Emilija Spasovska Mojsovska
Magjistare e nutricionizmit
|
Trupi ynë në mëngjes ka më së shumti nevojë për energji dhe rimbushje të rezervave, prandaj është e rëndësishme të hamë ushqim me cilësi ushqyese që na ndihmon të mbajmë organizmin vital dhe të shëndetshëm, prandaj themi se mëngjesi duhet të jetë vakti më i rëndësishëm i ditës.
Përmbajtja e vitaminave, mineraleve, proteinave, karbohidrateve dhe antioksidantëve duhet të jetë pjesë përbërëse jo vetëm e mëngjesit, por edhe e të gjitha vakteve gjatë ditës. Njerëzit shpesh pyesin se cili vakt mund të jetë i lehtë për t'u përgatitur, i shëndetshëm dhe i dobishëm, që nuk ka ndikim negativ te pesha e trupit. Sugjerimi im për ushqime të mëngjesit që përgatiten shpejt dhe janë dobiprurëse për organizmin janë si në vijim:
- Smoothie me proteina
- 1 banane
- 3 deri në 5 vezë thëllëze
- 1 lugë gjelle kakao
- 1 lugë gjelle karob
- 1 lugë gjelle mjaltë
- ½ Avokado
- 200 ml qumësht orizi
- 80 gram fruta të kuqe mali (vishnje, qershi, rrush pa fara)
Ky kombinim i vaktit me proteina i përgatitur në blender do t'i sigurojë energji të mjaftueshme organizmit dhe do t'ju japë sasinë e duhur të vitaminave dhe mineraleve.
- Qull me farë liri, hurma dhe bajame
Për këtë vakt ju nevojiten:
- 80 gram tërshërë kokërr
- 150 ml qumësht me prejardhje bimore
- 1 lugë gjelle farë liri
- 4 - 5 hurma të thata
- 50 gram bajame
- 1 lugë çaji maxhun ose mjaltë
Zieni tërshërën në zjarr të ulët dhe pasi të jetë gatuar, shtoni qumështin dhe lëreni për 5 - 10 minuta, pastaj shtoni farën e lirit, hurmat, bajamet dhe mjaltin dhe qulli është gati. Ky qull ju jep sasitë e nevojshme ditore të vitaminave, mineraleve dhe fibrave.
- Qull nga kinoa dhe kungulli
- 80 gram kinoa
- 2 copë kungull të zier
- 1 lugë gjelle mjaltë
- 1 lugë çaji kanellë
- 50 g arra të copëtuara
- ½ lugë çaji xhenxhefil të grirë
Vendosni kinoan të ziejë në zjarr të ulët dhe pasi të jetë gatuar, lëreni të ftohet, pastaj shtoni kungullin e gatuar paraprakisht, përzijini mirë dhe shtoni mjaltin, arrat dhe xhenxhefilin. Ky mëngjes, i pasur me antioksidantë, vitamina dhe minerale, do t’i sigurojë trupit energji të mjaftueshme dhe do ta ndihmojë atë në procesin e mënjanimit të toksinave.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.30-31 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTOR 2021).