|
syzabërës - optometrist
Sanja Angelovska
OPTIKA PRIZMA
Shkurtpamësia,
largpamësia dhe
astigmatizmi janë çrregullime të shkaktuara nga një gabim në përthyerjen e dritës.
Shkurtpamësia ose miopia, e cila është e pranishme te rreth 20 përqind e popullsisë, ndodh kur imazhi krijohet përpara retinës e jo në të, prandaj objektet e largëta duken të turbullta. Sëmundja shfaqet në masë të barabartë si te burrat ashtu edhe te gratë.
Largpamësia është e kundërta e shkurtpamësisë. Lentet e syve krijojnë imazhe përtej retinës, prandaj objektet e afërta duken të paqarta. Me kalimin e viteve, aftësia natyrore e syrit për t'u përshtatur dalëngadalë zvogëlohet. Largpamësia paraqitet zakonisht pas moshës 42 ose 45 vjeç.
Astigmatizmi shpesh shoqërohet me largpamësi ose shkurtpamësi. Zakonisht shfaqet gjatë lindjes dhe as nuk përkeqësohet e as nuk përmirësohet me kalimin e viteve. Simptomat e zakonshme të astigmatizmit përfshijnë dhimbje në dhe përreth syve, dhimbje koke dhe vështirësi gjatë vozitjes në errësirë.
Çrregullimet e mësipërme janë probleme të cilat mund të zbuten me anë të ndihmesave optike.
Përdorimi i syzeve ose mjeteve ndihmëse të syve është sot më i përhapur se kurrë. Kjo ndodh për shkak të disa faktorëve, si shembujt e mësipërm, anomalitë kongjenitale te njerëzit, dëmtimi i mëvonshëm i shikimit, nevoja për një aksesor të modës për të plotësuar imazhin, si dhe disponueshmëria e madhe e llojeve të ndryshme të kornizave optike dhe llojeve të xhamave.
Dëshirojmë të flasim për atë se cilat lloje të kornizave optike dhe xhamave optikë janë më të mirë për ju dhe nevojat tuaja.
Edhe pse syzet përdoren për të korrigjuar apo përmirësuar shikimin, nuk mund të shpërfillet fakti që ato përcaktojnë stilin tuaj. Përzgjedhja e madhe e kornizave optike përbëhet nga materiale të ndryshme si plastikë, metal (ose një kombinim i të dyjave), si dhe një loje të pafund ngjyrash, zbukurimesh dhe detajesh.
Zgjedhja e kornizave optike këshillohet të përqendrohet kryesisht te rehatia, sepse përdoruesi nuk duhet të ndihet në siklet kur t'i mbajë ato (p.sh. të ndiejë rëndesë mbi hundë dhe veshë, t'i shtrëngojnë kokën apo krahët e syzeve të mos qëndrojnë siç duhet mbi veshë).
Faktori tjetër që duhet marrë parasysh gjatë blerjes është madhësia e fushës së pamjes (ku është i vendosur xhami optik). Rekomandimi ynë është që në rast të problemit me
largpamësinë, personi duhet të zgjedhë korniza që kanë një fushë më të vogël pamjeje. Arsyeja për këtë është nevoja e përdorimit të këtyre syzeve vetëm kur personi shikon afër vetes (lexon, përdor telefonin celular ose kompjuterin), d.m.th. jo më larg se gjatësia e krahut të vet dhe kur ndryshon pamjen (p.sh. më larg), personi të jetë në gjendje të shikojë mbi syzet (shikimi nëpërmjet syzeve për afër, në distancë, mund të barazohet me shikimin në distancë përmes xhamit zmadhues).
Kur bëhet fjalë për
shkurtpamësinë, rekomandimi ynë është që të kenë fushë më të madhe të pamjes. Rekomandimi vjen për shkak të nevojës që fusha e pamjes të "mbulohet" nga të gjitha anët me xham optik, sepse kur shikohet larg, pamja lëviz në të gjitha anët dhe nën çdo kënd. Shkurtpamësia përfshin një përqindje më të madhe të aktiviteteve të përditshme, si shikimi i televizorit, vozitja, puna në kompjuter dhe çdo aktivitet tjetër që dallon nga shikimi nga afër. Prandaj ne rekomandojmë që rehatia të jetë faktori kryesor gjatë marrjes së vendimit.
Të gjitha rekomandimet e mësipërme vlejnë edhe për
astigmatizmin.
Në këtë mes duhet të përmendim edhe llojet e xhamave (lenteve) optikë, siç janë zgjidhjet 2 në 1 ose 3 në 1 për problemet me shikimin. Xhamat
bifokal ose 2 në 1 përdoren për shikim në largësi dhe nga afër. Këto syze kanë një "dritare" të dukshme që shërben si fushë pamjeje për afër. Xhamat
multifokal ose 3 në 1 janë zgjidhje për të parë në largësi, në një distancë mesatare, si dhe afër. Ndonëse nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm midis këtyre xhamave (lenteve) dhe atyre që përdoren për larg dhe afër, megjithatë ofrojnë kanale vizioni sipas nevojës specifike të përdoruesit. Xhamat multifokal zgjidhin problemin e përdoruesve që përballen me largpamësi dhe shkurtpamësi, ndërsa përdorin vetëm një palë syze.
Përveç komoditetit dhe stilit të kornizave optike, një tjetër faktor po aq i rëndësishëm për zgjedhjen e syzeve janë llojet e
xhamave optikë (lenteve). Përkatësisht, xhamat optikë (lentet) bëhen zakonisht prej
qelqit mineral ose
plastikës organike. Përparësia e
qelqit mineral është mundësia minimale për t'u gërvishtur, ndërsa si e metë e tij konsiderohen pesha dhe fakti se ka shumë të ngjarë që të thyhet nëse bien syzet përtokë. Qelqi mineral dikur ishte zgjedhja e vetme për përdoruesit e syzeve. Sot ka lente për syzet të bëra nga
plastika organike. Përqindja më e madhe e përdoruesve zgjedhin këtë lloj lente për shkak të peshës së lehtë dhe shtresave mbrojtëse.
Në vendin tonë, lloji më i shitur i lenteve plastike organike janë të ashtuquajturat lente HMC (Hard Multi Coat), të cilat ofrojnë 4 shtresa mbrojtëse (vështirë për t'u gërvishtur, kthjellim i shpejtë në ndryshim temperaturash, mbrojtje themelore nga rrezet teknologjike si dhe zvogëlim të efektit të dritave gjatë vozitjes natën), por edhe një çmim më të kapshëm. Kohët e fundit, përzgjedhja e lenteve plastike organike është zgjeruar edhe me mbrojtjen nga rrezet "blu-violet" (zvogëlim i efekteve të dëmshme të rrezeve të emetuara nga pajisjet elektronike dhe dritat LED) me filtrin e njohur gjerësisht si "
Blue Light Filter". Ky lloj i mbrojtjes është zgjedhja e parë e përdoruesve të syzeve që përdorin intensivisht kompjuterin (më shumë se 4 orë në ditë).
Duhet të theksohet se ekzistojnë edhe xhama optikë (lente) pa dioptri, me mundësi për të përmbajtur shtresa mbrojtëse. Këta më së shpeshti përdoren nga njerëzit që duan të mbrojnë sytë nga rrezet e dëmshme. Numri i prindërve që zgjedhin të blejnë syze pa dioptri për fëmijët e tyre sa vjen e shtohet dhe kjo për shkak të kohës në rritje që fëmijët e kalojnë para kompjuterit, tabletit dhe telefonit. Kësisoj mënjanohet deri diku një nga faktorët për dëmtim të hershëm të shikimit.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.5-6 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2020).