Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Zbavitja është në shtëpi

December 1, 2020



Këtë vit ahengjet e Vitit të Ri do të jenë padyshim shumë të ndryshme nga ato të mëparshmet. Në mbarë botën, festat e zhurmshme dhe ahengjet e mbushura me njerëz do të zëvendësohen nga argëtimi në rrethin e familjes dhe të afërmve. Hijeshinë e shtëpisë së ngrohtë mund ta plotësoni me lojëra të ndryshme që do të marrin pjesë në krijimin e një atmosfere të hareshme gjatë natës së Vitit të Ri. Shikoni mundësitë e lojërave familjare dhe lejoni që ''nata më e çmendur'' të shndërrohet në ''natën më argëtuese''.

Shumica e lojërave që mund t'i organizoni nuk kërkojnë shumë përgatitje ose materiale. Krijoni një atmosferë argëtuese si për të moshuarit ashtu edhe për më të vegjlit.

2 të vërteta dhe 1 gënjeshtër

Kjo është lojë që nuk kërkon ndonjë përgatitje paraprake. Secili prej pjesëmarrësve duhet të thotë 3 fakte që lidhen me jetën e tyre, përditshmërinë, zakonet e tyre, qëndrimet ndaj jetën ose frikërat. Nga të tre fjalitë, vetëm njëra duhet të jetë gënjeshtër, ndërsa dy të tjerat duhet të pasqyrojnë të vërtetën. Secilit pjesëmarrës i lejohet vetëm një përpjekje për të zbuluar gënjeshtrën. Në fund të lojës, ai që mbledh më shumë pikë për gënjeshtra të zbuluara fiton. Nëse doni të siguroheni që pjesëmarrësit të mos riformulojnë dhe ngatërrojnë fjalitë e vërteta me ato të rreme, u thoni që t'i shkruajnë në letër para se të fillojë loja.

Topa pambuku

Loja me topa pambuku është e parapëlqyer, sidomos për më të rinjtë. Për të luajtur këtë lojë duhet të bëni disa topa pambuku dhe të keni një numër të mjaftueshëm tubash sipas numrit të pjesëmarrësve. Nëse keni tryezë të gjatë ngrënieje, mundeni në tryezë, nëse nuk keni një të tillë, mundeni në dysheme; vizatoni dy vija - njëra për pikën fillestare, tjetra për pikën përfundimtare. Ideja është të rrokullisni topat e pambukut duke fryrë nëpër tub, për t'i çuar topat në vijën përfundimtare. Në varësi të hapësirës së përdorshme, mund të garojnë dy deri në tre persona njëkohësisht.

Këngë të reja

Për këtë lojë ''muzikore'', të gjithë pjesëmarrësit duhet të shkruajnë një pjesë të këngës së tyre të preferuar. Mblidhni fletët me këngët dhe pritni të gjitha letrat në gjysmë, pas çka i kombinoni dhe i përzieni. Duke ndërthurur pjesë të ndryshme të këngëve, do të krijoni hite të reja që pjesëmarrësit duhet t'i këndojnë sipas muzikës së tekstit të parë. Nëse keni mundësi, mund të luani pjesët instrumentale të këngëve dhe të bëni karaoke origjinale me këngë që kanë vargje të reja.

Dëshirat e Vitit të Ri

Për këtë lojë dëshirash, është e nevojshme që të gjithë pjesëmarrësit në fletë të ndryshme letre të shkruajnë dëshirat për njerëzit përreth tyre. Kjo do të thotë se të gjithë në dhomë do të dëshirojnë diçka për të tjerët. Gruponi dëshirat dhe përpiquni t'ia qëlloni se kush dhe pse ka dëshiruar diçka të tillë për ju. Ai që ka përgjigjet më të sakta fiton, gjegjësisht ai që ia qëllon se kush e ka shkruar cilën dëshirë për të. Në këtë mënyrë do të keni mundësi të shkëmbeni dëshira të sinqerta dhe energji pozitive për Vititin e Ri.



Qëlloni emrin

Ju duhet pak përgatitje për të organizuar këtë lojë. Gjeni një numër të mjaftueshëm syzesh (me dioptri ose syze dielli), në varësi të numrit të pjesëmarrësve dhe ngjitni një copë letër me emrin e një personi të famshëm në secilën palë. Kur pjesëmarrësit të vendosin syzet, nuk do të jenë në gjendje të lexojnë emrin e shkruar në syzet e tyre dhe me ndihmën e pjesëmarrësit tjetër, ata do të përpiqen ta marrin me mend. Është shumë e rëndësishme që kur të bëni pyetje në lidhje me personin që duhet të zbulohet, pjesëmarrësi në anën e kundërt të mund të përgjigjet vetëm me "po" ose "jo". Për këtë lojë është më mirë të ndani pjesëmarrësit në çifte dhe të matni kohën e kaluar duke u munduar që ta gjejnë emrin e të famshmit.

Qëlloni shijen

Fëmijët do të jenë pjesëmarrësit më të lumtur në këtë lojë. Në një tas të madh qelqi, përzieni shije të ndryshme çokollate ose karamelesh. Pjesëmarrësit duhet të zgjedhin një karamele symbyllas dhe të thonë se për cilën shije bëhet fjalë. Fituesi është ai që gjen më shumë shije karamelesh. Kur zgjidhni çokollatë dhe karamele, kushtojini vëmendje sasisë së sheqerit që përmbajnë ato.

Këshillë shtesë nga Betty

Nëse dëshironi të shijoni lojërat që do të organizoni në shtëpi dhe njëkohësisht të gjithë të jenë plotësisht të përfshirë dhe të përqendruar, para fillimit të festës, me një shportë në dorë mblidhni të gjitha pajisjet celulare. Në këtë mënyrë do të kujtoheni se bota virtuale nuk mund të jetë kurrë më e çmueshme se përjetimi i çasteve të bukura së bashku.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26-27 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>