Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Hernia diskale – kur shtylla e trupit dobësohet

August 1, 2020

|

Ivo Donevski
spec. ortopedist sub. traumatologist



Hernia ndërvertebrale është gjendje që shfaqet si rezultat i mbingarkesës së bërthamës xhelatinoze përmes anulusit të unazës fibroze. Disku ndërvertebral ndan vertebrat në shtyllën kurrizore të njeriut. Funksioni i tij është të sigurojë amortizim të lëvizjeve vertebrale.

Disku përbëhet nga një bërthamë xhelatinoze dhe një unazë fibroze. Unaza fibroze është e fiksuar pjesërisht për ligamentet ndërvertebrale që ndodhen në afërsi. Në pjesët e lira të unazës fibroze ndonjëherë shfaqet tendosje dhe si rezultat, për shkak të ngarkesës së tepërt, bërthama prish unazën fibroze, duke formuar një hernie ndërvertebrale.

Kjo konsiderohet një nga shkaqet më të shpeshta të dhimbjes në shpinë. Në përgjithësi, hernia ndërvertebrale shfaqet për shkak të ngarkesës së pamjaftueshme të muskulaturës së shtyllës kurrizore ose për shkak të ushtrimeve të tepërta fizike, si dhe për shkak të ndryshimeve që lidhen me moshën. Pra, hernia e diskut ndërvertebral është sëmundje e njerëzve mënyra e jetesës së të cilëve është e ulur ose që ngrenë shumë shpesh ngarkesa të rënda.

Më së shpeshti, hernia ndërvertebrale ndodh në pjesën e fundshpinës. Në raste më të rralla ndodh në pjesën e qafës, ndërsa rastet e hernies në pjesën e kraharorit janë shumë të rralla.

Simptomat e hernies ndërvertebrale

Hernia e diskut ndërvertebral është një nga manifestimet më të rënda të osteokondrozës. Kur dëmtohet unaza e diskut, njëherësh krijohet hapësirë përmes së cilës mund të depërtojë bërthama e butë dhe të hyjë në kanalin kurrizor, ku ndodhet palca kurrizore. Për shkak të kësaj patologjie, ndodh kompresimi i palcës kurrizore ose rrënjës nervore. Në këtë rast, pacienti manifeston një sindromë të dhimbjes radikulare, e cila shoqërohet me parezë ose paralizë të këmbëve dhe ndjeshmëri të dëmtuar. Rreth një e pesta e pacientëve me hernie ndërvertebrale kanë nevojë për trajtim kirurgjik të sëmundjes.

Nëse ka ndryshime të natyrës degjenerative të diskut ndërvertebral në rajonin e fundshpinës, shfaqen simptoma të caktuara. Në zonën e diskut të prekur shfaqet dhimbje e fortë, e cila bëhet më e fortë gjatë ushtrimeve. Dhimbja shpesh përparon në pjesën e prapme të kofshës dhe pjesën e poshtme të këmbës, në anën e lezionit. Pacienti ka ndjesi shpimi gjilpërash, mpirje, shtrëngim dhe një ndjenjë fërkimi në zonën e inervimit të fibrave nervore të prekura; herë pas here shfaqet një ndjenjë dobësie në këmbë dhe ndjeshmëria e tyre është e dëmtuar.

Në procesin e zhvillimit të sëmundjes te njerëzit, funksioni i organeve të legenit mund të dëmtohet, duke rezultuar në probleme me jashtëqitjen, urinimin dhe potencën. Në rajonin perianal manifestohet me një ndjesi shpimi gjilpërash. Në prani të ndryshimeve të natyrës degjenerative në pjesën e qafës, dhimbja përparon në krah dhe shpatull. Pacienti mund të vuajë nga marramendjet e kohëpaskohshme dhe presioni i lartë i gjakut. Simptomat si dhimbje koke, marramendje dhe presioni i lartë i gjakut shpesh shfaqen njëkohësisht dhe shoqërohen me mpirje dhe ndjesi shpimi gjilpërash në gishta.

Në prani të ndryshimeve të natyrës degjenerative në pjesën e kraharorit, pacienti ndjen dhimbje të përhershme në vendndodhjen e hernies gjatë punës në pozicion jo të drejtë të trupit. Shpesh dhimbja në pjesën e kraharorit kombinohet me kifoskoliozë ose skoliozë.

Përcaktimi i diagnozës

Metoda diagnostikuese më e përdorur për këtë patologji të shtyllës kurrizore është rezonanca magnetike (MRI). Për të marrë imazhe të tërthorta të kanalit kurrizor përdoret po ashtu tomografia e kompjuterizuar (CT). Metoda e rrezeve X përdoret për të përjashtuar praninë e frakturave, tumoreve ose sëmundjeve infektive. Bazuar në rezultatet e ekzaminimit, mjeku përshkruan terapinë më optimale. Ekzaminimit të plotë duhet t'i nënshtrohen ata pacientë që ankohen për dhimbje në shpinë, të cilat plotësojnë karakteristikat e mëposhtme:

Terapia

Shpeshherë, të gjitha simptomat e hernies ndërvertebrale largohen vetvetiu rreth gjashtë javë pasi të shfaqen. Pas kësaj, pacienti është në gjendje të lehtësimit. Kirurgjia përdoret ekskluzivisht si mjeti i fundit, përkatësisht, kur të gjitha metodat e terapisë konvencionale të kenë qenë joefektive dhe sindromi i dhimbjes të mos jetë mënjanuar. Është gjithashtu e rëndësishme që pacienti të marrë terapi fizike: për pacientët me hernie ndërvertebrale është zhvilluar një kompleks i posaçëm ushtrimesh të lehta.

Hernia e diskale trajtohet kryesisht me terapi konvencionale. Pra trajtimi i hernies ndërvertebrale përfshin përdorimin e barnave jo-steroide anti-inflamatore. Për disa pacientë, kortikosteroidet lokale mund të jenë efektive. Terapia që përshkruhet më së shpeshti është diklofenaku, indometacina dhe ibuprofeni. Sidoqoftë, duhet të kihet parasysh se te pacientët që vuajnë nga sëmundje të traktit gastrointestinal këto barna duhet të përshkruhen me shumë kujdes. Kohëzgjatja e përdorimit të këtij grupi të barnave varet drejtpërdrejt nga ashpërsia e sindromës së dhimbjes së pacientit. Për të eliminuar dhimbjen akute, mund të përshkruhen barna anti-inflamatore në formën e xhelit dhe kremrave. Megjithatë ato jo gjithmonë mund të zëvendësojnë plotësisht pilulat.

Kur bëhet fjalë për dhimbje të forta, pacientëve me hernie mund t'u përshkruhet bllokadë për të trajtuar shqetësimin. Në këtë rast përdoren injeksionet e lidokainës, novokainës ose analgjezikëve të tjerë, që injektohen në indin ngjitur me hernien ndërvertebrale.

Është e rëndësishme të theksohet se në ditët e para të përkeqësimit të sëmundjes, në asnjë rast nuk duhet të kryhet masazh. Kjo mund të shkaktojë paqëndrueshmëri të kurrizit dhe të përkeqësojë gjendjen e pacientit. Masazhi dhe procedurat fizike më së shumti do të ndikojnë në gjendjen e pacientit nëse përdoren afro 4-6 javë pas formimit të hernies, pra gjatë periudhës së shërimit.

Periudha e shërimit të pacientit fillon rreth javës së gjashtë. Disku i dëmtuar ndërvertebral fillon të shërohet dhe shpina bëhet më e qëndrueshme. Gjatë kësaj periudhe, rreth gjashtë muaj, duhet të përjashtohet plotësisht aktiviteti i rëndë fizik, të kryhen seanca të rregullta masazhesh dhe procedura fizike.

Kirurgjia përshkruhet në prani të çrregullimeve neurologjike, si dhe dhimbjes e cila është rezistonte ndaj ilaçeve dhe metodave të përdorura në trajtimin konvencional.

Më parë, trajtimi kirurgjikal i hernies ndërvertebrale kryhej me anë të laminektomisë. Sot, përmes përdorimit të një mikroskopi kirurgjik, është e mundur që të ulet ndjeshëm trauma e nevojshme për t'iu qasur indeve. Për shkak të mundësisë së përdorimit të metodave mikrokirurgjike, hernia mund të hiqet përmes një vrime dukshëm më të vogël të trepanimit. Endoskopia është një tjetër mënyrë për të hequr hernien diskale.

Mikrodisektomia ose heqja mikrokirurgjike e hernies është një mënyrë veçanërisht e efektshme për të mënjanuar herniet ndërvertebrale. Përparësi domethënëse e përdorimit të kësaj metode është aftësia për të hequr hernien ndërvertebrale nga cilado pjesë e shtyllës kurrizore. Operacioni kryhet me ndihmë të anestezisë së përgjithshme ose anestezisë lokale, sipas zgjedhjes së mjekut, ndërsa rreziku i komplikimeve është minimal. Pas një operacioni të tillë, pacienti qëndron në spital nga një ditë deri në një javë, në varësi të metodës së zgjedhur kirurgjikale.

Profilaksia e hernies ndërvertebrale

Në këtë rast, të gjitha masat parandaluese të përdorura për parandalimin e osteokondrozës janë të rëndësishme. Pra është e rëndësishme t'i kushtoni vëmendje të veçantë gjendjes së korsesë muskulore, e cila është përgjegjëse për funksionimin e shtyllës kurrizore.

Ngarkesa në disqet ndërvertebrale rritet ndjeshëm gjatë përkuljes së shtyllës kurrizore, përkatësisht, gjatë lakimit. Prandaj, kur kryeni pjerrësi duhet të shtrëngoni barkun, të shtrëngoni muskujt e mollaqeve dhe të shtrëngoni shpinën. Është e rëndësishme të formoni pozicionin e duhur. Kur ecni, shpina duhet të qëndrojë drejtë, qafa nuk duhet të tërhiqet përpara. Pjesa e pasme duhet të mbahet drejtë edhe në pozicionin ulur, ndërsa këmbët duhet të prekin dyshemenë. Për punë në pozicionin ulur është më mirë të vendosni këmbët në një stendë të veçantë, ashtu që ijet të jenë në nivel më të ulët se gjunjët.

Kushtet në të cilat flini janë po aq të rëndësishme. Shtrati duhet të jetë i sheshtë dhe mesatarisht i fortë. Opsioni më i mirë është një dyshek ortopedik i cilësisë së lartë.

Është thelbësore të parandalohet mbipesha, e cila e ngarkon edhe më tepër shpinën. Një dietë e shëndetshme jo vetëm që mbron nga mbipesha, por gjithashtu kontribuon në funksionimin e duhur të proceseve metabolike të shpinës. Dieta duhet të përfshijë shumë proteina, si dhe sasi të mjaftueshme kalciumi, i cili forcon kockat. Vitamina C ndihmon në forcimin e tejzave dhe ligamenteve. Duke pasur parasysh strukturën e bërthamës qendrore, e cila përbëhet vetëm nga substanca proteinike, prania e një sasie të mjaftueshme të aminoacideve në organizëm është e qenësishme.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>