|
1. Kush është Ennur Totre jashtë fushës së futbollit?
Jashtë fushës së futbollit përpiqem të jem sa më modest si të gjithë të tjerët, sepse dua të jem më i përkushtuar ndaj familjes dhe miqve. Pa dyshim që bëj një jetë të disiplinuar si të gjithë atletët profesionistë, ndërsa kohën e lirë e shfrytëzoj për t'u çlodhur.
2. Si e përballove karantinën, duke pasur parasysh që sportistët konsiderohen si njerëz shumë aktivë fizikisht?
Fatkeqësisht, po kalojmë një periudhë vërtet të pazakontë në nivel botëror. Pandemia me Kovid 19 na detyroi të bëjmë ca ndryshime në jetën tonë, në shprehitë e përditshme, si dhe të adaptohemi dhe të përshtatemi me kushtet e reja të jetesës. Ishte më e vështirë në anën profesionale, meqenëse puna që e bënim nga shtëpia, assesi nuk mund të përmbushte punën kolektive, e cila është e domosdoshme për sportet në ekip. Megjithatë e kishim patjetër të respektonim kushtet që kërkonin vëmendje të madhe ndaj shëndetit tonë dhe përgatitjes fizike. Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, mendoj se gjatë gjithë kësaj periudhe gjëja më e bukur ishte që patëm mundësi t’i kushtojmë më shumë kohë familjes.
3. Sa e rëndësishme është disiplina mendore në futboll, por edhe në jetë në përgjithësi?
Disiplina mendore është shumë e rëndësishme për çdo atlet profesionist. Një person i fortë dhe i qëndrueshëm mendërisht mund të bëjë gjithmonë më shumë për profesionin e vet. Ashtu si sportet e tjera, futbolli kërkon qëndrueshmëri mendore, brenda dhe jashtë fushës.
4. Cili është sekreti yt për të mbajtur veten në formë?
Puna e palodhshme, disiplina gjatë dhe pas stërvitjes, jetesa sipas parimeve sportive, ushqimi i shëndetshëm dhe pushimi i duhur janë faktorët kryesorë që ndikojnë në formën time. Këto janë përbërësit që, kur ndërthuren së bashku, japin rezultate pozitive.
5. Ke një mënyrë të veçantë të të ushqyerit?
Të them të drejtën, besoj se të gjithë atletët profesionistë i kushtojnë vëmendje dietës së tyre, kështu që përpiqem të ha ushqime të shëndetshme dhe të pasura me energji, që më ndihmojnë të ruaj peshën ideale të trupit.
6. A e ndjek shembullin e ndonjërit nga yjeve të futbollit botëror për një jetesë të shëndetshme?
Sigurisht që mbështetem në shembujt e yjeve të mëdhenj të futbollit, për sa i përket regjimit të shëndetshëm. Në këtë kohë kur teknologjia ofron qasje aq të lehtë në informacionet që na duhen dhe na interesojnë, s'do mend që i ndjek të gjitha ngjarjet aktuale dhe atletët përmes internetit dhe rrjeteve sociale. Megjithëse besoj se ndjekja e shembujve më të mirë në botë nuk është vetëm në dobi të sportistëve, por të gjithsecilit.
7. A ka diçka nga bota e futbollit që të pengon?
Ajo që më pengon më shumë është prania e disa njerëzve të pandershëm në këtë sport. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të shumë rasteve kur disa njerëz arrijnë te futbollistët dhe abuzojnë me ta. Megjithatë kjo dukuri ekziston edhe në skenën botërore, prandaj varet nga ne të mbetemi profesionistë dhe syçelë, të japim më të mirën gjatë ndeshjeve dhe të fitojmë zemrat e tifozëve.
8. Cila është fuqia e veçantë e Shkëndijës si klub futbolli?
Mbështetja e ekipit dhe kimia e ndërsjellë midis lojtarëve është ajo që e bën Shkëndijën një ekip të fortë dhe të suksesshëm. Ne si ekip përpiqemi të ruajmë energjinë pozitive midis nesh. Me shumë respekt për lojtarët që vijnë nga vende të ndryshme, në Shkëndijë mbizotëron harmonia dhe mirëkuptimi kurdoherë.
9. Si pjesë e cilit klub futbolli të klasit botëror e parafytyron veten në të ardhmen?
Besoj se çdo futbollist ka ëndrrën dhe dëshirën për të provuar veten në një ligë më të fortë. Pa dyshim që për të arritur majat duhet shumë punë dhe këmbëngulje. Rezultatet e mira nuk arrihen brenda natës, por duhet një plan i mirë për kalim gradual nga një nivel te tjetri në karrierë. Do të thoja që ëndrra ime është të jem pjesë e një prej 5 ligave dhe garave më të mira evropiane, të cilat njihen edhe si “ajka” e futbollit.
10. A ke ndonjë këshillë për lexuesit tanë se si të përmirësojnë shëndetin dhe të qëndrojnë në formë të mirë fizike?
Shëndeti është gjëja më e rëndësishme për të cilën duhet të kujdesemi gjithmonë. Mënyra e rregullt e jetës, ushqimi i mirë, aktivitetet sportive, qoftë në nivel profesional ose si rekreacion, janë përbërësit themelorë që marrin pjesë në ndërtimin e jetesës së shëndetshme. Duhet të dimë që ushtrimet fizike janë për të mirën tonë, kështu që gjithmonë duhet të ndajmë kohë për to. Përveç kësaj, nuk duhet të harrojmë se cilësia e gjumit është po ashtu jashtëzakonisht e rëndësishme. Me pak fjalë, ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe pushimi i mjaftueshëm luajnë një rol thelbësor në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies.
Kur bëhet fjalë për një mënyrë jete të shëndetshme, një nga lojtarët kryesorë të KF Shkëndijës, Ennur Totre, i ndjek me shumë vëmendje shembujt e yjeve të futbollit botëror. Energjinë dhe humorin e mirë ua mvesh gjumit cilësor, aktiviteteve sportive të përditshme, si dhe disiplinës dhe dashurisë për futbollin.
I riu Totre, tejet i talentuar dhe shpresëdhënës, ëndërron të korrë suksese edhe më të mëdha dhe beson se puna e palodhshme sjell gjithmonë rezultate.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2020).