Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Pse indi dhjamor rreth belit është i rrezikshëm?

January 1, 2022

Dr. Med. Sci. Maja Milovançeva – Popovska
Interniste – nefrologe
IPSH Promedika Medikal Centar

|



A janë të gjitha dhjamërat të njëjta?

Indi dhjamor është një ind i specializuar, i rëndësishëm për homeostazën (ruajtjen e proceseve të qëndrueshme në trup, ekuilibrin e përhershëm të brendshëm) dhe konsiderohet një organ i plotë, funksioni kryesor i të cilit është ruajtja e energjisë, rregullimi i temperaturës, mbrojtja e organeve, pjesëmarrja në profilin endokrin të trupit, ekuilibri i hormoneve, riprodhimi më i mirë, ruajtja e duhur e vitaminave, funksioni i mirë neurologjik, metabolizmi i shëndetshëm dhe nivelet e balancuara të glukozës.

Sasia dhe lloji i qelizave yndyrore varet nga gjenetika dhe mënyra e jetesës.

Ekzistojnë disa lloje të yndyrnave në trup. Disa yndyrna ndikojnë negativisht në shëndet, të tjerat janë të dobishme dhe të domosdoshme, dhe midis këtyre yndyrnave duhet të ketë një ekuilibër të shëndetshëm. Ka shumë qeliza të bardha të gjakut në indin dhjamor dhe shumë studiues i konsiderojnë çrregullimet e lidhura me peshën si çrregullime autoimune.

Llojet e yndyrnave në trup

Ekzistojnë tre lloje të ndryshme të qelizave yndyrore në trup në varësi të strukturës: të bardha, kafe dhe bezhë. Qelizat yndyrore mund të ruhen në tre mënyra, edhe atë yndyrna esenciale, nënlëkurore dhe viscerale. Indi dhjamor përbëhet kryesisht nga adipocitet, qeliza që ruajnë energji të tepërt si pika të triglicerideve, së bashku me qeliza dhe fibra të tjera të ndryshme. Çdo lloj yndyre ka rol të ndryshëm. Funksioni i indit dhjamor varet nga lloji dhe vendndodhja e tij në trup.

Yndyrnat e bardha

Janë yndyra edhe të mira, edhe të këqija. Ato janë qeliza të mëdha të bardha të gjakut të depozituara nën lëkurë dhe rreth organeve në bark, krahë, kofshë dhe mollaqe. Adipocitet e yndyrës së bardhë janë të mbushura me trigliceride, acide yndyrore të lira, kolesterol dhe gliceride të thjeshta që i japin qelizës një formë të rrumbullakët dhe të verdhë. Deri në 95% të lipideve të trupit mund të ruhen në indin dhjamor, kryesisht në yndyrën e bardhë.

Indi dhjamor i bardhë funksionon si një shtresë ruajtëse dhe izoluese nën lëkurë, por gjithashtu ka rol endokrin. Këto qeliza yndyrore janë një mënyrë që trupi të ruajë energji për përdorim të mëvonshëm. Yndyrnat e bardha janë sistemi më i madh i ruajtjes së energjisë në trup.

Indi dhjamor i bardhë ka një sërë funksionesh, në varësi të vendit ku ndodhet në trup, nën lëkurë ose përreth organeve të brendshme (visceral). Varësisht nga vendndodhja, ka dallime në llojin e qelizave, formën, shpërndarjen dhe funksionin e tyre: angiogjeneza (prodhimi i enëve të reja të gjakut), koagulimi i gjakut (mpiksja), riprodhimi, metabolizmi i glukozës, metabolizmi i yndyrnave, rregullimi i oreksit, imuniteti dhe toni vaskular (sa mund të ngushtohen dhe të zgjerohet ena e gjakut).

Në vende të ndryshme prodhohen kimikate të ndryshme apo adipokina, të cilat mund të jenë pro-inflamatore ose anti-inflamatore. Tek njerëzit obezë, raporti është i pabalancuar dhe shfaqet sindroma metabolike me presion të lartë të gjakut, në formë të mollës, me rezistencë ndaj insulinës, kolesterol të lartë dhe/ose trigliceride në gjak. Më shumë leptinë dhe adiponektinë (rregullator i glukozës dhe acideve yndyrore) prodhohen në indin nënlëkuror, ndërsa më shumë substanca të rëndësishme për përgjigjen inflamatore dhe mpiksjen e gjakut prodhohen në indin visceral.

Indi dhjamor i bardhë është një organ endokrin që sekreton hormone, faktorë të rritjes, enzima, fibra që formojnë fibra proteinike dhe substanca që marrin pjesë në përgjigjen imunologjike (citokina). Ai luan një rol të madh në funksionimin e hormoneve: estrogjenit, leptinës (kur është i ulët stimulon urinë), insulinës, kortizolit (hormoni i stresit), hormonit të rritjes.

Për shkak të prodhimit të hormonit adiponektinë, yndyrnat e bardha janë thelbësore për menaxhimin e insulinës dhe ruajtjen e një ekuilibri konstant të glukozës në gjak. Si prodhues të leptinës, ata ndihmojnë në përballimin e urisë (i thotë trurit se jemi të ngopur). Njerëzit obezë kanë ndjeshmëri të ulur ndaj leptinës.

Indi i tepërt dhjamor në ije, kofshë dhe bark është shenjë e sasisë së tepërt të yndyrnave të bardha. Forma e trupit si “mollë” ka një përqindje më të lartë të yndyrnave viscerale, sesa forma si “dardhë” dhe konsiderohet më pak e shëndetshme.

Edhe pse disa yndyrna të bardha janë të mira për shëndetin, sasia shumë e madhe e yndyrnave të bardha është shumë e dëmshme. Sasia shumë e madhe e yndyrnave të bardha shkakton rezistencë ndaj insulinës dhe një rrezik në rritje të shtimit të peshës. Për shkak se qelizat e indit dhjamor të bardhë kanë aftësinë dhe hapësirën për të ruajtur lipidet në formën e pikave, kjo mund të çojë në formimin e pllakave arteriale dhe inflamacion të enëve të gjakut.

Një përqindje më e lartë e yndyrës mbart rrezikun e sëmundjeve si diabeti i tipit 2, sëmundjet e arterieve koronare, presioni i lartë i gjakut, goditjet në tru, çekuilibri hormonal, komplikimet e shtatzënisë, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, kanceri etj.

Ushtrimet që ndërtojnë indin muskulor, të cilat djegin më shumë kalori se indi dhjamor, janë të rëndësishme për uljen e yndyrnave të bardha.

Vendndodhja e indit dhjamor ndryshon me moshën. Të porsalindurit kanë shumë pak ind dhjamor të bardhë, i cili është më i zakonshëm te të rriturit.

Yndyrnat ngjyrë kafe

Janë yndyrna të mira. Më parë mendohej se vetëm foshnjat kishin qeliza yndyrore kafe, por më pas u zbuluan sasi të vogla të yndyrnave kafe edhe te të rriturit, zakonisht në qafë dhe shpatulla. Ky lloj i indit dhjamor djeg energji (veçanërisht në mot të ftohtë) dhe është kryesisht përgjegjës për ruajtjen e temperaturës së trupit. Po bëhen kërkime për të gjetur një mënyrë për të stimuluar aktivitetin e yndyrnave kafe për të ndihmuar në parandalimin e mbipeshës.

Në të kaluarën mendohej se ky ind dhjamor luante rol vetëm në gjenerimin e nxehtësisë, por tani dihet se prodhon edhe adipokina të ndryshme. Është zbuluar se përmirëson tolerancën ndaj glukozës dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe po studiohet si një bar i ardhshëm për diabetin, sindromën metabolike dhe obezitetin.

Indi dhjamor ngjyrë kafe gjendet në sasi të mëdha te foshnjat, të cilat kanë pak ind dhjamor të bardhë, për ç'arsye janë më të ekspozuar ndaj hipotermisë. Dridhja është një mekanizëm trupor i prodhimit të nxehtësisë, kurse të porsalindurit nuk kanë temperaturë. Vetëm në moshën rreth gjashtë muajsh, kur niveli i tyre i yndyrnave kafe të jetë ulur ndjeshëm, fillon refleksi i dridhjes.

Prodhimi i nxehtësisë përfshin proteinën terminogjen. Kur kemi të ftohtë, sistemi nervor qendror lëshon një hormon që u thotë qelizave të prodhojnë nxehtësi. Qelizat kanë nevojë për hormone tiroide për t'iu përgjigjur këtij hormoni, për ç'arsye njerëzit me prodhim të ulur të hormoneve tiroide shpesh kanë të ftohtë.

Me moshën, raporti i yndyrës së bardhë dhe asaj kafe ndryshon. Te të rriturit, pjesa më e madhe e yndyrnave kafe gjenden në bark, rreth enëve kryesore të gjakut, thellë në qafë, midis shpatullave dhe përgjatë shpinës.

Yndyrnat bezhë

Janë yndyrna të mira, që gjenden në indin dhjamor ngjyrë kafe, me madhësinë e një bizeleje, nën lëkurë, rreth shtyllës kurrizore dhe kockave të qafës. Yndyrnat bezhë krijohen kur trupi ekspozohet ndaj stresit, pas çka yndyrnat e bardha bëhen ngjyrë bezhë. Ato lejojnë transformimin dhe djegien e yndyrnave të këqija në energji termike për të ruajtur temperaturën e trupit.

Disa hormone dhe enzima të çliruara gjatë stresit, të ftohtit ose stërvitjes mendohet se ndihmojnë në shndërrimin e yndyrnave të bardha në energji të dobishme të nxehtësisë. Kjo është një fushë e re interesante studimi për parandalimin e obezitetit dhe maksimizimin e nivelit të yndyrnave të shëndetshme në trup. Yndyrnat bezhë bëhen një synim për humbje peshe. Ushtrimet konsiderohen faktor kyç stresi për shndërrimin e yndyrnave të bardha në ngjyrë bezhë, falë prodhimit të hormonit irisinë. Rekomandohen të paktën 75 minuta ushtrime intensive çdo javë për të rritur nivelet e irisinës.

Yndyrnat ngjyrë bezhë mendohet të jenë veçanërisht të rëndësishme në trajtimin e çrregullimeve metabolike, duke qenë se një numër i madh i faktorëve të rritjes, hormoneve dhe citokinave prodhohen në qelizat yndyrore ngjyrë bezhë.

Yndyrnat esenciale

Janë yndyrna të mira. Ato nuk shihen, por megjithatë gjenden në të gjithë trupin, edhe atë në tru, në palcën e eshtrave, në nerva e membrana dhe mbrojnë organet, gjë që i bën thelbësore për jetën dhe një trup të shëndetshëm.

Yndyrnat esenciale luajnë një rol të madh në rregullimin e temperaturës së trupit, përthithjen e vitaminave dhe prodhimin dhe ruajtjen e hormoneve, duke përfshirë hormonet që kontrollojnë fertilitetin.

Ky lloj i yndyrnave humbet gjatë ushtrimeve ekstreme dhe humbjes së pashëndetshme të peshës.

Indi dhjamor nënlëkuror (subkutan)

Yndyrnat nënlëkurore janë edhe të mira edhe të këqija. Ato ndodhen menjëherë nën lëkurë, duke përbërë rreth 90% të të gjithë indit dhjamor. Ato janë një kombinim i qelizave yndyrore të bardha, kafe dhe bezhë dhe është indi dhjamor që mund të shtrydhet në krahë, këmbë, bark dhe vithe. Te femrat grumbullohet në kofshë dhe gjoks, te meshkujt në bark.

Ato janë përgjegjëse për hormonin seksual estrogjen. Për shkak se estrogjeni luan një rol të madh në fertilitetin femëror, gratë priren të kenë më shumë ind dhjamor nënlëkuror. Ky lloj yndyre vepron gjithashtu si një jastëk midis muskujve dhe lëkurës për mbrojtje dhe rehati.

Një sasi e caktuar e indit dhjamor nënlëkuror është normale dhe e shëndetshme, por sasia e tepërt çon në çekuilibër hormonal. Sasia shumë e madhe e indit dhjamor nënlëkuror, veçanërisht rreth barkut, mbart një rrezik të komplikimeve shëndetësore. Për shkak se trupi ruan indin dhjamor nënlëkuror si një formë "kujdesi urgjent" në rast urie ose mungesë kalori, ky lloj yndyre është më i vështiri për t'u pakësuar. Ulja e marrjes së kalorive, përmirësimi i të ushqyerit duke shmangur sheqernat e rafinuara dhe ushqimet e përpunuara, si dhe ushtrimet e rregullta, me kalimin e kohës djegin yndyrnat e tepërta nënlëkurore.

Indi dhjamor visceral

Yndyrnat viscerale janë yndyrna të këqija. Është "indi dhjamor në bark" apo yndyra e bardhë që ruhet në bark dhe rreth organeve kryesore, si mëlçisë, veshkave, pankreasit, zorrëve dhe zemrës. Niveli i këtyre yndyrnave rritet me moshën.

Ato grumbullojnë dhe sekretojnë një substancë thelbësore për rezistencën ndaj insulinës. Nivelet e larta të yndyrnave viscerale rrisin rrezikun e diabetit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, sëmundjeve arteriale, disa lloje të kancerit (kancerit kolorektal dhe të gjirit), demencës, goditjes në tru dhe sëmundjes Alzheimer.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.23-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>