Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Sëmundjet e veshkave

June 1, 2021

Marija Bogdanovska
EPSH K-MEDICA

|

јуни2021

Veshkat janë çift organesh, të vendosura në hapësirën retroperitoneale, në pjesën e pasme të zgavrës së barkut, në të dy anët e shtyllës kurrizore, nga rruaza e fundit e kraharorit deri te rruaza e dytë e ijëve. Ato ngjajnë me kokrrën e fasules dhe peshojnë rreth 150 gr. Roli kryesor i veshkave te njeriu është ruajtja e homeostazës (ekuilibrit të vazhdueshëm të brendshëm të organizmit) dhe sekretimi i produkteve fundore të metabolizmit. Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Lëndët ushqyese barten nëpërmjet gjakut deri te qelizat, ku përdoren për procese të duhura metabolike, nga të cilat fitohen më pas produkte fundore të panevojshme, të cilat duhet të hidhen jashtë përmes gjakut. Uji i tepërt, kripërat, amoniaku dhe disa substanca të pazbërthyera, mënjanohen nëpërmjet veshkave. Në të kundërt, vjen deri te çrregullimi i një numri të madh funksionesh të organizmit.

Sëmundjet e veshkave janë shumë të zakonshme dhe shoqërohen me një mori simptomash, por shpesh anashkalohen dhe nuk u kushtohet rëndësia e duhur, ndonëse pikërisht zbulimi në kohë i simptomave mund të parandalojë shfaqjen e pasojave serioze. Mosfunksionimi i tyre mund të sjellë dëmtime serioze në organizëm, ndërsa në rastin më të keq, edhe vdekjen. Për ta bërë më të lehtë dhe të hershëm zbulimin e sëmundjeve të veshkave, është e rëndësishme që t'u kushtohet vëmendje simptomave të caktuara. Disa nga simptomat më të rëndësishme janë:

*Dhimbja: një nga shenjat e para të njohura të sëmundjes së veshkave është dhimbja. Fillon nga mesi deri në gjysmën e poshtme të shpinës dhe mund të përhapet në bark dhe ijë, në varësi të shkallës së infeksionit.

*Problemet me urinimin: shumica e njerëzve në rrethana normale urinojnë nga 4 deri në 6 herë në ditë. Urinimi i shpeshtë pa shtuar konsumin e lëngjeve gjatë ditës, është simptomë e infeksionit të fshikëzës ose traktit urinar. Inflamacioni gjithashtu mund të shkaktojë dhimbje gjatë urinimit ose nevojë të ngutshme për të urinuar, që shoqërohet me zbrazje të dhimbshme. Sasia e urinës është zakonisht shumë e vogël. Urinimi i shpeshtë gjatë natës mund të ndodhë në fazën e hershme të disa sëmundjeve të veshkave. Fillimi i vështirë i urinimit, currili i dobët dhe urinimi i pakontrolluar, janë gjithashtu dukuri të zakonshme.

*Ndryshimet në urinë: sasia normale e urinës gjatë ditës është 400-2000 ml. Një ndryshim në sasinë e urinës, si zvogëlimi (nën 400 ml) ose rritja (mbi 2000 ml), është shenjë e sëmundjes së veshkave. Normalisht ngjyra e urinës është e verdhë e çelur, por në prani të sëmundjeve të caktuara, vërejmë urinë të çelur dhe të holluar ose urinë të errët dhe të përqendruar. Nga ana tjetër, gjaku në urinë (hematuria) jep ngjyrë të kuqe në kafe, varësisht nga sasia e gjakut në të.

*Ënjtja: veshkat e dëmtuara nuk janë në gjendje të mënjanojnë ujin e tepërt nga organizmi. Ënjtja ndodh në këmbë, fytyrë, rreth syve dhe nyjave, që është pasojë e mbajtjes së lëngjeve në trup.

*Anemia: çrregullimi i funksionit të veshkave çon në prodhim të zvogëluar të eritropoetinës, i cili stimulon eritropoezën në palcën e eshtrave.

*Skuqja e lëkurës: meqenëse veshkat nuk arrijnë ta kryejnë punën e tyre, toksinat grumbullohen në gjak. Kjo sjell acarim dhe thatësi të lëkurës, skuqje dhe kruajtje. Edhe nëse trajtohet në nivel lokal, problemi me veshkat ngelet.

*Frymëmarrja e pamjaftueshme dhe era e keqe nga goja: funksioni i dobësuar i veshkave çon në një nivel të reduktuar të oksigjenit, gjë që çon në frymëmarrje të pamjaftueshme dhe grumbullim të uresë, që çon më pas në formimin e amoniakut në pështymë dhe erën e keqe nga goja.

*Lodhja dhe marramendja: një rënie në prodhimin e eritropoetinës çon në prodhimin e reduktuar të qelizave të kuqe të gjakut, funksioni kryesor i të cilave është bartja e oksigjenit. Ulja e prurjes së oksigjenit në tru, çon në shfaqjen e lodhjes dhe marramendjeve.

Inflamacion i fshikëzës - Cistiti

Kur bëhet fjalë për inflamacion të fshikëzës, kemi të bëjmë me infeksion të mukozës së fshikëzës dhe si pasojë, shfaqet një nevojë e shpeshtë për të urinuar, që shoqërohet me dhimbje. Në shumicën dërrmuese të rasteve, shkaktar për këtë është infeksioni bakterial.

Ka lloje të ndryshme të cistiteve, më i përhapur nga të cilët është cistiti bakterial. Cistiti bakterial më shpesh shkaktohet nga bakteri Escherichia Coli, bakter që përndryshe jeton në zorrë. Cistiti shfaqet kur bakteret nga zona anale ose vagjinale depërtojnë në fshikëz përmes uretrës, gjë që mund të ndodhë gjatë marrëdhënieve seksuale ose fshirjes pas zbrazjes së zorrëve. Rreziku i cistitit bakterial rritet nëse fshikëza nuk mund të zbrazet deri në fund, gjë që ndodh kur urinohet pa nevojë.

Cistiti intersticial është inflamacion i rrallë kronik jobakterial i mukozës dhe indeve të fshikëzës, që mund të shkaktojnë ulcerë. Shkaktari është i panjohur, ndërsa besohet se disa ushqime ose pije mund të përkeqësojnë simptomat. Ky lloj cistiti është përgjegjës për simptomat kronike të dhimbjes në legen dhe urinimin e shpeshtë, që nuk qetësohen edhe pas marrjes së terapisë antibiotike.

Simptomat janë të njëjta në të gjitha llojet e cistitit, edhe atë djegie gjatë urinimit, urinim i shpeshtë, një ndjenjë urgjence për sasi të vogla urine, një ndjenjë moszbrazjeje, dhimbje në pjesën e poshtme të barkut, ndërsa rrallëherë edhe temperaturë e lartë dhe ethe.

Cistiti është më karakteristik për gratë. Në mesin e burrave, ky infeksion është i rrallë, ndërsa nëse shfaqet, është i lidhur zakonisht me ndonjë sëmundje tjetër të veshkave. Te fëmijët, cistiti mund të paraqitet si pasojë e një problem anatomik ose strukturor.

Nëse vëreni ndonjë nga këto simptoma, duhet të kontaktoni mjekun tuaj.

Si trajtohet?  Simptomat mund të lehtësohen me marrje të sasive më të mëdha të lëngjeve (gjysmë litër çdo gjysmë ore), ndërsa çajrat bimorë e zvogëlojnë ndjesinë e djegies gjatë urinimit dhe e rrisin mënjanimin e produkteve të metabolizmit. Me rekomandimin e mjekut, mund të jepen analgjetikë për zbutjen e dhimbjes dhe terapi antibiotike.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>