|
Branko Poposki
Bloger - e ushqimi
Nëse synojmë të përqendrohemi te ushqimi i shëndetshëm, ushqimi që nuk përmban nivele të larta të yndyrës, kripës, sheqerit, atëherë të gjitha mesvaktet me ushqime të përpunuara nuk duhet të jenë në menynë tonë ose duhet ta zvogëlojmë ngrënien e tyre, përkatësisht të përfshihen si përjashtime të rralla. Shmangja e këtyre mesvakteve do të na ndihmojë në synimin tonë për të humbur peshë ose për të mbajtur një peshë normale të trupit.
Mesvaktet gjatë ditës, ushqimet e lehta gjatë shikimit të një serie, filmi ose ndeshje sportive, jo domosdoshmërisht duhet të jetë një shprehi e pashëndetshme që do të na bëjë të shtojmë në peshë dhe do të na shkaktojë probleme shëndetësore shtesë, si niveli i lartë i sheqerit, yndyrnave apo triglicerideve në gjak. Prandaj, në vazhdimin e këtij teksti, unë do t'ju zbuloj disa receta të shëndetshme për përgatitjen e të ashtuquajturave "mesvakte të shëndetshme" që do të bëhen pjesë e shprehive tuaja të shëndetshme.
Këto mesvakte do të zvogëlojnë ndjenjën e urisë, do të na mbajnë të ngopur dhe do të na ndihmojnë tërthorazi në procesin e humbjes së peshës. Në përbërjen e tyre ato përmbajnë përbërës që, përveçse janë të dobishëm për humbje në peshë ose për mirëmbajtje të peshës së trupit, ndihmojnë gjithashtu në forcimin e imunitetit dhe gjallërinë e trupit. Këto "mesvakte të shëndetshme" zakonisht përmbajnë produkte me drithëra të plota, të pasura me fibra, yndyra dhe sheqerna të shëndetshëm dhe një kombinim të frutave të freskëta.
Shkopinj integralë me qimnon dhe fara liri
Përbërësit e nevojshëm:
- 300 gram miell integral
- 250 gram miell të bardhë
- 1 qese pluhur për pjekje
- 200 mililitra ujë të gazuar ose birrë
- 1/4 filxhan vaj
- 100 gram luledielli të qëruar
- 100 gram fara liri
- 50 gram qimnon
- 100 gram susam të bardhë dhe të zi
- kripë sipas shijes
Mënyra e përgatitjes:
Në një tas të thellë, shtoni të gjithë përbërësit, përveç farave të susamit të bardhë dhe të zi. Përzieni mirë me një lugë druri. Kur t'i keni përzier të gjithë përbërësit, filloni të ngjeshni një brumë të butë me duar të pastra. Nëse gjatë përgatitjes brumi ngjitet në duar, shtoni miell sipas nevojës, derisa të krijohet një masë homogjene.
Pasi të keni gatuar brumin, lëreni për rreth 30 minuta dhe më pas formoni shkopinj. Në një tepsi, të veshur më parë me letër për pjekje, rregulloni shkopinjtë e brumit dhe spërkatni sipër farat e susamit të bardhë dhe të zi.
Piqni për 20 minuta në një furrë të nxehur paraprakisht në 180 gradë.
Për më tepër, mbi shkopinjtë integralë mund të shtoni fara kungulli ose luledielli, rozmarinë të freskët dhe kripë deti.
Granola bar me aronia dhe bajame
Përbërësit e nevojshëm:
- 10 hurma
- 100 gram gjalpë bajamesh dhe kokosi ose gjalpë nga ndonjë arrë tjetër
- 80 mililitra vaj kokosi
- 200 gramë tërshërë
- 1 lugë gjelle fara liri
- 1/2 lugë çaji kanellë
- 50 gram bajame të pëgjysmuara
- 50 gram aronia të freskëta
- 1 lugë gjelle luledielli të qëruar
Mënyra e përgatitjes:
Lërini hurmat në ujë të ftohtë për 8 orë për t'u zbutur, duke hequr kockën prej tyre, ose rreth 5-10 minuta në ujë të valuar. Pastaj, në blender, shtoni hurmat dhe ujin në të cilin kanë qëndruar dhe përzijeni derisa të bëhet pure.
Vendosni purenë në një tas në zjarr, shtoni gjalpin e arrave dhe vajin e kokosit dhe përzijeni derisa të fitoni masë homogjene.
Në një enë tjetër, shtoni tërshërën, lulediellin e qëruar, farat e lirit, gjysmën e aronieve të freskëta, kanellën dhe gjysmën e bajameve të përgjysmuara. Përzieni të gjithë këtë përzierje në masën e përgatitur më parë. Që përbërësit të mos ngjiten në duar, rekomandohet të përzieni me një lugë druri. Pasi të keni përzier të gjithë masën, vëreni në një tepsi të veshur me letër, shtypeni mirë dhe rrafshojeni nga të gjitha anët, në mënyrë që të mos ketë ajër.
Shtoni pjesën tjetër të bajameve dhe aronive të freskëta në përzierjen e përgatitur, dhe lëreni në frigorifer për rreth 1 deri në 2 orë.
Kënaquni me shijen e shëndetshme të këtyre dy recetave. Kombinojini ato me lëng portokalli dhe limoni të shtrydhur rishtazi ose çaj boronice të ftohtë dhe gjethe të freskëta nenexhiku.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2020).