Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Pyetje për Aspazija Sofijanova – E guximshme dhe energjike

April 1, 2021

Prof. Dr Aspazija Sofijanova

|



Culi, siç e quajnë bashkëpunëtorët dhe miqtë e saj, magjeps me temperamentin e saj të palodhur dhe energjinë pozitive. Prof. Dr. Aspazija Sofijanova, e cila është drejtoreshë e Klinikës për sëmundjet e fëmijëve në Shkup dhe kryetare e Shoqatës së pediatërve të Maqedonisë është zonja që fsheh në vete një artist, adhurues natyre dhe një person të ndjeshëm.

1. Kush është Dr. Sofijanova kur e heq mantelin e bardhë?

Njeriu më i zakonshëm. Nënë, grua, tashmë edhe gjyshe... Një person normal që e sheh botën thjesht si një fushë garash pozitive. Për fat të keq, janë krijuar shumë negativitete midis njerëzve, ndërsa e vetmja gjë pozitive është ajo që na bën të gjithë neve të jetojmë për lumturi dhe dashuri.

2. E dimë që i bini pianos, se keni qenë pjesë e muzikaleve, ju interesojnë temat si astrologjia dhe shkencat natyrore... Si e gjetët veten në rolin e një mjeku që e njeh i gjithë kombi?

Është e vërtetë që i bie pianos dhe këndoj. Kam kryer shkollën e mesme të muzikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e vërtetë që kam luajtur në muzikal, edhe atë në muzikalin ''Oklahoma'' ku isha pak a shumë në rolin kryesor. Thellë në vete e di se është ajo që me të vërtetë më përfaqëson. Profesori Dragomanski më thoshte: ''Po ta matnim trurin tënd, me siguri ka diçka më shumë se dhuntia për muzikë''. Ajo është dashuria ime për artin. Babai dhe gjyshi im gjithashtu i binin pianos dhe ishin disi të lidhur me muzikën. Ky tipar i imi është me shumë gjasë i trashëguar. Pikërisht këto momente janë një mënyrë për të nxjerrë të gjithë energjinë negative dhe kur emocionet dhe ndjenjat dalin në sipërfaqe. Ne të gjithë kemi një pjesë të mbërthyer thellë në vete, që përpiqet me çdo kusht të dalë në sipërfaqe, sepse vetëm ajo mund të na kthejë buzëqeshjen në fytyrat tona.

3. Çfarë nënkupton një zonjë e vërtetë për ju?

Një zonjë e vërtetë është ajo që di se si ta mbajë atë në vetvete dhe e cila është me të vërtetë e destinuar të jetë e tillë. Pa shtirrje dhe pa u përpjekur për t'u shndërruar në diçka që nuk është. Një grua që nuk imiton zonjën, por thjesht ka lindur e tillë. Ose e keni në gjenetikë ose thjesht nuk e keni.

4. Si kujdeseni për trupin tuaj? Cilat janë gjërat kyçe që duhet t'i bëjë një grua që kujdeset për veten?

Në përgjithësi jam një person shumë temperament. Gjatë ditës kam një numër jashtëzakonisht të madh aktivitetesh që kërkojnë lëvizje. Nga vetë fakti se klinika ka 2 departamente dhe shtatë kate, mund të imagjinoni se sa lëvizje nevojitet. Si pediatër intensivist është e domosdoshme të jesh në lëvizje të vazhdueshme. Përveç kësaj, kam edhe kafshë shtëpiake - një qen biçon, të cilin e shëtis rregullisht dhe kjo më jep një ndjenjë të këndshme të mbledhjes së energjisë së bukur. Në të kaluarën vrapoja shpesh. Për gati dhjetë vjet ishte aktiviteti im i përditshëm dhe atëherë, përmes vrapimit lirohesha nga energjia negative në molin e Vardarit. Fatkeqësisht, punimet shkencore, obligimet e përditshme, vëllimi i përgjegjësive, leximi, shkrimi, të lidhin gjithnjë e më shumë për karrige dhe kjo është arsyeja pse kisha gjithnjë e më pak kohë për të vazhduar me këtë shprehi të shëndetshme. Tani po e kompensoj atë pjesë në natyrë, veçanërisht në vendlindjen time Krushevë, ku e kam edhe shtëpinë e dytë. Atje pylli është miku im më i afërt, ndërsa kanarinat janë kori im i parapëlqyer.

5. Sa jeni aktive fizikisht? A merreni me ndonjë sport?

Sipas mendimit tim, shëndeti mendor duhet të jetë në vendin e parë të përparësive tona. Nëse çrregulloni shëndetin mendor, shëndeti fizik nuk është i plotë. Në veçanti, pandemia na ka treguar se shëndeti mendor është vendimtar për të mbijetuar kushtet e krizës në jetën tonë. Kjo tregon se sa i fortë është një person. Shpesh jemi dëshmitarë të asaj se njerëzit vlerësohen pikërisht sipas kësaj veçorie.



6. Sa i rëndësishëm është shëndeti mendor dhe si i kontrolloni emocionet tuaja?

Në jetën e përditshme unë nuk jam person që shfaq emocione. Sidomos sfidat me të cilat përballemi në profesionin tonë, të cilat janë të lidhura me lloje të ndryshme problemesh dhe gjendjesh që lidhen me familjet, humbjet, madje edhe gjërat e bukura, na mësojnë të kontrollojmë reagimet dhe emocionet tona. Të gjitha ato së bashku ju bëjnë që t'i shihni si pjesë të jetës. Pra, jini të lumtur dhe përdorni buzëqeshjen tuaj në çdo moment. Megjithatë, thellë në vete unë jam shumë më emocionale seç mund ta merrni me mend.

7. Cila është mënyra juaj e relaksimit?

Kam një pjesë të tarracës sime ku kam mundësinë të dëgjoj muzikë. Më shpesh më pëlqen të dëgjoj tingujt e natyrës. Më pëlqen të dëgjoj tingujt relaksues të deteve, oqeaneve, valëve, gjetheve... Lulet janë gjithashtu pasioni im. Meqenëse jam fëmijë pranveror, më pëlqen të mbjell lule, të cilat ma kthejnë energjinë që më nevojitet dhe më përgatisin për sfidat e çdo dite të re.

8. Ju jeni një grua që, si në jetën private ashtu edhe në atë profesionale, keni pasur mundësi të shëtisni në disa vende. Nëse do të bënim një krahasim midis disiplinës për jetë të shëndetshme dhe kujdesit për shëndetin tonë, çfarë është ajo që na mungon?

Si për shkak të profesionit, ashtu edhe si kryetare e Shoqatës së pediatërve, kam përfaqësuar shtetin tonë në vende të ndryshme të botës. Është e vërtetë që unë flas gjuhë të shumta, kam jetuar në vende të tjera si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam vizituar pothuajse të gjitha vendet evropiane... Por ishte Japonia ajo që më la përshtypjen më të madhe dhe këtë e theksoj gjithmonë. Përveç që ndoshta e gjeta veten në atë autodisiplinë që ka ai vend, ngela e mahnitur nga rregulli që u ofron të gjithëve në mënyrë të barabartë. Fatkeqësisht, në kërkimin e kësaj marrëdhënieje të drejtë, shohim se dallimi kulturor na bën pak më të vështirë arritjen e të njëjtës gjë.



9. Cili është qëndrimi juaj ndaj marrjes së vitaminave dhe mineraleve tek fëmijët? A mendoni se rruga e drejtë është nëpërmjet marrjes së ushqimeve të pasura me to apo megjithatë nevojiten shtojcat dietike?

Edhe pse vazhdimisht ndjek risitë në shkencë, unë vazhdoj të mbetem tradicionale në atë anë. Sipas mendimit tim, ushqimi i gatuar mirë është zgjedhja më e përshtatshme. Gjithmonë them se vitaminat dhe mineralet duhet të përpiqemi t'i marrin natyrshëm. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e shëndetshme e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve. Në mungesë të diellit, është e këshillueshme marrja shtesë e vitaminës D. Nuk e di pse përmendet vazhdimisht vitamina C, kur është e pranishme në të gjitha frutat dhe perimet dhe është shumë e arritshme për konsum.

10 Cila është këshilla juaj për prindërit e foshnjave të lindura para kohe?

Ata prindër nuk janë as të vetëdijshëm se sa më të zgjuar mund të jenë fëmijët e tyre në krahasim me të tjerët. E them këtë sepse kemi të dhënat nga fëmijët që na interesojnë. Sfidat e tyre janë më të mëdha se ato të fëmijëve të tjerë dhe kjo është arsyeja pse gjatë gjithë jetës së tyre ata vazhdimisht duhet ta dëshmojnë veten në raport me bashkëmoshatarët e tyre. Lufta e tyre për jetën është praktikisht ajo që u jep shpirtin luftarak të përjetshëm. Këtë e kanë treguar një përqindje e madhe e fëmijëve të lindur para kohe që kanë kaluar nëpër klinikën tonë dhe ne jemi krenarë për ta.

Gjithmonë them se profesioni ynë në aspektin e fëmijëve të lindur para kohe është shkencë dhe art në të njëjtën kohë. Ne përpiqemi t'i bashkojmë aftësitë tona me mendjen tonë dhe t'u japim atyre foshnjave shumë dashuri.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>