Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Një ishull i vogël, por shumë i lumtur!

July 2, 2020

|


ARUBA


Aruba, një ishull në afërsi të bregdetit të Venezuelës, është pjesë e Mbretërisë së Holandës dhe është i njohur për numrin e madh të kazinove, që me të drejtë i kanë dhënë nofkën "Las Vegasi i Karaibeve". Plazhet e bukura me rërë, reshjet e rralla gjatë vitit dhe temperatura ideale vjetore, e cila luhatet midis 27 dhe 30 gradësh, e bëjnë këtë ishull një destinacion të përkryer për pushime vjetore me familjen, muaj të mjaltit ose pushime të çmendura dhe të paharrueshme me miqtë.



Një nga plazhet më të dëgjuara dhe më të mbushura me njerëz në Aruba është plazhi privat në ishullin Renaissance. Plazhi përrallor është pjesë e Renaissance Aruba Resort and Casino dhe është vetëm një udhëtim 15-minutash me varkë nga kryeqyteti i Arubës. Vendpushimi karakterizohet nga aktivitete të shumta për argëtim dhe çlodhje, një restorant, një qendër Wellness dhe një plazh të ndarë në dysh.

Ky plazh magjepsës është një nga vendet më të rralla dhe më tërheqëse në botë dhe është i vendosur në detin e Karaibeve. Plazhi lirisht mund të quhet shtëpia e flamingove, ngase vizitorët jo vetëm që mund të lahen dhe të bëjnë banjë dielli, por edhe të shijojnë shoqërinë e këtyre shpendëve ekzotikë që shëtisin lirshëm nëpër plazh.

Nuk është e domosdoshme të jeni mysafir në vendpushim për ta vizituar së afërmi dhe për të shijuar bukurinë e tij. Megjithatë duhet të paguani një biletë ditore, e cila përfshin një drekë të shijshme, një koktej ekzotik dhe një dyshek uji për një përjetim gjithëpërfshirës. Çmimi i biletës mbase nuk është aq i ulët, por me të vërtetë ia vlen duke pasur parasysh përvojën ekstravagante që e përmban në vete.

Ngjyra e kaltër në të gjelbër e Detit të Karaibeve dhe plazhi i bukur me rërë të bardhë ofrojnë kënaqësi të pashoqe për turistët. Plazhi në vetvete është i ndarë në dy pjesë, përkatësisht ai që është i paraparë për familjet me fëmijë dhe tjetri që është vetëm për të rriturit. Kështu i njëjti plazh ofron zgjedhje dhe mundësi për pushim të qetë dhe çlodhës familjar dhe pushim të çmendur dhe argëtues për beqarët dhe të rinjtë.

Vendësit e plazhit, flamingot, janë "karremi" më i mirë për turistët. Këtu, flamingot janë mësuar aq shumë me njerëzit saqë janë zbutur plotësisht dhe ju mund t’u jepni ushqim dhe të bëni fotografi që do të shihen me lakmi në Instagram. Ndonëse këta shpendë të bukur janë dukuri e pazakonshme në pjesën më të madhe të botës, udhëtimi juaj në Arubë nuk mund të quhet i plotë nëse nuk ju kalon pranë një tufë flamingosh teksa relaksoheni, nëse nuk ecin midis shezlongjeve ndërsa bëni banja dielli apo nëse ju nuk u afroheni kohë pas kohe me hap të shkujdesur. Përvoja juaj do të ishte ende më interesante nëse ju rastis të shihni flamingo që fle në një këmbë - veçori e tyre. Sidoqoftë, pavarësisht nëse janë në gjumë ose zgjuar, pamja magjike mbetet e njëjtë.

Asnjë vizitor nuk mund të qëndrojë gjakftohtë përballë bukurisë së rrallë të Arubës. Prandaj kushdo që e gjen veten në këtë ishull një herë, s'ka dyshim që do të shkojë përsëri. Ndërsa të gjithë ata që nuk kanë qenë më parë dhe janë adhurues të vendeve ekzotike, plazheve mbresëlënëse dhe natyrës së pashoqe, as që duhet ta vrasin mendjen, sepse Aruba dhe ishulli Renaissance, së bashku me flamingot, janë një destinacion i shkëlqyeshëm për përjetime të papërsëritshme.

Ishuj të mrekullueshëm për udhëtime ekzotike

TAJLANDA




Nëse jeni në kërkim të diellit të përhershëm, plazheve me rërë, ujit të shndritshëm dhe atmosferës së shtruar, Tajlanda është një ndër destinacionet e pakta në botë që do t’i përmbushë të gjitha kërkesat. Pjesë e kontinentit të Azisë, Tajlanda ka më shumë se tetë mijë kilometra vijë bregdetare dhe një numër të madh ishujsh ekzotikë, kështu që gama e vendpushimeve për çlodhje dhe mundësive për argëtim dhe përjetim të aventurave të llojllojshme është mjaft e madhe.

Nga përzgjedhja e pafund e ishujve që të lënë pa frymë, ju çojmë në ishujt më të vizituar dhe më ekzotikë në Tajlandë, Ishujt Fi Fi që ndodhen 40 km në jug të qytetit Krabi. Ishujt janë të vendosur midis ishullit Phuket dhe Ngushticës së Malakës dhe janë pjesë e Parkut Kombëtar Fi Fi-Hat Nopparat Thari. Grupi Fi Fi ka gjithsej gjashtë ishuj, më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit nga të cilët janë ishulli Fi Fi Don dhe ishulli Fi Fi Le.

Meritor për famën e ishujve është filmi i vitit 2000, "The Beach", me interpretim të Leonardo DiCaprios, shumica e skenave të të cilit janë xhiruar në Gjirin e Majës. Megjithëse Gjiri i Majës dhe plazhi i tij ishin të njohur që më parë, numri i turistëve u rrit ndjeshëm pas premierës së filmit. Për të arritur në plazh është mirë të merrni me qira një varkë me bisht të gjatë - anija tipike tajlandeze për të cilën shquhet ky vend. Këshillohet gjithashtu të vizitoni plazhin dhe gjirin herët në mëngjes ose pasditen e vonë, kur ka më pak turistë në ishull.

Plazhi i majmunëve është një plazh i vogël i vendosur në pjesën e pasme shkëmbore të ishullit Fi Fi Don. Emri i plazhit tregon vetë se përse ky plazh është kaq i përmendur dhe i veçantë; një vend ku mund të shijoni bukuritë përrallore të ishullit dhe të shoqëroheni me majmunët gazmorë, puna e të cilëve është t'ju urojnë mirëseardhje të ngrohtë.

Shkëmbinjtë e mëdhenj përreth plazhit të majmunëve janë shumë frymëzues dhe mund të thuhet me plot bindje se është një nga plazhet më të mira në ishullin Fi Fi Don. Kjo është arsyeja pse numri i turistëve që vizitojnë plazhin e majmunëve tejkalon kapacitetin e plazhit për afro dhjetë herë. Ky vend ka qenë i njohur me dekada të tëra dhe të gjithë turistët që vijnë në këtë ishull kanë marrëdhënie mbreslënëse me majmunët, duke i ushqyer e trajtuar për mrekulli; në këmbim majmunët janë shumë miqësorë me ta.

Në mesin e tërheqjeve dhe vendeve të bukura me të cilat krenohen ishujt Fi Fi, do ta veçojmë shpellën Viking të vendosur në ishullin Fi Fi Li. Shpella Viking mund të arrihet në rreth gjysmë orë me varkë nga porti kryesor i Ton Sai, ndërsa emrin e ka marrë nga pamjet e gjetura në muret e shpellës ku janë vizatuar lloje të ndryshme të anijeve dhe ku përfshihet edhe një anije vikinge.

Koha më e mirë për të vizituar ishujt Fi Fi është nga nëntori deri në fund të marsit, kur ka më pak ditë me shi dhe moti është i thatë. Atëherë nuk ka asnjë pengesë për të shijuar plazhet në ishull, por me të filluar sezoni i monsuneve, valët janë më të larta dhe noti nuk është i sigurt. Kur bëhet fjalë për transportin, në arkipelag nuk ka aeroport, kështu që e vetmja mënyrë për të arritur atje është nëpërmjet anijes.

Të udhëtosh në tokën e tempujve, jeta e çmendur e natës, budizmi, ishujt magjepsës, plazhet joshëse, deti i kristaltë është diçka që medoemos duhet ta shijojë dhe përjetojë çdo turist. Tajlanda do t'ju mundësojë të shijoni bukuritë e larmishme natyrore, të njiheni me monumentet e mrekullueshme budiste dhe specialitetet e jashtëzakonshme të kuzhinës tajlandeze, si dhe të shijoni plazhet më ekzotike ranore dhe jetën e paharrueshme të natës.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.30-31 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>