Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Revista – Ëndrrat e përmbushura të Elena Risteskës

December 1, 2020

|



  1. Secili nga ne e përjeton fundvitin si një moment në të cilin kemi mundësinë të kthejmë kokën kah të gjitha sukseset dhe dështimet e së kaluarës dhe të mendojmë dëshirat për vitin e ri. Cilat janë momentet që do të qëndrojnë në kujtesën tënde nga ky vit?


Çdo vit ka përmbajtjen e vet dhe gjërat që kemi arritur t'i njëmendësojmë gjatë tij, por vetëm për vitin 2020 më duhet "të mbledh supet". Megjithëse do të doja ta harroja pjesën më të madhe të tij, përsëri do ta kujtoj për dy gjëra. Vitin 2020 do ta kujtoj për faktin se këtë vit, bota në njëfarë mënyre ngeci në vend. Dhe gjëja e dytë që do të më bëjë ta kujtoj përgjithmonë vitin 2020 është hedhja në treg e parfumit tim të parë dhe themelimi i markës sime të parë, të cilën e kam emërtuar "Era Cosmetics". Megjithëse kisha plane dhe stenda tashmë të përgatitura në qendrat tregtare në Maqedoni dhe në disa vende të Ballkanit, m'u desh të mjaftohesha vetëm me shitjet në internet përmes faqes zyrtare, kjo për shkak të situatës së tanishme me virusin COVID-19.

Në tërësi, vitin 2020 do ta kujtoj si vitin në të cilin kam realizuar një nga ëndrrat e mia më të mëdha dhe afatgjata nga ana profesionale, e cila është themelimi i markës "Era Cosmetics".





    1. Çfarë është ajo që të motivon dhe të rikthen në jetë, sa herë që ndihesh se të ka rënë energjia?


    S'do mend se shtysa më e madhe në jetë për mua janë njerëzit më të dashur, nëna, motra dhe mbesa ime Delfina. Në mesin e të afërmve përfshihen edhe miqtë e mi, të cilët janë motivimi dhe mbështetja ime më madhe, por ka edhe gjëra të tjera që më frymëzojnë dhe më bëjnë të lumtur. Muzika, e cila më çon përpara si krijuese dhe si adhuruese e saj, është njëra prej tyre.

    Puna është pjesë e pandashme e imja, pa të cilën ka të ngjarë të bie në depresion. Unë punoj dhe fitoj vetë që nga mosha 16 vjeçare, që do të thotë se ka gati 18 vite që jam e varur nga puna ose siç e quajnë disa syresh, që kur jam shndërruar në një ''workaholic''. Kur punoj ndihem e gjallë.

    Dhe sigurisht kur të dashurit e mi janë shëndosh e mirë dhe të lumtur, atëherë edhe unë jam e lumtur.

    1. Shpesh të shohim me veshje sportive në rrjetet sociale. Sa kohë i kushton dhe me çfarë lloji të aktivitetit fizik merresh?




Fatkeqësisht, kohëve të fundit nuk jam shumë aktive fizikisht, megjithëse kjo nuk është tipike për mua. Për shkak të situatës në të cilën jemi, me vetëdije i shmang qendrat e fitnesit, nuk më pëlqejnë stërvitjet e gjata në atmosferë shtëpiake për shkak të motivimit të pamjaftueshëm, kurse ecja apo vrapimi nuk janë një opsion për mua në kushtet e ndotjes së tillë në qytetin ku jetojmë. Në shtëpi bëj vetëm ndonjë ushtrim të jogës. Kështu që, duhet të pres ditë më të mira për të gjithë ne, që të kthehem në rutinën time, e cila është stërvitja e rregullt: palestër, joga, alpinizëm dhe nganjëherë tenis.





    1. Veçanërisht në këtë periudhë të viruseve dhe ftohjeve, si e mbron veten dhe si kujdesesh për imunitetin tënd?


    Për imunitetin kujdesem duke shtuar shtesa të ndryshme ushqimore në dietë, të tilla si çaga ruse, pastaj duke përdorur ilaçe homeopatike, vitamina të ndryshme dhe mbi të gjitha një dietë të ekuilibruar, të pasur me perime dhe fruta. Në dietë shtoj edhe përtypjen e një copë të vogël xhenxhefili të freskët në ditë.

    1. Shëndeti fizik ndikon drejtpërdrejt edhe në shëndetin mendor. Sipas mendimit tënd, cilat janë gjërat kryesore të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje për të arritur ekuilibrin e dëshiruar midis këtyre dy termave?


    Gjëja kryesore për ruajtjen e shëndetit fizik është rëndësia e të kuptuarit të stërvitjes si pjesë e zakoneve të përditshme, të tilla si larja e dhëmbëve në mbrëmje dhe në mëngjes, ngrënia, kryerja e nevojave fiziologjike etj. Këto janë gjëra pa të cilat nuk mund të funksionojmë, prandaj kur bëhet fjalë për ushtrimet, duhet t'i lëmë anash arsyetimet që na pengojnë ndërmarrjen e hapave në atë drejtim.

    Ushtrimet ndikojnë automatikisht edhe në shëndetin mendor. E gjithë kjo, e mbështetur nga një dietë e shëndetshme dhe e rregullt, krijon baraspeshën e përsosur për jetesë më të mirë. Çdonjëri prej nesh ka zakonet e veta, sportet e parapëlqyera për aktivitet më të madh fizik, mënyrat e veta të gjimnastikës mendore. Por për mendimin tim, baraspesha midis punës dhe pushimit është gjithashtu thelbësore. Pa atë baraspeshë, as shëndeti fizik e as mendor nuk do të jenë në formë të përsosur. Sipas shkrimtarit të famshëm Osho, puna është pjesë e rëndësishme e jona, por ai thotë ''kushtojani të paktën një ditë në javë pushimit dhe Zotit''. Gjimnastika mendore për mua është leximi i librave dhe mësimi i gjuhëve. Kjo është arsyeja pse ekuilibri është i nevojshëm në gjithçka.








      1. Sa i kushton vëmendje të ushqyerit dhe çfarë mendon për dietat?


      Aq sa më lejon ritmi i shpejtë i jetës, po aq vëmendje i kushtoj të ushqyerit të rregullt. Kurse sa për të ushqyerit e shëndetshëm, që e vogël jam ushqyer shëndetshëm dhe përveç ushqimeve të mrekullueshme të shtëpisë të përgatitura nga nëna ime, gjithmonë kam pasur ndjesinë e krijimit të kombinimeve të shëndetshme të ushqimit. Por vitet e fundit kam mësuar të mos shqetësohem me numërimin e kalorive dhe dietat.

      Për më tepër, është mirë të kuptohet se të ushqyerit është diçka individuale. Prandaj, mënyra e të ushqyerit duhet të jetë në raport të ndërsjellë me intolerancën ndaj produkteve të caktuara, me gjendjen shëndetësore dhe aktivitetin fizik të gjithsecilit. Unë kam një zakon që funksionon për mua dhe që mund të mos funksionojë për dikë tjetër, i cili është që pas orës 7 të pasdites nuk konsumoj ushqim, por vetëm lëngje. Shpesh më ndodh që, si një adhuruese e flaktë e ëmbëlsirave, të shkel të gjitha zakonet e shëndetshme. Por në përgjithësi i kushtoj vëmendje kombinimit të përbërësve në dietë, sepse me rëndësi janë kombinimet dhe jo sasia e ushqimit. Uji është gjithashtu përshpejtues i metabolizmit.

      1. Sa kohë mund të ndash për veten dhe si e përdor atë më shpesh?


      Kur kam shumë obligime gjatë ditës, zgjohen në 8 të mëngjesit dhe e përfundoj punën në 10 pasdite, ndonjëherë kur kam takime me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara më ndodh të punoj deri në orën 2-3 të mëngjesit për shkak të ndryshimit në zonat kohore. Por natën gjithmonë lë kohë për vete. Pas një dushi të nxehtë dhe pasi të heq grimin, para se të shkoj në shtrat zakonisht bëj çaj dhe lexoj ndonjë libër, sepse librat më ndihmojnë të çlodhem. Ndodh shumë shpesh që të mos kem kohë për veten gjatë ditëve të javës, përveç në fundjavë. Meqenëse pas një dite të lodhshme pune shkoj drejt e në shtrat, ditëve të tilla nuk kam kohë as për të pirë kafenë e mëngjesit. Por gjithmonë përpiqem të kem një baraspeshë, kështu që pas periudhave shumë të lodhshme zakonisht kam periudha pushimi.

      Kohë për vete e quaj edhe kur shkoj në parukeri, te stilisti im Daniel Nikolovski, ose kur i bëj thonjtë te Lidija. Këto janë gjithashtu çaste relaksuese. Të them të drejtën, kur jam e mbingarkuar me punë dhe kur jam e ngazëllyer për ndonjë projekt të ri në muzikë ose kozmetikë, ndodh që ta harroj atë kohë për veten time.

      1. Cilin ritual e konsideron si të domosdoshëm kur bëhet fjalë për ''një trup dhe fytyrë të mbajtur të femrës''?


      Më lart përmenda disa nga ritualet e mia të përditshme, por të gjitha ato nuk do të mjaftonin nëse nuk krijojmë një ritual që na sjell paqe të brendshme. Megjithëse në besimin tim meditimi nuk pranohet, unë prapëseprapë kam mënyrën time për të thënë lutjen, e cila është një lloj qetësimi i shpirtit dhe relaksim i trupit, që ngjan me meditimin, por megjithatë është lutje. Lutjet për gjithçka që kemi nevojë dhe falënderimet ndaj Zotit për gjithçka që kemi janë vërtet një nga ritualet më të domosdoshme për të rrezatuar bukurinë e brendshme, si dhe për të shëruar shpirtin.

      Bukuria e jashtme duhet të mbahet; trupi ka nevojë për kujdes dhe vëmendje ashtu si fytyra që ka nevojë për kozmetikë dhe mënyrën e duhur të kujdesit. Si burrat ashtu edhe gratë kanë nevojë për kujdes, pavarësisht nga predispozitat gjenetike. Sidoqoftë, për gratë, është e rëndësishme të pastroni plotësisht fytyrën dhe të hiqni grimin para se të shkoni në shtrat, ndonjëherë edhe pas një trajtimi. Por e gjithë kjo, pa ushqyer bukurinë e brendshme, e cila vihet re së pari në fytyrat tona, më besoni që është e kotë. Më ndodh që të përdor një kujdes të përkryer të fytyrës dhe ta bëj grimin pa mangësi, por megjithatë në fytyrë të më vërehet trishtimi dhe krejt e kundërta, të mos vendos fare grim në fytyrë dhe të gjithë të më vërejnë se rrezatoj. Padyshim që rezultati i saj është lumturia dhe paqja ime e brendshme, të cilat shquhen si me magji në fytyrë.

      1. Çfarë do të thotë ''mënyrë jetese e shëndetshme'' për ty?


      Për zakonet e shëndetshme fola më shumë në përgjigjet e mëparshme, por dua të ndërlidhem me diçka që është shumë e rëndësishme viteve të fundit, pavarësisht nga situata e virusit, sepse një ditë kjo pandemi gjithsesi do të zbehet. Pra, një nga mënyrat më të shëndetshme të jetesës është të kaloni kohë me familjen dhe miqtë. Nuk është mirë të mbylleni dhe të mos dilni nga shtëpia për ditë të tëra, nuk është produktive të shikoni seri për disa orë në ditë, përveç se për të mësuar më mirë një gjuhë të huaj. Nuk është në rregull që po qëndrojmë aq shumë para ekraneve të telefonave dhe po jetojmë më shumë në mediet sociale sesa në realitet. Më e keqja nga të gjitha është se po e kalojmë kohën që na ka mbetur në këtë planet për të përhapur urrejtje dhe energji negative.

      Të gjitha sa më sipër çojnë në sëmundje që janë mjaft të zakonshme tek njerëzit, si ankthi dhe depresioni. Prandaj, pavarësisht nga frika që kemi nga infektimi me virusin, kaloni kohë në natyrë, në shëtitje, në shërimin e psikikës përmes hobeve dhe aktiviteteve të ndryshme. Zakon më i bukur i shëndetshëm nga të gjithë është të mësosh çdo ditë se si ta gjesh lumturinë brenda vetes dhe të mos e lësh të varet nga faktorët e jashtëm.








    1. Cilat janë dëshirat e tua për vitin e ri 2021?


    Dëshira ime është që bota të kthehet përsëri në normalitet, të kemi mundësi të udhëtojmë, të punojmë dhe të jetojmë përsëri në kushte normale... Dua të dëgjoj vetëm histori të lumtura dhe gjëra të bukura. Le të dalim nga kjo "anije që fundoset" si më të zgjuar, më të disiplinuar, më të ndërgjegjshëm, më të lumtur dhe më të shëndetshëm. Njeriu si qenia e vetme me arsye, vetëdije dhe ndjenjë përgjegjësie nuk do të lejojë që kjo anije të fundoset.

    Unë uroj një epokë të re për njerëzimin.


Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>