Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Intervistë – Andrej Stojanovski – Noton drejt suksesit

August 1, 2020

|



Patëm kënaqësinë e veçantë të bisedonim me Andrej Stojanovskin, djaloshi që na solli me vete medaljen e argjendtë nga Kampionati Botëror i Notit për personat me dëgjim të dëmtuar. Andreji iu përgjigj të gjitha pyetjeve që ia parashtruam, me modesti dhe në stilin e vet. Stërvitja 13-vjeçare e notit e ka shndërruar në një të ri me qëndrim, integritet dhe guxim të paparë për të arritur sukses në jetë.



1. Për një djalosh të ri që jeton për të qenë në ujë, për të notuar, dhe kështu të korrë suksese të mëdha, si e kalove periudhën e KOVID-19 kur lëvizjet ishin të kufizuara?

  1. E fillova këtë vit kalendarik me një agjendë shumë të ngjeshur. Që më dy janar shkova me klubin tim për të marrë pjesë në dy mitingje ndërkombëtare të notit, në Montebeluna - Itali dhe Kranj - Slloveni, kurse pasi u kthyem, shkuam për stërvitje në lartësi në Borovec - Bullgari. Në ato momente, forma ime ishte në rritje dhe rezultatet sa vinin e bëheshin më të mira. Meqenëse në atë kohë isha kandidat për të garuar në Kampionatin Evropian të Notit që do të zhvillohej në maj në Budapest, trajneri im dhe unë vendosëm të ndërmerrnim hapa më të mëdhenj dhe në periudhën e ardhshme të organizonim përgatitje cilësore. Kur u vendosën masat kufizuese, unë, shoku im i klubit Stefan Cvetkovski dhe trajneri ynë Metodija Angeleski po përgatiteshin në një nga qendrat më prestigjioze të stërvitjes në botë, pranë qytetit Pretoria në Republikën e Afrikës së Jugut. Ne duhej të qëndronim atje për një muaj, por pas gjashtë ditësh, natën vonë, vizat tona u revokuan dhe u urdhëruam të largoheshim sa më shpejt. Ishte një tronditje e madhe për ne, por arritëm të kthehemi në minutën e fundit para se të mbyllej aeroporti ynë. Më pas, për shkak se te ne gjithçka ishte e mbyllur, si pishinat ashtu edhe palestrat, më duhej të improvizoja me stërvitje të thata në ambient të hapur.




2. Andrej, ti je fituesi i medaljes së argjendit në Kampionatin Botëror të Notit për personat me dëgjim të dëmtuar dhe je krenari e madhe për të gjithë vendin. Çarë nevojitet për të arritur një sukses kaq të madh?

Për të arritur rezultate të larta shumë gjëra duhet të bien në vendin e vet. Përveç punës së palodhur dhe një diete të posaçme, kërkohen shumë sakrifica dhe heqje dorë nga shumë kënaqësi. Natyrisht, nuk mund të lë pa përmendur edhe familjen time, që më jep përkrahjen më të madhe.

3. A është e nevojshme të vendoset një ekuilibër midis mendjes dhe trupit, për t'u përgatitur në mënyrë të përkryer për çdo fitore dhe sukses?

Gjithsesi. Përveç përgatitjes fizike, momenti psikologjik është shpesh vendimtar. Që në moshën 15 vjeçare më është dhënë mundësia të marr pjesë në gara të mëdha, kështu që mund të thuhet se i kam përjetuar ato pengesa psikologjike në atë periudhë, që përkundër traumës së madhe (në dy raste mbeta pa medalje në metrat e fundit) mund të ketë qenë një rrethanë lehtësuese për mua.



4. Çfarë të jep forcën më të madhe në jetë?

Qëllimet dhe ambiciet e përcaktuara. Për më tepër, kur bën pjesë në elitën sportive nuk mund të mos sillesh me përgjegjësi, çka gjithashtu të nxit për të arritur majat. Po ashtu është edhe mundësia për të udhëtuar pothuajse në të gjithë botën përmes sportit. Unë kam marrë pjesë në tre kampionate botërore të notit për të shurdhër deri më tani, edhe atë në Koimbra 2011 - Portugali, San Antonio 2015 - SHBA (medalje argjendi - arritja ime më e madhe) dhe Sao Paulo 2019 - Brazil, tre kampionate evropiane për të shurdhër në Dortmund 2010 - Gjermani, Saransk 2014 - Rusi dhe Lublin 2018 - Poloni, tre lojëra olimpike për të shurdhër Taipei 2009 - Tajvan, Sofje 2013 - Bullgari dhe Samsun 2017- Turqi. Përveçse garoj me njerëz të shurdhër, jam edhe përfaqësues i kombëtares së Federatës së Notit të Maqedonisë, në kuadër të së cilës deri më tani kam marrë pjesë në dy Ballkaniada për Juniorë, një Kampionat Evropian për Juniorë Beograd - Serbi, një Kampionat Evropian për Seniorë në Londër, Angli (2016) dhe një Kampionat Botëror në Hangzhou, Kinë (2018).

5. Si e ushqeni trupin? A ka ndonjë recetë për sukses përmes ushqimit?

Ushqimi i duhur është një faktor i rëndësishëm. Në këtë aspekt, pas meje qëndrojnë prindërit e mi, të cilët janë plotësisht të përkushtuar ndaj asaj pjese të jetës sime sportive. Regjimi i ushqimit duhet të jetë plotësisht në funksion të stërvitjeve dhe garave. Prandaj kur jam në fazën e përgatitjeve themelore dhe stërvitjes së vështirë, dieta dhe shtesat ushqimore i përgjigjen periudhës në fjalë, mirëpo janë krejtësisht të ndryshme në periudhën kur marr pjesë në ndonjë garë të rëndësishme.

6. Si duket një ditë e jotja kur je në përgatitje e sipër për një garë të notit?

Stërvitja e mëngjesit në pishinë fillon nga 7:00 deri në 9:00, ndërsa ajo e pasdites nga 16:00 deri në 18:00. Stërvitjet e thata në palestër janë tri herë në javë, nga ora 20:00 deri në 21:00. Dy herë në javë shkoj në masazh sportiv. Do të thotë se në periudhën midis dy seancave stërvitore trupi duhet të pushojë për të qenë në funksion, kurse në mbrëmje duhet të bie të fle në kohë.



7. Cilat janë sfidat e notit?

Në not, si në çdo sport individual, krahas konkurrencës së pamëshirshme, sfida më e madhe është të tejkalosh kufijtë e tu. Ndërsa noton kthehesh në kundërshtarin më të madh të vetvetes; lufton me veten për të përmirësuar rezultatet e tua.

Cilin sport tjetër do të zgjidhje nëse nuk do të ishe notar aq i zoti?

8. Futbollin apo mbase basketbollin. 

Çfarë dëshiron të dinë njerëzit që kanë frikë të notojnë?

Duhet të dinë që noti është një nga sportet themelore,  me të cilin mund të fillohet që në moshë të re. Noti është gjithashtu një sport që mund të praktikohet nga njerëz të të gjitha moshave pa frikë nga lëndimet. Me ndihmën e profesionistëve, çdokush mund të mësojë të notojë, ndaj do t'i inkurajoj që të paktën të përpiqen.

9. Cili është mesazhi yt për lexuesit e revistës Betty?

Dëshiroj t'u bëj thirrje të gjithë lexuesve që t’i përkushtohen cilitdo sporti, pa marrë parasysh moshën dhe gjendjen shëndetësore. Megjithë handikapin tim, unë arrita të kapërcej shumë barriera në jetë përmes sportit. Përveçse jam shpallur si atlet i klasit botëror nga shteti, më i lartë në fushën e sportit, unë jam absolvent në FSHIIK dhe pres që së shpejti të diplomohem për inxhinieri kompjuterike.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>