Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Imuniteti dhe forcimi i tij në mënyrë natyrale

November 1, 2020

|

Aleksandar Janevski
Doktor i mjekësisë



Çfarë është imuniteti? Imuniteti është aftësia e një organizmi të gjallë për të mbrojtur veten kundër agjentëve të dëmshëm, siç janë mikroorganizmat e ndryshëm (bakteret, viruset, kërpudhat), që shkaktojnë sëmundje ose rreziqe të tjera biologjike ose kimike.

Gjatë historisë, ka pasur shumë polemika mbi ato që "na mbrojnë" nga këto ndikime të dëmshme të mjedisit, si dhe shumë teori interesante për atë se çfarë është imuniteti, prandaj përkufizimi i imunitetit nuk ka qenë gjithmonë ai që e njohim sot. Mund të thuhet se dihej shumë pak për imunitetin, derisa filluam të mendonim në mënyrë aktive se çfarë vendi zë ai në përballimin e sëmundjeve të ndryshme. Që atëherë, janë kryer studime në mënyrë aktive mbi këtë të ashtuquajtur "bashkësi organesh" të cilat na mbrojnë nga këto ndikime të dëmshme që mund të na dëmtojnë cilësinë e jetës. Përmes këtyre studimeve afatgjata, është provuar se ka një numër faktorësh të cilët ndikojnë në atë që imuniteti ynë të jetë "i mirë ose i keq" dhe në gatishmërinë e tij për t'iu përgjigjur këtyre agjentëve të dëmshëm.

Sipas njohurive tona sot, imuniteti krijohet dhe fillon të ndërtohet gjatë shtatzënisë, duke u bartur nga nëna te fëmija përmes placentës dhe më pas përmes ushqyerjes me gji (bartja përmes qumështit të gjirit, i cili është i rëndësishëm për marrjen e imunitetit dhe mbrojtjen e fëmijës që në moshë të hershme). Për më tepër, imuniteti krijohet përmes vaksinimit, i cili është mjet për marrjen aktive të imunitetit kundër sëmundjeve të caktuara të zakonshme dhe të rënda, si dhe përmes ekspozimit të trupit ndaj agjentëve të dëmshëm, gjë që krijon të ashtuquajturin imunitet aktiv ku sistemi imunitar është i gatshëm për sulme të mëtejshme. Për këtë arsye rekomandojmë ushqyerjen e të porsalindurit dhe foshnjës me qumësht gjiri, vaksinimin dhe kontaktin me natyrën dhe mjedisin që në moshë të hershme për të ndërtuar ngadalë imunitetin tonë.

Faktorët që ndikojnë në uljen e imunitetit më vonë në jetë janë gjumi i parregullt që zvogëlon ndjeshëm imunitetin, ushqimi i shpejtë - dieta e varfër me vitaminë C, A, D, E, B6, B12 dhe minerale si zinku dhe hekuri (përndryshe të gjitha mund të gjenden në fruta dhe perime në sasi të mjaftueshme). Situatat stresuese dhe një mënyrë jetese e shpejtë gjithashtu ndikojnë në imunitet, duke rritur nivelet e kortizolit dhe duke ia vështirësuar punën normale sistemit imunitar. Nga ana tjetër, marrja e shtesave të tilla si probiotikët apo "bakteret e mira" dhe beta-glukanët e izoluar nga tharmi janë stimulues shumë të rëndësishëm të sistemit imunitar. Prandaj, veçanërisht në këtë periudhë të ftohjeve sezonale dhe gripit, ju rekomandojmë një dietë të shëndetshme, shmangien e situatave stresuese dhe gjumin e rregullt në ndërveprim me shtesa ushqimore të cilat në një farë mënyre na ndihmojnë që të ruajmë imunitetin në nivel më të lartë.

Siç dihet, probiotikët janë pjesë e organizmit të secilit prej nesh dhe, ndër të tjera, janë përgjegjës për prodhimin e shumicës së antitrupave që janë bartës të imunitetit. Nga shumë kulturat probiotike që banojnë në trupin tonë, më të rëndësishmet janë kryesisht disa, roli i të cilave shqyrtohet më shumë (B.subtilis I-2745, L. acidophilus LA3, B. animalis ssp. Lactis BLC1, L. casei BGP93).

Kur bëhet fjalë për forcimin e sistemit imunitar në mënyrë natyrale, beta glukani gjendet në krye të listës së imunostimuluesve. Por meqenëse trupi ynë nuk e prodhon atë, mënyra më e mirë për ta marrë në organizëm është nga burime të jashtme, të tilla si maja e birrës, kërpudhat shiitake dhe drithërat, kryesisht elbi, tërshëra, thekra dhe gruri ose përmes shtesave ushqimore që e përmbajnë atë në përqendrime të konsiderueshme.

Është vërtetuar se beta glukani vepron si imunomodulues, që do të thotë se aktivizon një varg ngjarjesh që stimulojnë punën e sistemit imunitar dhe kështu e bëjnë atë më efektiv. Është i mirënjohur për vetitë e tij në dobi të forcimit të imunitetit, që vjen si rezultat i aftësisë për të stimuluar aktivizimin e makrofagëve (qelizat e përgjigjes imunologjike që vrasin mikroorganizmat patogjenë që i kanosen organizmit dhe stimulojnë qelizat e tjera imunologjike për të mbrojtur organizmin).

Beta glukanët punojnë për të stimuluar formimin e palcës së kockave, duke aktivizuar kështu prodhimin e leukociteve dhe trombociteve përgjegjëse për luftimin e infeksioneve. Përveç kësaj, beta glukanët stimulojnë qelizat e bardha të gjakut (limfocitet) që lidhen me tumoret ose viruset dhe i shkatërrojnë ato në mënyrë efektive. E gjithë kjo kontribuon në një përgjigje më të shpejtë dhe më të fortë të organizmit ndaj patogjenëve, gjë që dëshmohet nga rezistenca e rritur e organizmit ndaj infeksioneve, por edhe nga pakësimi i simptomave dhe shërimi më i shpejtë i infeksioneve ekzistuese. Beta glukani dhe vetitë e tij imunologjike janë gjithashtu dobiprurëse kundër simptomave të ftohjeve, gripit dhe infeksioneve virale të traktit të sipërm të frymëmarrjes.

Një numër studimesh kanë hulumtuar efektet imunomoduluese të beta glukanit 1.3/1.6 dhe deri më tani pohojnë se forma më aktive është beta glukani 1.3/1.6 i fituar nga muri qelizor i Saccharomyces cerevisiae, i njohur gjerësisht si tharm, më saktësisht është ai që ka veti antibakteriale dhe antitumorale. Aktiviteti i beta glukanit fillon 24 deri në 72 orë pas gëlltitjes, që do të thotë se produktet e beta glukanit mund të merren edhe kur simptomat janë tashmë të pranishme, jo vetëm për parandalim.

Plotësimi i trupit me një imunostimulues të tillë natyral është edhe më i dobishëm në kombinim me vitaminën C dhe zinkun. Të dy përbërësit janë të rëndësishme për prodhimin e antitrupave dhe janë pjesë thelbësore e strukturës dhe proceseve të limfociteve B dhe T. Nevojat ditore të një organizmi të shëndetshëm për vitaminë C është 75-100 mg dhe për zink rreth 10 mg. Ky kombinim i tre përbërësve natyralë mund të thuhet se është i plotë dhe ofron forcim bindës të sistemit imunitar. Rekomandohet veçanërisht gjatë ndryshimeve të temperaturës në fillim të vjeshtës tek njerëzit me stres fizik dhe mendor, të rriturit, të moshuarit, atletët, adoleshentët, vegjetarianët e kështu me radhë.

Duke ndërtuar imunitetin tonë sipas këtyre këshillave, të shoqëruara me imunostimulues, na pret një periudhë e hareshme, e mbushur me pushime dhe takime me të dashurit tanë. E kush ka kohë për të qenë i sëmurë!

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26-27 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTORI 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>