Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Guri i dhëmbëve: Shkaqet, trajtimi dhe parandalimi

June 1, 2021

D-r Iskra Avramoska
Doktor i Stomatologjisë
ISHP Në Dent, SHKUP

|



Në zyrën tonë dentare, pacientët të cilët gjatë vitit bëjnë ekzaminime të rregullta sistematike në lidhje me shëndetin oral, shumë shpesh e praktikojnë edhe heqjen e gurit të dhëmbëve, përkatësisht heqjen e pllakës së mineralizuar të mbledhur në dhëmbë. Pllaka dentare është një shtresë e tejdukshme, e pangjyrë dhe e butë, e mbushur me baktere, që depozitohet në të gjitha sipërfaqet në gojë, ndërsa me kalimin e kohës, nën ndikimin e mineraleve të pështymës, ushqimit dhe ujit, bëhet e ngurtë dhe depozitohet në sipërfaqen e dhëmbit. Vendet ku guri i dhëmbëve depozitohet më shpesh, nuk janë të arritshme për vetëpastrim ose janë vende që shumë shpesh harrojmë t'i pastrojmë kur i lajmë dhëmbët. Ato janë hapësira midis dhëmbëve të rrotulluar, sipërfaqja e prapme e molarëve të fundit, ana gjuhore e dhëmbit dhe vija rreth qafës së dhëmbit.

Ka disa vende në zgavrën e gojës në të cilën guri i dhëmbëve depozitohet shumë më shpejt se në vende të tjera, siç janë vendet ku ndodhen kanalet sekretore të gjëndrave të pështymës, përkatësisht ana gjuhore (e brendshme) e prerësve të poshtëm dhe ana e faqes e molarëve të sipërm. Në këto vende ekzistojnë gjëndra nëngjuhore dhe parotide të pështymës, ku sekretohet shumë më tepër pështymë, ndaj nën ndikimin e mineraleve, depozitat e buta kthehen në të ngurta.

Guri i dhëmbëve mund të jetë supragingival, gjegjësisht në sipërfaqen e mishit të dhëmbëve dhe subgingival, gjegjësisht nën sipërfaqen e mishit të dhëmbëve. Guri subgingival nuk është i dukshëm me sy të lirë dhe është më i rrezikshëm për shëndetin e parodontit, pasi pjesa nën sipërfaqen e dhëmbit, menjëherë nën gingivë, është një vend ideal për grumbullimin e depozitave të dhëmbëve. Prandaj është shumë e rëndësishme higjiena e rregullt e gojës, ashtu siç është edhe përdorimi i një furçe të butë që do t'i heqë depozitat nën nivelin e mishit të dhëmbëve dhe kështu do të parandalojë grumbullimin e baktereve, që më vonë kthehen në depozita të ngurta nën indin e dhëmbëve. Guri i dhëmbëve shumë shpesh merr ngjyrë, si pasojë e ngjyrave që përdoren në industrinë e ushqimit dhe industrinë e prodhimit të pijeve, por sigurisht ndryshimi më i theksuar i ngjyrës së dhëmbëve, gjegjësish ngjyrës së depozitave të grumbulluara, vërehet te duhanpirësit.

SI NDIKON GURI I DHËMBËVE NË SHËNDETIN ORAL? 

Nëse nuk hiqet në kohë, guri i dhëmbëve i shtyp indet e buta rreth dhëmbëve. Ai grumbullohet rreth qafës së dhëmbit dhe çon në inflamacion të mishit të dhëmbëve - gingivës, kurse shumë shpesh shfaqet edhe inflamacion, gjegjësisht gingiviti. Gingiviti është faza e parë e një sëmundjeje kronike të aparatit mbështetës të dhëmbit, e quajtur paradontopati. Gingiviti është i kthyeshëm, domethënë mund të shërohet dhe indet rreth dhëmbit mund të kthehen në gjendjen e mëparshme të shëndetshme. Megjithatë, paradontopatia është e një natyre të pakthyeshme, që do të thotë se me t'u shfaqur një herë, nuk mund të ndreqet me metodat normale konservative dhe me mirëmbajtje të higjienës së rregullt, por vetëm me anë të procedurave kirurgjikale. Nga kjo mund të përfundojmë se parandalimi dhe vizitat e rregullta te dentisti janë çelësi i suksesit në parandalimin e paradontopatisë, kurse me parandalimin e gingivitit si faza e parë e sëmundjes, mbështetja e indeve të dhëmbëve mund ta pengojë përparimin e sëmundjes.

HEQJA E GURIT TË DHËMBËVE

Guri i dhëmbëve mund të hiqet vetëm me metoda profesionale te dentisti. Sot, metoda më efektive dhe më moderne është zhgurëzimi me anë të ultratingujve, me një pajisje të veçantë që punon me ultratinguj dhe mikrovibrim për heqjen e depozitave të ngurta nga dhëmbët. Përveç pajisjes me ultratinguj, ka edhe instrumente për heqje manuale. Sot, heqja me anë të ultratingujve është modernizuar në një masë të tillë që instrumentet manuale thuajse kanë dalë jashtë përdorimit, pasi shtojcat me madhësi të ndryshme të pajisjes me ultratinguj mund t'i heqin në mënyrë shumë më efektive të gjitha depozitat e ngurta, si ato supragingivale ashtu edhe ato subgingivale.

Kur ka shumë gur në gojë, pa dyshim se ka edhe një inflamacion të madh të indit të dhëmbëve. Në atë rast, është normale që të ketë mjaft gjakderdhje nga mishrat gjatë heqjes së tij. Nëse ka një sasi të madhe të gurit të depozituar, heqja mund të zhvillohet në dy seanca. Në këtë mënyrë lejohet që sadopak të shërohet indi i dhëmbëve, i cili është ndodhur “i sigurt” në gjendje inflamatore dhe gjithashtu t'i jepet pacientit kohë për pushim midis seancave. Kur hiqet guri i dhëmbëve, nëse dentisti e sheh të arsyeshme mund të përdoren shirita gërryes që kalojnë midis dhëmbëve dhe i heqin më tej mbetjet e gurit të dhëmbëve. Kjo procedurë zakonisht praktikohet te pacientët që kanë depozita të mëdha të gurit të dhëmbëve. Pas heqjes së tij, dhëmbët duhet të lustrohen hollësisht. Dentisti e bën këtë me një furçë dhe pastë profesionale. Lustrimi i zbut sipërfaqet e smaltit dhe i heq të gjitha depozitat e buta të paluajtshme.

Lëmimi (Air Flow)

Përveç trajtimeve të mësipërme, shumë shpesh zbatohet edhe lëmimi i dhëmbëve, i quajtur gjerësisht Air Flow. Lëmimi bëhet me një pajisje të veçantë, e cila është e montuar në instrumentin e implantit dhe me ndihmën e rërës gërryese dhe ujit, hiqen depozitat nga dhëmbët. Air Flow është një metodë bashkëkohore që i pastron në mënyrë shumë efektive depozitat dhe pigmentimin në sipërfaqen e dhëmbit dhe hapësirën midis dhëmbëve. Lëmimi mund të përdoret së bashku me heqjen e gurit të dhëmbëve me laser.

ÇFARË PAS HEQJES SË GURIT TË DHËMBËVE?

Kur guri i dhëmbëve hiqet nga sipërfaqja e dhëmbit dhe sidomos kur pacienti nuk i është nënshtruar kurrë ose për një kohë të gjatë kësaj ndërhyrjeje, ai përjeton një ndjesi sikur ka hapësira midis dhëmbëve që nuk i kishte pasur më parë. Kjo është e vërtetë, sepse guri i dhëmbëve që e ka mbushur atë hapësirë tani është hequr. Kjo ndjesi zhduket pas disa ditësh, pasi gingiva e mbush hapësirën e zbrazur, domethënë kthehet në gjendjen e saj natyrore para se të shtypej nga depozitat. Përveç kësaj, pacienti mund të vërejë gjakderdhje nga mishrat kur i lan gjatë ditëve të para, por e gjithë kjo është pasojë e ndjeshmërisë dhe faktit se mishrat tani janë të lirë nga depozitat e ngurta dhe u duhet kohë për t'u kthyer në gjendjen e tyre normale. Me higjienën e duhur dhe të butë, kjo simptomë largohet.

SHFAQJA E GURIT TË DHËMBËVE TE FËMIJËT

Inflamacioni i mishit të dhëmbëve dhe shfaqja e gurit nuk i kursen as më të vegjlit, nëse nuk mbajnë higjienë të rregullt të gojës. Te fëmijët ndonjëherë mund të shfaqet një njollë e zezë, e cila nuk është gur dhëmbësh, por një lloj pigmentimi që nuk i dëmton dhëmbët, ndonëse përbën problem estetik. Edhe ky lloj pigmentimi hiqet me lëmim ose në të njëjtën mënyrë siç hiqet guri i dhëmbëve.

Me rëndësi të madhe për shëndetin oral janë vizitat e rregullta te dentisti. Larja e drejtë dhe ushqimi i shëndetshëm mund të parandalojnë shfaqjen e gurit të dhëmbëve, duke qenë se higjiena e rregullt i heq depozitat e buta, të cilat janë pararendëse të depozitave të ngurta.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26-27 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>