TRIO GENTLEMEN
Vitin 2020 do ta kujtojmë si vitin kur karriera ndërkombëtare dhe popullariteti i treshes duhej të ngjiste majat. Gjatë viteve të fundit kemi punuar me të gjitha forcat për ta arritur këtë, por fatkeqësisht, pandemia botërore me virusin Covid 19 e bëri të veten dhe na pengoi realizimin e vizitave të planifikuara në qendrat më të mëdha kulturore në botë, si Njujork, Moskë e të tjera. Këtë vit do ta mbajmë mend edhe për shumë shfaqje të vonuara, të tilla si mbrëmje muzikore, ahengje të ndryshme private, si dhe ngjarje të shumta në mbarë vendin. Pa dyshim që dëshira jonë, si edhe e shumë njerëzve në planet, është që viti 2020 të mos përsëritet më.
Do të përpiqemi të krijojmë shprehi më të shëndetshme për të ndihmuar organizmin tonë që të përballet më lehtë me sfidat e përditshme, si në sferën private ashtu edhe në atë profesionale.
BORKO RISTOVSKI
Besoj se të gjithë duam ta harrojmë këtë vit, që më në fund po na jep lamtumirën. Ishte viti kur pandemia e koronavirusit dhe kënaqësitë të cilat na i mohoi ajo ishin temë qendrore gjithandej. Mendoj se në përgjithësi pata një vit të suksesshëm si në jetën profesionale ashtu edhe në jetën private. Si një person që vë në radhë të parë gjërat e vogla dhe "të zakonshme", uroj që viti i ardhshëm të na sjellë shëndet, lumturi dhe sukses. Mund të duket si klishe, por unë me të vërtetë udhëhiqem nga këto mendime dhe kjo është arsyeja pse e them gjithmonë se "ajo që mund të blihet me para nuk ka vlerë". Edhe pse në shikim të parë duken si dëshira shumë të thjeshta, për momentin këto janë gjërat më të vlefshme që mund t'i dëshironi në vitin e ri.
Si një adhurues i madh i vakteve të natës së vonë, unë do të bëj çmos për ta hequr qafe këtë "kënaqësi të vogël", por të ëmbël, në vitin e ri.
EDINA MUSA
S'do mend që vitin e kaluar do ta kujtoj për pandeminë, e cila na imponoi kushte të reja dhe një mënyrë krejtësisht të re të jetës. Do ta mbaj mend edhe si viti i cili na përkujtoi të gjithëve rëndësinë e familjes dhe miqësive të vërteta, si dhe viti që na bëri të kuptojmë se me dashuri dhe mbështetje të sinqertë është më lehtë të kapërcehen momentet e vështira. E vetmja dëshirë që e kam për këtë vit të ri është që më në fund të mbarojë e gjithë situata me koronavirusin dhe të fillojë sërish jeta normale.
Sa për zakonet, nuk do të ndryshoja asgjë, por thjesht do të vazhdoja me një dietë të shëndetshme dhe aktivitet të përditshëm fizik.
ENNUR TOTRE
Ashtu si e gjithë bota, këtë vit do ta kujtoj për pasojat e shkaktuara nga pandemia dhe ndryshimet e imponuara për shkak të saj. Dëshira është më se e njohur: ta lëmë pas pandeminë dhe t'i kthehemi jetës normale në mbarë botën.
Si person që u përmbahet me rreptësi zakoneve që janë pjesë e një jetese të shëndetshme, nuk do të ndryshoja asgjë. Përkundrazi, do të doja të frymëzoja njerëzit përreth meje që të përfshijnë disa nga këto zakone në jetën e tyre të përditshme.
MATEJ NASTEVSKI
Vitin që e lëmë pas do ta kujtoj për shumë ngjarje dhe momente të bukura që ndodhën në kushte të pazakonta, të shkaktuara nga koronavirusi. Gjëja më e bukur që do të mbaj mend është transmetimi i sezonit të parë të serisë “Zoki Poki”, ku interpretoj personazhin kryesor. Do të kujtoj takimet e shumta me adhuruesit dhe ndjekësit e serisë, të cilët më njihnin kudo që shkoja. Një moment tjetër që do të më mbetet në kujtesë është kur pashë veten në një stendë afishimi në Ohër, ku isha personazhi i reklamës së një kompanie. Dëshirat e mia për vitin 2021 janë të vazhdojmë të komunikojmë dhe të shoqërohemi pa kufizime, të vazhdojmë me shoqërimin nga afër dhe me aktivitete brenda dhe jashtë shkollës dhe natyrisht, të jemi shëndoshë e mirë dhe të lumtur. Mbi të gjitha, uroj që të mund të vazhdojmë xhirimet e sezonit të dytë të serisë “Zoki Poki”.
Sigurisht që në vitin e ri dua të ndryshoj disa nga zakonet e mia, për hir të një jetese më të shëndetshme. Do të doja të kujdesem më shumë që të ushqehem shëndetshëm dhe të jem më aktiv fizikisht.
SASHKO KOCEV
Epo mendoj se, si e gjithë bota, këtë vit do ta kujtoj për pandeminë që na mbylli në shtëpitë tona, por edhe në shqetësimet dhe mendimet tona. Nga mendimet mund të veçoj se, si një person që jeton një jetë profesionale intensive, ndalova, mendova se deri ku kam arritur dhe se çfarë kam bërë, në ç'drejtim do të doja të vazhdoj ose të ndryshoj rrugëtimin tim profesional, por edhe sa larg ndodhet pikësynimi, sa pak kohë do të më mbetej për t'ua kushtuar të afërmve të mi dhe se sa të rëndësishëm janë ata për përmbushjen time shpirtërore dhe frymëzimin e mëtejshëm. Në këtë vit të ri, do të doja një mjedis të shëndetshëm, në të cilin nuk do të distancohemi as fizikisht as shoqërisht. Një vazhdim të rrugës në të cilën ishim nisur, pavarësisht nga profesioni. Lajme në të cilat do të dëgjojmë suksesin e aktorëve, artistëve, atletëve dhe muzikantëve tanë, jo lajme në lidhje me dështimin e shoqërisë për t'u përballur me pandeminë për shkak të papërgjegjësisë dhe pakujdesisë së saj.
Çfarë do të ndryshoja? Pas një kohe të gjatë, u ula të mendoj edhe për këtë segment të jetesës së civilizuar. Jeta bashkëkohore me ritme të shpejta sjell zakone jo të shëndetshme, si nga ana e dietës, ashtu edhe nga ana e aktivitetit fizik. Ma merr mendja se me këto, pothuajse nëntë muaj izolim, jam pjekur mjaftueshëm dhe e kam ndarë mendjen për atë plan, por tani e tutje, përveç ushqimeve të shumta shtëpiake dhe lëngjeve të shtrydhura, mendoj se madje kam nevojë për toksifikim. Biseda në kafene, me ushqime jo të shëndetshme, biseda të gjata me njerëz që nuk na përputhen mendimet, nën një pemë të bollshme dhe një gotë raki, të cilat hapin një forum me shije dhe mendime të ndryshme në lidhje me artin teatror dhe filmik.
LAURA KËRLIU
Sipas mendimit tim, ky vit ishte në të vërtetë një vit shumë ndriçues. Filloi me shumë udhëtime, duke kërcyer në vende të ndryshme, duke njohur kultura të reja dhe duke bërë miq nga pjesë të ndryshme të botës. Sigurisht, më vonë u njohëm edhe me pandeminë, me të cilën ende po merremi. Ndonëse nuk arrita të përmbushja shumë nga planet dhe obligimet që kisha, më në fund gjeta kohë për t'ia kushtuar vetes. Kisha më shumë kohë për të lexuar, si dhe për të gatuar pjata të ndryshme, të cilat as që i kisha menduar më parë. Nëse ky është viti në të cilin askush nuk pati mundësi të udhëtonte dhe të vizitonte vende të reja, shpresoj se të gjitha ato dëshira do t'i plotësojmë në vitin 2021. Shpresoj edhe të mësojmë t’i vlerësojmë të gjitha momentet e vogla që më parë nuk kishin domethënie për ne. Uroj që ta fillojmë vitin 2021 me më shumë optimizëm dhe të jemi të gatshëm për t'u përshtatur me ndryshimet në jetën tonë. Për më tepër, të mësohemi të përqendrohemi vetëm në gjërat që mund t'i kontrollojmë dhe t'i drejtojmë në të mirën tonë.
Gjithmonë mund të bëjmë ndryshime për hir të jetesës së shëndetshme. Këto ndryshime duhet të ndikojnë në shëndetin tonë mendor, si dhe në gjumin cilësor. Në fund të çdo viti kalendarik unë rishikoj zakonet e mia dhe gjithmonë bëj plan për t'i përmirësuar ato. Këtij viti i lë lamtumirën me një dolli për të gjitha gjërat e bukura që do t’i mbaj mend nga dymbëdhjetë muajt e fundit.
IGOR ANGELOV
Mezi pres që të mbarojë ky vit. Do ta kujtoj për mosshkuarjen me pushime, për tërë situatën me pandeminë, për premierën e shfaqjes së mrekullueshme nga Nela Vitosheviq me emrin "Burri im", të cilën fatkeqësisht nuk e luajtëm, për filmin që e xhiruam në Bullgari, si dhe për sezonin e pestë të "Prespav" dhe sezonin e ri të "Petko". Në vitin 2021, para se gjithash dua që të mbarojë pandemia dhe të hapen teatrot, se më ka marrë malli shumë për publikun. Uroj që në vitin e ri unë dhe të dashurit e mi të jemi shëndoshë e mirë...
Kur është fjala për zakone që do të doja të ndryshoja në vitin e ri, do të bëj çmos që të ha më pak bukë të bardhë, të kem më shumë kohë për t'i kushtuar vetes, një kohë kur mund të largohem më shpesh nga zhurma e qytetit. Jam adhurues i shëtitjeve në mal dhe përpiqem të eci shpesh në natyrë, prandaj dua të ndaj më shumë kohë për këtë. Dua që të mund të shkoj më shumë në det dhe të ha ushqim deti.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).