë më lehtë vizualisht, tregimet mund të përmbajnë vizatime, fotografi dhe objekte të vërteta.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).