E suksesshme dhe ambicioze, ajo lë gjurmë të thella me ndikimin e saj, ndonëse ende shumë e re dhe me një të ardhme të ndritur përpara vetes. Bisedojmë me Laura Kërliun, këngëtare dhe instruktore vallëzimi, vajzë me shumë detyra dhe shumë talent, e cila dëshiron të arrijë sukses për sa kohë që ka një buzëqeshje në fytyrë.
E dashur Laura, që e vogël ke marrë pjesë në disa festivale në karrierën tënde, sa vjeçe ishe kur zbulove pasionin dhe talentin për muzikën?
Babai im gjithmonë thoshte: ke ditur të këndosh para se të filloje të flisje. Them se ka të bëjë me gjenet; është një dhuratë nga Zoti dhe besoj se kam lindur për të kënduar. Shfaqjet e mia të para ishin para mysafirëve që na vinin në shtëpi, të cilët habiteshin se si mund të gjeja gjithmonë frymëzim për të kënduar. Pas performancës së parë zyrtare në moshën 7 vjeç, e cila ishte në një festival për fëmijë, isha e bindur se kam lindur për të qenë në skenë.
Përveç këndimit, merresh edhe me vallëzim. Na trego pak më shumë rreth sukseseve të tua në fushën e vallëzimit?
Mund të tingëllojë shumë e njëanshme kur flas për këtë dhe njerëzve shpesh u vjen çudi, por e them me plot bindje se vallëzimi ma ka ndryshuar jetën. Në një lokal me muzikë latine në Shkup, krejt papritur një djalë më ftoi që të vallëzonim, ftesë të cilën e refuzova me fjalët se nuk dija të vallëzoja. Për fat të mirë ai ishte këmbëngulës, duke më bërë të ndiqja hapat e tij dhe të kuptoja se sa mirë ndihem kur vallëzoj. Fillova duke vizituar disa shkolla vallëzimi, pastaj pata mundësinë të udhëtoj dhe të mësoj vallëzimin nga instruktorët më të mirë nëpër vendet e tjera. Tani vallëzimi është dashuria ime e dytë dhe mund të them me kënaqësi se jam bërë edhe instruktore.
Je vetëm 28 vjeçe, por ke korrur mjaft suksese në karrierën muzikore. Cili është sekreti i suksesit tënd?
Meqenëse e konsideroj veten një person që gjithmonë përpiqet për më shumë dhe më mirë, mendoj se akoma nuk kam prekur majat. Besoj se më në fund kam gjetur stilin e muzikës që më përshtatet më shumë, ndaj mund të them se jam në rrugën e duhur në kërkim të më të mirës. Të gjitha projektet e mia të ardhshme do të lidhen me dashurinë e fortë që ndiej për vallëzimin dhe muzikën. Këto projekte përfshijnë shumë bashkëpunime të suksesshme me artistë ndërkombëtarë dhe publiku do të ketë mundësinë që t'i shohë dhe dëgjojë në të ardhmen e afërt. Ju premtoj se do të tejkaloj pritshmëritë e publikut. Mbase edhe të vetvetes.
Cili është frymëzimi yt për jetën?
Frymëzimi im për jetën është dashuria, ndaj jetës dhe të gjitha detajeve që janë pjesë e kësaj bote. Jetojmë vetëm një herë. Është mirë të gjejmë një mënyrë dhe të shohim gjithmonë anën e bukur të gjërave, sepse gjithësia gjen çdoherë një mënyrë për të na thënë se asgjë nuk është e rastësishme.
A ka diçka që mund të të dekurajojë, por që ke një mënyrë për ta kapërcyer dhe për të ecur përpara?
Secili prej nesh ka dobësitë e veta, por unë mund të dekurajohem vetëm nga humbja e dëshirës për të përmbushur ëndrrat dhe qëllimet e mia.
Çfarë është e rëndësishme të ketë një person që dëshiron të jetë pjesë e jetës publike?
Ëndrrat. Gjëja më e rëndësishme është të zbulosh ëndrrat e tua, t'i mbrosh ato, të luftosh për ta dhe të punosh shumë për t'i vënë në jetë. Jo vetëm për jetën publike, por edhe për lumturinë vetjake, duhet të dimë të dallojmë se në çfarë jemi më të mirët dhe çfarë bëjmë me lehtësi dhe dashuri të madhe. Ndonjëherë mund të jemi shumë të talentuar për një drejtim të caktuar, por nëse nuk punojmë sa duhet, është e vështirë të arrijmë rezultate të larta.
Si kujdesesh për shëndetin?
Nuk thuhet rastësisht: ti je ajo qe ha. Mu për këtë arsye, për mua është tejet e rëndësishme të ushqehem shëndetshëm dhe të bëj një mënyrë jetese të shëndetshme. Vetëm në trup të shëndoshë mund të kemi shpirt të shëndoshë. Dua të kujdesem për vlerat ushqyese të ushqimit që ha, ndaj mundohem të zgjedh me kujdes të gjitha gjërat që i konsumoj për çdo ditë. Të afërmit e mi e dinë që më pëlqen të hulumtoj dhe të lexoj më shumë rreth ushqimit dhe ndodh shpesh që të këshillohen me mua në këtë temë.
A ke regjim të posaçëm të ushqimit që të rrit imunitetin dhe shëndetin?
Po, me vite kam një rutinë të caktuar të cilës, përveç ditëve kur jam diku me pushime dhe dua të provoj gjëra të reja, përpiqem që t'i përmbahem. Menjëherë pasi zgjohem, praktikoj të pi 2 gota ujë dhe besoj se kjo është mënyra më e mirë për ta zgjuar trupin. Në orën e parë pasi të zgjohem, ha mëngjes, të cilin e shoqëroj gjithmonë me çaj për t’u mbushur me energji. Teoria që mbështes është se një dietë e shëndetshme kërkon të hash shpesh dhe pak. Unë zakonisht ha një vakt të bollshëm dhe katër deri në pesë meze të lehta në ditë. Parapëlqej që një nga mezet e lehta të përmbajë përherë fruta.
Sa e rëndësishme është që një i ri të mbajë shëndetin e vet mendor dhe fizik të sinkronizuar?
Sinkronizimi i shëndetit mendor dhe atij fizik është me rëndësi të madhe, jo vetëm për të rinjtë, por për të gjitha grupmoshat. Do të përsëris se këto janë gjëra që e plotësojnë njëra-tjetrën. Me fjalë të tjera, pa shëndet mendor, nuk ka shëndet fizik dhe anasjelltas.
Cili është mesazhi yt për lexuesit e Revistës BETTY?
Ka shumë mesazhe frymëzuese që më kujtohen çdo ditë, por për mua më e rëndësishmja është: gjej paqen tënde të brendshme! Nëse ia dalim të gjejmë paqen e brendshme, atëherë nuk ka asgjë me të cilën nuk mund të përballemi. Nuk po them që është e lehtë, por është vërtet me rëndësi.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2020).
KALKULATORI DIETIK
Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.