Sanja Gjorgjeva
trajnere e certifikuar e gjumit për foshnja dhe fëmijë
|
Ndërsa fëmijët tuaj janë duke fjetur, në trurin e tyre ndodhin gjëra të mrekullueshme.
Ndryshe nga ne të rriturit, fëmijët kanë nevojë për më shumë gjumë. Gjumi është tejet i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe është me rëndësi të madhe që t'u krijoni rutina dhe zakone të shëndetshme të gjumit. Disa nga arsyet pse gjumi nuk duhet të anashkalohet dhe duhet të jeni të kujdesshëm për gjumin e fëmijëve tuaj janë:
- Fëmijët rriten dhe zhvillohen ndërsa flenë! Hormoni i rritjes, somatotropina, prodhohet gjatë gjumit. Hormoni i rritjes vepron në pjesën më të madhe të indeve të trupit, në të cilën stimulon sintezën e proteinave të nevojshme për rritjen. Te fëmijët, ky hormon sekretohet më së shumti gjatë gjumit të natës, kur hyjnë në fazën e thellë të gjumit. Faza e thellë e gjumit ndodh në fillim të natës, kurse nëse kjo fazë pengohet, rritja nuk do të zhvillohet normalisht. Nëse një natë e gjumit të parregullt nuk mund ta dëmtojë rritjen, problemet kronike të gjumit në fëmijëri po që mund ta bëjnë. Hulumtimet e fundit tregojnë se fëmijët me sasi të zvogëluar të hormonit të rritjes kanë probleme me gjumin, nuk flenë mjaftueshëm, ndryshe nga fëmijët që kanë hormon normal të rritjes.
- Ndërsa fëmijët flenë natën, truri i tyre punon me shpejtësi të plotë dhe përpunon përjetimet e asaj dite. Ata përpunojnë të gjithë informacionin e mbledhur dhe mbushen me njohuri dhe aftësi të reja që mund t’u nguliten në kujtesë, duke qenë se miliona lidhje të reja nervore formohen gjatë gjumit të natës. Me fjalë të tjera, fëmijët mësojnë ndërsa flenë! Nëse foshnja juaj nuk fle mjaftueshëm, ky proces çrregullohet.
- Hormonet që regjistrojnë urinë dhe oreksin, si insulina dhe kortizoli (hormoni i stresit) gjithashtu shqetësohen nga gjumi i pamjaftueshëm. Fëmijët e vegjël, të cilët një periudhë të gjatë flenë me ndërprerje dhe bëjnë gjumë të pamjaftueshëm, kanë një nivel jashtëzakonisht të ulët të insulinës, gjë që mund të çojë në diabet dhe probleme me peshën. Studimet e fundit tregojnë se fëmijët që kanë çrregullime të gjumit janë në rrezik për obezitet. Fëmijët që nuk flenë mjaftueshëm kanë nivel të lartë të kortizolit, i cili u shkakton stres. Gjumi i mirë zvogëlon stresin dhe forcon imunitetin. Fëmijët e ngopur me gjumë janë fëmijë të shëndetshëm dhe me humor të mirë.
⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Sasia e mjaftueshme e gjumit ka një efekt jashtëzakonisht pozitiv në zhvillimin e inteligjencës emocionale tek fëmijët. Kur fëmijët janë të ngopur me gjumë, ata kanë përqendrim shumë më të mirë dhe më afatgjatë, prandaj janë të gatshëm të eksplorojnë botën rreth tyre dhe të mësojnë gjëra të reja.
Por si ta kuptoni nëse fëmija juaj ka nevojë për më shumë gjumë?
Pavarësisht nga mosha, këto shenja tregojnë se ka nevojë për më shumë gjumë:
Emocionalitet i shprehur (shpërthime të shpeshta inati, ndryshime të humorit, hidhërohet lehtë, pa durim)
Vështirë zgjohet në mëngjes
Vështirësi në përqendrim ose për t'u fokusuar në një lojë
Dremitje të gjata ose të tepruara
Hiperaktivitet
Vështirë bie në gjumë (rraskapitje)
Bie në gjumë sapo të vë kokën në jastëk (një fëmije me zakone të shëndetshme të gjumit i duhet rreth 20 minuta kohë për t'u zhytur në gjumë)
Rritje e oreksit
Rënia e shpeshtë dhe pakujdesia
Të folurit e tepërt (më shumë pyetje sesa është normale, biseda të shpejta që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën)
Në foton më poshtë, mund të shikoni se sa orë gjumë kërkohet për mosha të ndryshme.
Gjumi është një nevojë themelore, ashtu si të ngrënit, pa të cilën nuk mund të jetojmë. Për sa kohë që fëmijët tanë nuk janë në gjendje të kujdesen vetë për ushqimin dhe gjumin e tyre, është detyra jonë si prindër që t'u sigurojmë ushqim dhe gjumë të shëndetshëm, t'u krijojmë zakone të shëndetshme të të ushqyerit dhe gjumit, duke vendosur dhe forcuar themelet për një fëmijëri të shëndetshme.
Mos harroni se fëmijët e ngopur me gjumë, janë fëmijë të shëndetshëm dhe me humor të mirë!
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2020).