Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Abuzimi me substancat në popullatën e moshuar

June 1, 2021

Dr. med. sci. Maja Milovançeva-Popovska
Interniste-nefrologe
IPSH Promedika Medikal Centar

|



Abuzimi me alkoolin dhe substancat e tjera në mesin e popullatës së moshuar është në rritje, çka ka bërë që ky problem të cilësohet edhe si “epidemi e padukshme”. Faktorët që kontribuojnë ose e shoqërojnë abuzimin tek të moshuarit mund të jenë individualë, socialë ose familjarë. Nga pikëpamja gjinore, burrat abuzojnë më shpesh me alkoolin, ndërsa gratë abuzojnë më shpesh me barnat.

Në vitet e mëvonshme të jetës, të moshuarit bëhen një grup veçanërisht i prekshëm, veçanërisht kur përballen me ndryshime të mëdha, janë të shqetësuar ose nën stres për shkak të nxjerrjes nga puna ose pensionimit të papritur, pikëllohen nga humbja e ndonjë të afërmi, përballen me izolim social, vetmi, probleme të gjumit, konflikte familjare, probleme financiare e të ngjashme. Faktorë të tjerë të mundshëm të rrezikut janë gjendja e keqe shëndetësore, sëmundjet kronike, dhimbjet kronike, paaftësia fizike, lëvizshmëria e kufizuar, sëmundjet psikiatrike, historia e mëparshme e problemeve me alkoolin dhe përdorimin e drogave të paligjshme, ndryshimet në stilin e jetesës, paaftësia për t'u ballafaquar me problemet, faktorët socialë etj.

Shëndeti fizik dhe mendor i të moshuarve është vendimtar për atë se nëse do të abuzojnë me substanca të caktuara, siç është edhe historia paraprake e problemeve me alkoolin. Kështu për shembull, pirja e alkoolit për të zvogëluar dhimbjen është një kallëzues kyç afatgjatë për përdorimin e alkoolit në moshë më të vjetër. Në mënyrë të ngjashme, personat që kanë përdorur drogë ose alkool në moshë më të re për të zvogëluar tensionin dhe për të përballuar stresin, kanë më shumë gjasa për të zhvilluar dhe mbajtur prirjet abuzive në moshë më të vjetër.

Ekziston një lidhje e fortë e përdorimit të substancave, sidomos alkoolit dhe disa problemeve bashkëshoqëruese, si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e personalitetit, me ç'rast bëhet shumë e vështirë për ta dalluar se ku qëndron problemi i vërtetë. Të moshuarit që përdorin alkool shpesh kanë çrregullime të gjumit, por gjithashtu mund të përdorin alkool për të fjetur. Këtu duhet cekur se përdorimi i njëkohshëm i barnave të gjumit dhe alkoolit është veçanërisht i rrezikshëm, pasi mund të shkaktojë qetësim të tepruar dhe ndërtolerancë.

Faktorët socialë janë po ashtu të rëndësishëm për zhvillimin e abuzimit tek të moshuarit, ku dallohet izolimi social, i cili është më shpesh i lidhur me abuzimin e barnave dhe kontaktet sociale me miqtë dhe familjen, të cilat janë më shpesh të lidhura me rritjen e konsumit të alkoolit. Në këtë mes mund të përmenden edhe ngjarje të caktuara jetësore në jetën e mëvonshme, si pikëllimi (vdekja e bashkëshortit, një të afërmi ose miku), shëndeti fizik, vetmia, kujdesi për një bashkëshort të sëmurë, ndryshimi i vendbanimit, mospasja e një shtëpie të përhershme, humbja e profesionit, pensionimi i detyruar, të cilat në shumë raste janë përgjegjëse për rritjen e rrezikut të abuzimit.

Abuzimi në popullsinë e moshuar është i vështirë për t'u zbuluar. Disa simptoma mund të ngatërrohen lehtë me shenjat e plakjes. Kur të moshuarit nuk janë në punë ose janë në pension, abuzimi nuk ndikon në procesin e punës dhe është më i vështirë për t'u spikatur. Kësisoj, abuzimi mund të fshihet më lehtë dhe më gjatë. Familja, miqtë dhe mjekët shpesh as që e dinë kur njerëzit e moshuar kanë problem me abuzimin. Ndonjëherë njerëzit vërejnë sjellje të çuditshme, por i anashkalojnë ato duke hamendësuar se është pjesë e ndryshimeve që sjell mosha.

Plakja në vetvete është një faktor i veçantë rreziku për dëm, edhe kur bëhet fjalë për sasi minimale të këtyre substancave, megjithëse faktorët e rrezikut ndryshojnë shumë në varësi të substancës dhe personit (mosha, problemet shëndetësore, barnat).

Simptomat dhe treguesit që mbase ka abuzim mund të jenë të ndryshme. Ata që përdorin barna mund të kenë nevojë gjithnjë e më shumë për receta dhe barna. Ata me problem alkooli mund të fillojnë të pinë vetë dhe në fshehtësi, si dhe të kenë tolerancë të rritur, ligjërim të paqartë, huti, humbje të kujtesës, çorientim, shqetësim, ndryshime të shpejta të humorit, vështirësi në të menduar, probleme të gjumit ose pagjumësi, mosmbajtje të urinës, depresion ose ankth, më pak kontakte me familjen dhe miqtë, izolim social, humbje të interesit për gjërat që i kanë shijuar në të kaluarën, rënie të pashpjegueshme, mavijosje, ushqim të varfër me lëndë ushqyese, higjienë të dobët personale dhe neglizhencë për veten.

Alkooli mbetet substanca më e përdorur në mesin e të moshuarve dhe abuzimi me të është i vështirë për t'u dalluar. Alkooli tek të moshuarit mund të ketë efekte anësore të shumta. Me moshën, trupi reagon ndryshe ndaj alkoolit dhe si rrjedhim, mjafton një sasi më e vogël për t’u dehur dhe duhet një kohë më e gjatë për t'u kthjellur dhe për të ardhur në vete.

Alkooli ka ndikim të veçantë fizik në trupin e të moshuarve në krahasim me të rinjtë dhe njerëzit e moshës së mesme. Me kalimin e viteve zvogëlohet përqindja e masës së pastër muskulore dhe e ujit të përgjithshëm në trup, zvogëlohet aftësia e mëlçisë për të përpunuar alkoolin dhe nga ana tjetër, rritet përshkueshmëria e barrierës gjak-tru dhe rritet ndjeshmëria e receptorëve në tru ndaj alkoolit. Për shkak të këtyre ndryshimeve, të moshuarit kanë përqendrim më të lartë të alkoolit në gjak dhe përjetojnë dëme më të mëdha. Kjo i bën ata më të prekshëm ndaj efekteve anësore të alkoolit madje edhe në sasi të moderuara, si dhe u shkakton më shumë probleme gjatë aktiviteteve të përditshme.

Alkooli mund të bashkëveprojë me barnat që i marrin të moshuarit për problemet bashkëshoqëruese dhe psikiatrike të tyre, duke bërë që shumë probleme, siç janë diabeti, presioni i lartë i gjakut, demenca, depresioni, të përkeqësohen, si dhe të rritet rreziku i goditjes hemorragjike në tru.

Sa i përket abuzimit me barnat, ka më shumë arsye pse ndodh një gjë e tillë. Njerëzit mbi 65 vjeç kanë probleme të shumta shëndetësore, gjë që i shtyn të marrin rregullisht barna të ndryshme njëkohësisht (të përshkruara dhe të papërshkruara nga mjeku), të cilat mund të mos kombinohen mirë ose barnat mund të kenë efekt më të fortë dhe të qëndrojnë më gjatë në trup.

Të njëjtat ndryshime biologjike që rrisin efektin e alkoolit tek të moshuarit, rrisin edhe efektin e barnave. Më së shpeshti (keq)përdoren barnat kundër dhimbjeve, qetësuesit, stimulantët, opoidet, përgjithësisht benzodiazepinët. Metabolizmi i benzodiazepinëve dhe barnave narkotike dallon nga ai i të rinjve, çka bën që tek të moshuarit të shkaktojnë qetësim të tepruar. Benzodiazepinët janë të tretshëm në yndyrë, ndërsa trupi në moshë të vjetër ka më pak masë muskulore dhe më shumë ind dhjamor, prandaj këto barna qëndrojnë më gjatë në trup. Rrezik të veçantë përbën edhe fakti që të moshuarit pinë më shumë barna, të cilat mund të bien ndesh në mes vete, ndërsa jo rrallëherë ndodh që të moshuarit padashur të ngatërrojnë barnat ose të pinë më shumë herë të njëjtin bar.

Abuzimi i cigareve është i përhapur në mesin e popullatës së moshuar, sidomos te duhanpirësit e rëndë dhe shumëvjeçarë dhe një pjesë e mirë e tyre abuzojnë edhe me alkoolin, sidomos meshkujt. Pirja e duhanit shkakton varësi fizike dhe psikologjike nga nikotina, ndërsa tek të moshuarit është e lidhur me vdekshmërinë në rritje, sëmundjen pulmonare obstruktive kronike, zvogëlimin e funksionit të mushkërive, vdekjen kardiake, kancerin, zhvillimin e osteoporozës, gatishmërinë më të ulët fizike etj.

Abuzimi i drogave të ndaluara është një problem në rritje. Një pjesë e mirë e brezit të vjetër, të cilët edhe më herët gjatë jetës kanë përdorur droga të paligjshme, përdorin më shpesh kanabis se droga të tjera. Kanabisi gjen përdorim në mjekësori dhe në shumë raste të moshuarit e përdorin për të përballuar sëmundjet dhe komplikimet që dalin prej tyre (dhimbje, pagjumësi). Mirëpo kanabisi edhe vetë mund të shkaktojë probleme, sidomos tek ata me sëmundje të zemrës. Mund të vijë deri tek intensifikimi i efektit të barnave të tjera, humbja afatshkurtër e kujtesës, rritja e presionit të gjakut, pulsi i përshpejtuar, frymëmarrja e përshpejtuar, rritja e rrezikut të sulmit në zemër etj. Rreziqet janë më të theksuara tek njerëzit e moshuar, aftësitë njohëse ose sistemet kardiovaskulare të të cilëve janë tashmë të dëmtuara.

Veçanërisht i rrezikshëm është përdorimi i kokainës dhe heroinës, sepse trupi nuk e përpunon drogën aq shpejt sa tek të rinjtë dhe ka shumë më tepër efekte anësore, probleme akute dhe mbidozim.

Njerëzit e moshuar mund të mendojnë se janë mirë dhe nuk e kuptojnë se kanë problem dhe se kanë nevojë për ndihmë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28-29 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>