Dr. med. sci. Maja Milovançeva-Popovska
Interniste-nefrologe
IPSH Promedika Medikal Centar
|
Ngjyra e urinës varet kryesisht nga konsumimi i lëngjeve gjatë ditës. Urina e merr ngjyrën nga pigmenti i quajtur
urokrom, ndërsa ngjyra e saj ndryshon nga e zbehtë në të verdhë të errët ose ngjyrë qelibari. Kur konsumohen më shumë lëngje, pigmentet e verdha të urinës hollohen dhe urina bëhet më e çelët. Urina është e errët si qelibar kur bëhet fjalë për dehidrim. Dehidrimi ndodh kur trupi humbet më shumë ujë dhe lëng sesa merr.
Probleme të ndryshme shëndetësore, barnat, pigmentet në ushqim mund të ndryshojnë ngjyrën e urinës. Megjithatë, ndryshimi në ngjyrën e urinës nuk është gjithmonë një shenjë e keqe.
Ndryshimi më i shpeshtë është në
ngjyrë rozë dhe të kuqe të çelët deri në të errët. Në shumicën e rasteve, ngjyra e kuqe vjen nga prania e gjakut në urinë (hematuria) ose prania e mioglobinës, proteinë në qelizat e muskujve (mioglobinuria).Shkaqet e
gjakut në urinë mund të jenë gurët në veshka, nefrolitiaza (shkaku më i zakonshëm), infeksionet e veshkave, fshikëzës dhe prostatës, tumoret (veshka, fshikëz të urinës, prostatë), cistet.
Mioglobinuria ndodh kur gjatë ushtrimeve intensive dëmtohen qelizat e muskujve, me ç’rast mioglobina del nga qelizat dhe ngjyros urinën në të kuqe. Një entitet i veçantë është
hemoglobinuria e marshimit, gjendje që shfaqet kur eritrocitet (qelizat e kuqe të gjakut) shpërbëhen për shkak të dëmtimit mekanik në qarkullimin e gjakut gjatë ecjes së gjatë intensive (“marshimit”) ose vrapimit. Mundimi i skajshëm fizik që çon në dëmtimin e muskujve mund t'i japë urinës pamjen e koka kolës.
Rrepa e kuqe (përmban pigmentin betainë),
boronicat dhe manaferrat janë ushqime që mund të japin urinë të kuqe, nëse konsumohen në sasi më të mëdha. Disa
barna (rifampina, fenazopiridina, laksativët që përmbajnë sanë) po ashtu mund të çojnë në urinë të kuqe. Barnat që shkaktojnë gjak në urinë janë antikoagulantët, barnat që hollojnë gjakun, si aspirina dhe heparina, barnat që frenojnë sistemin imunitar (ciklofosfamidi). Në raste të rralla, urina e kuqërremtë ose ngjyrë kafe e errët vërehet te disa lloje të anemisë, talasemisë dhe porfirisë.
Ndonjëherë të njëjtat arsye që çojnë në urinë të kuqe mund të çojnë edhe në urinë
ngjyrë kafe ose si koka kolë ose birrë. Problemet shëndetësore të mëlçisë së zezë që lidhen me rritjen e bilirubinës në gjak (hepatiti, cirroza) ose me bllokimin e kanalit biliar (gur, tumor) mund të japin urinë
ngjyrë kafe. Shtimi i sasisë së bilirubinës në gjak, me verdhëz, shpretkë të zmadhuar dhe urinë
ngjyrë kafe, ndodh gjithashtu kur rritet shpërbërja e eritrociteve në gjak (anemi hemolitike, shkurtim i jetëgjatësisë së eritrociteve). Konsumimi i sasisë më të madhe të fasuleve ose aloesë gjithashtu mund të çojë në urinë
ngjyrë kafe të errët.
Urina e zezë lidhet me një sëmundje të rrallë kongjenitale të quajtur alkaptonuria. Te melanoma ose kanceri i lëkurës, pigmenti melanin është i pranishëm në qarkullim dhe mund të gjendet në urinë, pararendësit e melaninës oksidohen në prani të oksigjenit duke shkaktuar kështu ngjyrosjen e urinës.
Ka barna (për kimioterapi, disa laksativë, isoniazidi dhe rifampina, riboflavina, sulfasalazina) që mund ta ngjyrosin urinën në
portokalli. Sëmundjet e mëlçisë dhe traktit biliar, dehidrimi, vitamina C dhe karota mund të rezultojnë në urinë portokalli.
Sindromi i qeses urinare ngjyrë vjollcë ndodh rrallë tek personat që mbajnë kateter urinar për një kohë të gjatë dhe kanë infeksione bakteriale (Klebsiella, Proteus, Pseudomonas, Escherichia, Enterococcus). Pigmentet indigo dhe indirubin, reagojnë me materialin sintetik të qeses dhe kateterit, çka bën që ngjyra të ndryshojë në vjollcë.
Urina e
gjelbër shihet më rrallë dhe vjen nga ngjyrat e përdorura në industrinë ushqimore, konsumimi i shpargut ose infeksioni urinar me pseudomonas. Ka edhe barna që gjithashtu mund të japin ngjyrë të gjelbër në urinë.
Për të gjetur shkakun e ndryshimit në ngjyrën e urinës, ndonjëherë mjafton që pacienti të tregojë se çfarë lloje të ushqimeve ose të barnave merr. Megjithatë, shpeshherë nevojiten ekzaminime shtesë të gjakut, analiza e urinës, urinokultura, ekosonografia dhe tomografia kompjuterike.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2020).