Tanja Sazdovska
Krijuese përmbajtjesh,
adhuruese dhe njohëse e kafesë
|
Për shumë prej nesh, kafeja është diçka që na zgjon çdo mëngjes dhe na vazhdon humorin e mirë gjatë ditës për të paktën një ose dy orë. Pavarësisht se ku dhe kur pihet, kafeja është një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe zakoneve tona të përditshme.
Tashmë janë të mirënjohura dobitë që sjell kafeja në shëndetin e njeriut nëse pihet me moderim. Kafeja përmban kafeinë, e cila përmirëson ndjeshëm energjinë dhe përshpejton metabolizmin dhe me këtë, edhe gjendjen fizike. Përveç antioksidantëve, kafeja përmban minerale, nga të cilat më së shumti B2 ose riboflavinë, si dhe B5, B3, magnez dhe kalium. Shumë hulumtime shkencore kanë treguar se kafeja zvogëlon ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të diabetit, sëmundjes së Alzheimerit dhe Parkinsonit, si dhe disa llojeve të sëmundjeve kancerogjene.
Por të gjitha këto karakteristika të kafesë humbasin me të shtuar madje edhe gjysmë luge sheqer, ëmbëlsues artificial ose ëmbëlsues në formën e një shurupi të butë.
Në ditët e sotme, në menunë e bareve e kafeneve vërejmë gjithnjë e më shumë lloje të reja të "kafeve" që kanë më shumë sheqer dhe produkte të qumështit, sesa kafe.
Latte vanilje,
latte kungulli dhe pije të ngjashme të njohura të kafesë përmbajnë pak kafe dhe shumë sheqer, të cilat krijojnë një lloj varësie dhe tek të cilat nxitojmë të kthehemi.
Për fat të mirë, nuk është kurrë vonë për të hequr dorë nga shprehitë e këqija. Për më tepër, ekziston një mënyrë për të ëmbëlsuar kafenë tuaj në mënyrë të shëndetshme dhe natyrale, me përbërës që ndoshta i keni në kuzhinë. Në këtë mënyrë do të mund të shijoni kafenë e shijshme dhe të gjitha përfitimet e saj.
Kafeja me limon
Limonët janë burim natyral i vitaminës C dhe antioksidantëve. Disa pika limoni në kafe, jo vetëm që rrisin vlerën ushqyese të kafesë, por gjithashtu i japin shije kafesë në mënyrë të shëndetshme dhe natyrale. Së bashku, këta dy përbërës janë shumë të fuqishëm në rritjen e imunitetit dhe mbrojtjen kundër shumë sëmundjeve kronike.
Kafeja me mjaltë
Edhe pse mjalti përmban sheqer, ai është gjithsesi më i shëndetshëm se sheqeri i bardhë i përpunuar, ngase përmban një numër vitaminash dhe mineralesh që janë të rëndësishme për mbajtjen e një jetese të shëndetshme, ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe kështu mbron nga ftohjet dhe sëmundjet e tjera bakteriale. Një lugë sheqer i bardhë në kafe mund të zëvendësohet me vetëm gjysmë apo çerek luge mjaltë dhe kështu kafja nuk do të humbasë vlerën e saj ushqyese, por do të jetë më e pasur dhe në të njëjtën kohë, e ëmbël.
Kafeja me shafran të Indisë
Shafrani i Indisë është një erëz e pasur me antioksidantë dhe mbron nga inflamacioni dhe sëmundjet bakteriale. Një majë luge e kësaj erëze në kafe është e mjaftueshme për t’i dhënë një shije të mrekullueshme, ndërsa për thithjen më të mirë të shafranit të Indisë, mund të shtoni pak piper të zi dhe kanellë. Një pije e mrekullueshme e ngrohtë dhe e shëndetshme për këtë vjeshtë.
Kafeja me kanellë
Kanella është një erëz e mrekullueshme ekzotike që shkon në mënyrë të përkryer me kafenë. Konsumimi ditor i kanellës, deri në një lugë në ditë, luan një rol të madh në parandalimin e diabetit, si dhe në uljen e niveleve të larta të sheqerit dhe kolesterolit në gjak, përmirësimin e qarkullimit, rritjen e energjisë dhe stimulimin e funksionit të trurit.
Kombinimi i kafesë dhe kanellës dyfishon vlerat ushqyese të kafesë dhe të kanellës në veçanti, por gjithashtu zbut kafenë dhe i jep një shije që do t'i zgjojë të gjitha shqisat tuaja. Është e lehtë të shtohet në çdo lloj kafeje të përgatitur, në formën e pluhurit ose me një shkop kanelle që do ta përdorni për të përzier kafenë e nxehtë.
Kafeja me kakao
Kakaoja është gjithashtu e dobishme për shëndetin dhe e pasur me antioksidantë dhe ka një rol të madh në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Për të përmirësuar shijen e ju duhet shumë pak kakao dhe tashmë keni një pije të ngrohtë të shëndetshme; një kombinim i çokollatës së zezë dhe kafesë, me zero sheqer të shtuar.
Edhe nje gjë për fund
Këto ide janë vetëm disa nga mënyrat e mundshme për të përmirësuar kafenë dhe vlerat e saj ushqyese, kurse çdo gjë tjetër varet nga stili i jetesës dhe mënyra e të ushqyerit.
Gjëja më e rëndësishme është që kafeja të konsumohet në mënyrë të moderuar dhe të zvogëlohet përdorimi i sheqerit dhe ëmbëlsuesve në kafe, me qëllim që të ndihen të gjitha dobitë që sjell kafja.
Nuk rekomandohet të pini kafe pasdite vonë dhe në mbrëmje, sepse mund t'ju zvogëlojë nevojën për gjumë dhe cilësinë e gjumit.
Shijoni kafenë tuaj!
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.30-31 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2022).