Studimet tregojnë se këto pesë veprime mund t'ju sjellin lumturi më të madhe
Jini të kënaqur
Kalojmë një kohë të gjatë duke menduar për të gjitha gjërat që na mungojnë dhe ato që duam t'i posedojmë. Telefoni që përdorim aktualisht është pa dyshim i dobishëm, por sigurisht që ka një model më të ri dhe më të shtrenjtë që do të donim ta kishim. Shumica e studimeve kanë treguar se lumturia ka një lidhje të ngushtë me t[ ardhurat tona mujore, por kur do të ishit vërtet të kënaqur dhe në të njëjtën kohë të përmbushur? Dëshira e vazhdueshme për diçka më tepër krijon një cikël pakënaqësie nga i cili nuk do të shpëtoni kurrë. Për këtë arsye, aftësia për të qenë të kënaqur me atë që kemi do të na bëjë të ndihemi më të lumtur dhe më mirënjohës.
Lirohuni nga lakmia
Konkurrenca mund të jetë mjaft e shëndoshë dhe motivuese. Na ndodh shpesh që ta gjejmë veten në një situatë ku mendojmë për veprimet e njerëzve të tjerë, përpiqemi të jemi më të mirë, madje edhe më të mirët nga të gjithë. Nëse nuk e zëmë vendin e fitimtarit, e përjetojmë si dështim personal, çka shkakton një gjendje që çon në zemërim dhe depresion. Jepni më të mirën tuaj për të dalë të parit, por nëse nuk ndodh ashtu (dhe është zakonisht një qëllim vështirë i arritshëm), bëhuni lojtar i drejtë dhe bëni çmos për të mësuar nga më i miri.
Jepni
Dhënia e njohurive, mendimit, mbështetjes, motivimit do t'ju kthehet si një ndjenjë e madhe kënaqësie. Ftojeni në pushim dreke kolegun me të cilin bashkëpunoni më së paku. Mundohuni të zbuloni diçka të panjohur për të, përpiquni të krijoni një lidhje profesionale. Ky është vetëm një shembull i mënyrës se si mund t'u jepni një shans njerëzve rreth jush, të cilët mund të mos kenë pasur se si t'ju afroheshin. Ndjenja se dikush e dëgjon mendimin tuaj, pret mbështetjen tuaj dhe krijon diçka falë njohurive tuaja do t'ju motivojë që t'i kushtoheni edhe më shumë vetes dhe të përsosni cilësitë tuaja.
Falni
Ndonjëherë, pasja e armiqve është e pashmangshme. Të gjithë kemi njerëz me të cilët nuk pajtohemi, ose thjesht mendojmë se ata nuk janë sjellë mirë me ne, çka na bën që të mos duam t'i falim. Shqetësimi dhe emocionet negative ndaj këtyre personave është si të prekësh vazhdimisht plagën, që do të thotë se nuk e lejojmë atë të shërohet. Nëse dëshironi t'i mënjanoni mendimet negative, duhet të çliroheni prej tyre. Falni dhe drejtoni energjinë nga vetja. Ky është një tjetër çelës për të bërë jetë të lumtur. Mbani në mend se kur falim, i japim vetes një shans për të lëvizur përpara dhe për të mos mbetur të mbërthyer në të kaluarën.
Duajeni veten
Jo në mënyrë egoiste, arrogante apo mendjemadhe. Për të qenë me të vërtetë të lumtur, duhet të keni pikëpamje të shëndetshme për veten tuaj, me një sasi të mjaftueshme vetëvlerësimi. Njihni cilësitë tuaja që ju bëjnë të veçantë, sepse nuk ka njeri tjetër si ju në këtë botë. Ju keni një kombinim unik të cilësive dhe talenteve që duhet t'i ndani me të tjerët.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.29 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).