Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Pse qajnë foshnjat?

April 1, 2021

Spec. Dr. Margica Arsovska, pediatër
Spitali i përgjithshëm - Kumanovë

|



E qara tek foshnjat është një dukuri fiziologjike dhe e vetmja mënyrë komunikimi me mjedisin e jashtëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë për të porsalindurit dhe foshnjat në gji, të cilat përmes të qarës e shprehin disponimin dhe nevojat e veta. Foshnjat e shëndetshme duhet të qajnë, kjo është një dukuri normale dhe e pritshme. Ne pediatrit shqetësohemi më shumë nëse foshnja nuk qan, kur është i përgjumur (më shumë se normalja), pa energji... Nga ana tjetër, e qara shkakton panik apo frikë tek prindërit, se mos diçka nuk është në rregull me foshnjën. Kjo është gjithashtu një nga arsyet më të zakonshme për vizitat te mjeku, veçanërisht në muajt e parë pas lindjes.

Si ta ndihmoni?

Një foshnjë e shëndetshme qan mesatarisht 1-3 orë në ditë. Është e rëndësishme që të reagojnë të dy prindërit dhe me kalimin e kohës ta kuptojnë të qarën dhe ta ndihmojnë siç duhet anëtarin e ri të familjes së vet. E qara është mënyrë komunikimi, një shenjë që foshnja juaj ka nevojë për diçka. Më shpesh janë nevoja të thjeshta. Foshnja qan sepse është e uritur, e etur, kur kërkon të ndërrohet, kur është e përgjumur, e vetmuar ose e lodhur, kur ka ftohtë apo vapë ose kur i dhemb diçka. Nëse kanë kaluar më shumë se 2-3 orë që nga ushqyerja e fundit, foshnja është me siguri e uritur dhe do të qetësohet menjëherë kur t'i jepni qumësht. Është mirë që nëna të ushqejë me gji foshnjën e vet, por nëse për ndonjë arsye nuk mund të plotësojë sasinë e duhur të qumështit ose gjendja e saj nuk e lejon, mund të përdoret një formulë e përshtatur qumështi.

Foshnja dëshiron ngrohtësi, rehati dhe siguri, kështu që ndonjëherë e qara është shenjë se dëshiron të jetë afër jush. Ajo thjesht dëshiron që ta merrni në krahë dhe të ndiejë ngrohtësinë tuaj. Kur është e përgjumur ose e lodhur, foshnja është nervoze (ka nevojë për gjumë dhe një vend të qetë për të fjetur). Po aq e rëndësishme është temperatura e duhur e ambientit (temperatura në dhomën në të cilën ndodhet foshnja e porsalindur duhet të jetë nga 21-23◦C).

Frika nga fytyrat e panjohura, vendet e panjohura, tingujt e pazakontë, të paparashikueshëm dhe të zhurmshëm gjithashtu shkaktojnë ankth dhe qarje tek foshnja.

Kur fillojnë ngërçet e para?

Në periudhën nga java e dytë e lindjes, deri në fund të muajit të tretë, shkaku më i zakonshëm i të qarës janë dhimbjet e barkut ose të njohura gjerësisht si ngërçe tek foshnjat. Kur foshnja ka ngërçe në stomak, ajo qan me zë të lartë, në mënyrë të pakontrolluar, mblidhet kruspull, ka fytyrë të kuqërremtë dhe mund të lëshojë edhe gazra. Dhimbjet e barkut shfaqen më shpesh në orët e pasdites dhe gjatë natës (ose gjatë gjithë ditës, por gjendja merr vrull në mbrëmje). Ato zgjasin më shumë se tre orë në ditë dhe më shumë se tri herë në javë.

Nuk ka ilaç magjik për qetësimin e tyre. Përdoren metoda konservative që mund të ndihmojnë, të tilla si masazhimi i stomakut në drejtim të akrepave të orës, vendosja e fashave të ngrohta në stomak disa herë gjatë ditës ose kur ka nevojë, sidomos para gjumit të natës së foshnjës. Këshilla për nënën gjidhënëse është që të kujdeset për ushqimin që e konsumon, ngase disa ushqime mund t'i nxisin edhe më shumë ngërçet. Ajo duhet të zbrazë plotësisht gjirin, nëse e ushqen me gji, ndërsa nëse përdor formulë të përshtatur, duhet ta mbajë mirë shishen gjatë ushqyerjes dhe biberoni duhet të ketë madhësinë e duhur, në mënyrë që të parandalojë gëlltitjen e ajrit të tepërt gjatë ushqyerjes.

Edhe formulat e përshtatura të qumështit mund të shkaktojnë ngërçe. Në atë rast, formula e qumështit zëvendësohet me një formulë të veçantë antikolike. Pas çdo vakti foshnja duhet të drejtohet dhe të lejohet të gromësijë, në mënyrë që të lirohet nga gazrat e tepërta.

Ka edhe barna që lehtësojnë ngërçet tek foshnjat. Këto janë pika që përmbajnë simetikon, enzimën laktazë, probiotikë, të cilat duhet të përdoren sipas udhëzimeve të përshkruara.

Me kombinimin e duhur të metodave, ne mund ta ndihmojmë foshnjën duke ia lehtësuar ngërçet ose duke ulur forcën e tyre.



Mbirja e dhëmbëve të parë?

Periudha tjetër për qarje më të theksuar tek foshnjat është periudha e mbirjes së dhëmbëve të parë. Foshnjat janë të shqetësuara, duan të kafshojnë, jargaviten më shumë se zakonisht, mishrat i kanë të fryrë dhe të sëmurë, refuzojnë të hanë dhe disa kanë një temperature paksa të ngritur të trupit dhe jashtëqitje të lëngshme. Kjo periudhë është individuale për secilën foshnjë. Dhëmbët e parë zakonisht dalin nga muaji i gjashtë deri në muajin e tetë pas lindjes (por tek disa foshnja ky proces mund të fillojë nga muaji i tretë ose më vonë, kur të mbushin një vjet).

Do t'i vijë në ndihmë një lodër gome ose rrethi për kruajtjen e mishrave, i cili mund të mbushet me ujë. Disa nga rrethet mund të ftohen dhe kështu të zvogëlojnë dhimbjen që e shoqëron këtë proces. Ekzistojnë edhe xhelra të veçantë oralë, të paraparë për lehtësimin e dhimbjes, të cilët mund të përdoren që nga mosha më e hershme dhe janë plotësisht të sigurt. Xheli vendoset me duar të pastra në mishin e dhëmbëve dhe masazhohet butësisht deri në përthithjen e plotë (kjo procedurë mund të përsëritet disa herë gjatë ditës dhe sidomos në mbrëmje, para gjumit të natës). Xhelrat janë të sigurt për t'u përdorur, nga përbërës natyrorë dhe nuk janë të dëmshëm nëse foshnja gëlltit një sasi të vogël të saj gjatë vendosjes. Ato gjithashtu ndihmojnë në ruajtjen e funksionit normal të mishit të dhëmbëve.

Ndonjëherë ndodh që qarja të jetë gjithashtu shenjë e një gjendjeje më serioze, për të cilën gjithashtu duhet të kërkoni ndihmë mjekësore. Unë i këshilloj prindërit që të matin temperaturën e trupit kur e qara e foshnjës është më e theksuar. Nëse është ngritur mbi 38 C, kontaktoni menjëherë mjekun në mënyrë që t'ju japë terapi adekuate dhe të reagoni në kohë nëse bëhet fjalë për një gjendje më serioze.

E qara ndodh gjithashtu kur e ka hundën të zënë, kur është ftohur, kur ka skuqje në zonën e pelenës, në rast të hernies inguinale, dhimbjes së veshit etj.

E rëndësishme!

Sa herë që vëreni një të qarë më të theksuar dhe të vazhdueshme tek foshnja juaj, shqyrtoni parimet themelore të cilat i kam përmendur më sipër. Nëse vazhdon edhe më tej, konsultohuni me mjekun ose pediatrin tuaj.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>