Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Dieta të krijuara për nevojat tuaja

August 1, 2020

|

Dr. Dragica Zendelovska
One Hospital
Bashkëpunëtore e jashtme në fushën e nutrigjenomisë



Nëse marrim parasysh se arsyet e shtimit të peshës janë të ndryshme, atëherë me plot bindje mund të vijmë në përfundimin se nuk ka dietë universale që mund të ndihmojë secilin që ka probleme me mbipeshën. Dietat e njohura gjerësisht premtojnë rezultate të shpejta, por ato janë më së shpeshti të dëmshme për shëndetin. Në fakt, çdo dietë duhet të ketë disa faza, por duhet pasur kujdes të mos anashkalohen ushqime të caktuara, gjë që në plan afatgjatë mund të sjellë efekte anësore. Dietat më të njohura zakonisht janë të pakta në minerale si kalciumi, hekuri, zinku, vitaminat A, D dhe C. Zbatimi i regjimeve të tilla për një periudhë më të gjatë kohore mund të shkaktojë çrregullime metabolike. Sipas mendimit tim, dieta universale është një mit.

Ngrënia e tepërt konsiderohet të jetë një nga shkaqet kryesore të shtimit të peshës, por duhet pasur kujdes që të mos shpërfillen predispozitat gjenetike, aktiviteti i ulët fizik, kontrolli i oreksit, nevoja për ushqim sipas kushteve gjeografike dhe klimatike, prania e sëmundjeve të ndryshme, si çekuilibrimi hormonal, çrregullime psikologjike, menopauza, mosfunksionimi i gjëndrës tiroide, stresi etj.

A e dini se cila është në të vërtetë pesha juaj ideale? - Përgjigja është pesha që do të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve që lidhen me peshën e tepërt. Kriteret më të zakonshëm që përdorim janë indeksi i masës trupore, raporti midis belit dhe vitheve dhe shpërndarja e dhjamit.



Mund ta keni dëgjuar shpesh këshillën që të merrni shtesa dietike për humbje në peshë. Nëse blini ndonjë produkt për t'ju ndihmuar të humbni në peshë, mos harroni të kontrolloni përbërësit, veçanërisht ata të preparateve bimore, sepse disa prej tyre mund të shkaktojnë efekte anësore, siç ishte rasti me Efedrën ose preparatet që përmbajnë senecio vulgaris. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për njerëzit që kanë probleme me enët e gjakut ose veshkat dhe mëlçinë, përkatësisht.

Ja disa këshilla praktike që mund të japin rezultate pozitive, por për çdo rast, këshillohuni me një profesionist përpara se të ndiqni ndonjë nga sa vijon.

Do të doja të bëj disa krahasime që mund t'ju ndihmojnë të zgjidhni dietën e duhur.



Dieta detoks kundrejt dietës mesdhetare

Dietat detoks janë dieta shumë të njohura që synojnë detoksifikimin e trupit dhe uljen e peshës trupore. Por pyetja kryesore është se sa shpesh duhet të zbatohen këto dieta, për sa kohë dhe kur.

Në përgjithësi, në dietat detoks rekomandohet të pini lëngje për një periudhë prej 3 ditësh, që pasohet nga një dietë hipokalorike në katër ditët e ardhshme, me bilanc negativ të energjsë prej 500 kcal/ditë. Një diete e tillë çon në humbje më të shpejtë të masës muskulore dhe ujit, ulje të niveleve të metaboliteve reaktive të oksigjenit, humbje më të vogël të përgjigjes antioksiduese të trupit, mund të rezultojë në humbjen e baktereve të dobishme në zorrë dhe elektroliteve dhe ka shumë të ngjarë të pasohet nga luhatje të skajshme të peshës.

Dieta mesdhetare është një nga dietat më të ekuilibruara, me anë të së cilës mund të humbni më shpejt peshën e tepërt dhe indin dhjamor dhe e njëjta çon në rritje të niveleve të metaboliteve reaktive të oksigjenit dhe humbje më të madhe të përgjigjes antioksiduese të trupit.

Të dy dietat kanë efekte pozitive dhe negative, ndaj për zbatimin e tyre duhet të kërkoni ndihmë profesionale që do t'ju ndihmojë të bëni zgjedhjen e duhur, duke pasur parasysh që cilësia e karbohidrateve në këto dieta është tejet e rëndësishme në aspektin klinik.

Efektet anësore të dietave me përmbajtje të lartë yndyrore

Shumë herë, njerëzit zgjedhin të zbatojnë dieta me përmbajtje të lartë yndyrore, të njohura gjerësisht si dieta ketogjenike, pa ndihmë profesionale. Kaloritë nga dietat me përmbajtje të lartë të yndyrës ndahen më së shpeshti në përpjesëtim 42% yndyrë, 16% proteina dhe 42% karbohidrate.

Kur vendosni për këtë lloj diete, mbani në mend se një dietë me përmbajtje të lartë yndyrore ka shumë efekte anësore, siç janë: lezione hepatike nga steatohepatiti joalkoolik, ulje e ndjeshme e aktivitetit të fosforilimit oksidativ, shkaktohet dëmtim oksidativ i ADN-së së mitokondrive dhe indit hepatik, nxitet stresi nitro-oksidativ dhe kanë një ndikim të madh në zhvillimin e komplikimeve metabolike.

Kjo lloj diete është e paraparë për gjendje të caktuara, ndërsa për të zvogëluar efektet anësore ose për të parandaluar ndryshimet e mësipërme, rekomandohet përdorimi i domosdoshëm i antioksidantëve dhe antiperoksinitriteve.

Si të arrini peshën ideale: dietat me përmbajtje të lartë të proteinave kundrejt dietave me përmbajtje të lartë të karbohidrateve? Cila dietë jep rezultatin ideal pa rrezikuar shëndetin tuaj?

Këto janë pyetjet më të zakonshme që bëjnë klientët tanë. Shpesh eksperimentohet me dieta të ndryshme, nganjëherë arrihet rezultati i duhur, por me efekte anësore ose efekt yo-yo, me ç'rast rifitoni peshën e humbur dhe disa kilogramë shtesë. Prandaj hapi i parë që duhet ndërmarrë është zgjedhja e dietës së duhur, gjegjësisht, një dietë që personalizohet dhe periodizohet në varësi të nevojave, gjendjes shëndetësore, shënuesve antropologjikë dhe biokimikë të klientëve.

Dietat me përmbajtje të lartë të proteinave (40% karbohidrate, 30% yndyra, 30% proteina) dhe dietat me përmbajtje të lartë të karbohidrateve (55% karbohidrate, 30% yndyra, 15% proteina) rekomandohen më së shpeshti. Burimet më të zakonshme të karbohidrateve janë drithërat integrale, bishtajoret, frutat, perimet, të yndyrnave janë vajrat me prejardhje bimore dhe arrat, ndërsa burimet e proteinave që përdoren në dieta janë mishi i kuq pa dhjamë, peshku, mishi i pulës, vezët dhe produktet e qumështit me pak yndyrë.

Të dy dietat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm për sa i përket humbjes së peshës 9,8% përkundrejt 9.3%, indeksit të masës trupore, presionit të gjakut dhe indeksit HOMA-IR. Zbatimi i dietës me përmbajtje të lartë proteinike mund të rezultojë në përmirësim të ndjeshëm të ndjenjës së ngopjes, shënuesve të ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe funksionimit të qelizave β, stresit oksidativ, peroksidimit të lipideve, citokineve inflamatore, CRP-së, adiponektinës, rritje të grelinës dhe GLP-1, ulje të BNP-së, por çon në lipolizë më të dobët dhe humbje më të madhe të kalciumit urinar.

Gjatë zbatimit të dietës me përmbajtje të lartë proteinike, është shumë e rëndësishme të përcaktoni parametrin kritik, d.m.th. përcaktimi i niveleve margjinale të proteinave që modulojnë dëmtimin oksidativ (33-44% proteina). Përmbajtja më e lartë proteinike (&gt; 45%) shkakton dëmtim oksidativ të trurit (peroksidim të lipideve ose oksidim të proteinave), mund të ndikojë në zhvillimin e arteriosklerozës përmes rritjes së stresit oksidativ dhe përmes uljes së aktivitetit të superoksid dismutazës! Efekt tjetër anësor është gjenerimi i sasive të mëdha të acideve (fosfateve dhe sulfateve) - kalciuria!

Prandaj, për shkak të përparësive dhe dobësive të përmendura më sipër, dieta duhet të jetë e optimizuar, e individualizuar (e përshtatur me nevojat e klientit) dhe e periodizuar, e shoqëruar me ndihmë ergogjenike, me qëllim të zvogëlimit të efekteve anësore dhe arritjes së rezultatit të dëshiruar.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>