Dr. Aleksandar Kolev, i cili është kirurgu i parë i zemrës në historinë e Departamentit të Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë - Shkup, ishte pjesë e ekipit heroik të mjekëve që morën pjesë në transplantimin e parë të zemrës në Maqedoni.
- A jua merrte mendja ndonjëherë se do të bëheshit pjesë e ekipit që morri pjesë në transplantimin e parë të zemrës në Maqedoni?
- Sinqerisht, jo. Të them të drejtën, nuk prisja as se një ditë do të isha pjesë e ekipit të kardiokirurgjisë shtetërore. Kur, 7 vite më parë, mora ftesë nga Prof. Jovev që të bëhesha pjesë e ekipit të tij, u habita me të vërtetë. Por ka 7 vjet që Kardiokirurgjia Shtetërore po funksionon vazhdimisht dhe vijon të përparojë dhe të zhvillohet, duke ndjekur të gjitha prirjet më bashkëkohore botërore në fushën e kardiokirurgjisë. Transplantimi i parë i zemrës ishte vetëm një rrjedhë e natyrshme e këtyre proceseve dhe ndodhi pas përgatitjeve të gjata, të hollësishme dhe intensive. Sot, mund të them se, të qenit pjesë e gjithë këtij procesi, jo vetëm që është një nder dhe kënaqësi e madhe, por edhe një motiv dhe sfidë më tepër në zhvillimin tim të mëtejshëm si kirurg i zemrës.
- Sipas mendimit tuaj, cila është vetëdija për rëndësinë e transplantimit të organeve dhe si mund të zhvillohet ajo?
- Një sërë rrethanash dhe karakteristikash të mjedisit dhe mendësisë sonë më çojnë në përfundimin se, për sa i përket ndërgjegjësimit për mundësitë e dhurimit të organeve, jemi akoma diku në fillim. Kjo është veçanërisht e vërtetë për të ashtuquajturin transplantimi kadaverik, gjegjësisht dhurimi i organeve nga një dhurues i cili është diagnostikuar me vdekje të trurit, i cili është edhe i vetmi rast kur mund të flasim për transplantim të zemrës.
Duke qenë se sistemi ynë shëndetësor është i gatshëm dhe ka treguar se është tashmë i aftë nga ana shkencore, teknike dhe e kuadrove, na mbetet vetëm të punojmë në ngritjen e vetëdijes dhe inkurajimin dhe forcimin e besimit të popullsisë. Në atë drejtim, është e nevojshme të intensifikohen fushatat kombëtare nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me shoqatat civile dhe sektorin e OJQ-ve.
Për më tepër, mendoj se një pjesë e vëmendjes duhet të drejtohet edhe tek mjekët të cilët përballen me situata të dhurimit të mundshëm të organeve nga dhuruesit kadaverikë, për sa i përket njohjes në kohë të atyre rasteve dhe mënyrës se si t'u qasen pacientëve dhe familjeve të tyre për mundësinë e dhurimit të organeve.
- Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Për një profesion si i juaji, ku përballeni me ndërhyrje mjaft komplekse, si e ruani qetësinë dhe çfarë është ajo që ju relakson para çdo ndërhyrjeje?
- Kirurgjia kardiake dhe kirurgjia në përgjithësi, janë profesione që kërkojnë vërtet kondicion të madh psikofizik. Padyshim që përvoja na jep qetësinë më të madhe, por një gjë e tillë kërkon kohë. Prandaj, gjëja më e rëndësishme për ta ruajtur qetësinë para çfarëdo ndërhyrjeje, për mendimin tim, është përgatitja e mirë paraprake, njohja e hollësishme e gjendjes së pacientit, planifikimi i hollësishëm i ndërhyrjes, si dhe çdo vështirësi, pengesë dhe ndërlikim i mundshëm dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre.
Jashtë vendit të punës, është e rëndësishme të kalosh kohë me familjen dhe miqtë, më pëlqen të marr pjesë në koncerte muzikore dhe ngjarje të tjera kulturore dhe gjithashtu përpiqem të merrem me sport.
- Si është ndjenja e të qenit hero në jetën e dikujt?
- Jeta moderne është plot me vepra heroike. Shumica kalojnë të pavërejtura dhe mbeten të panjohura. Mundohem ta shikoj punën time në mënyrë rreptësisht profesionale, pa ndonjë devotshmëri të veçantë heroizmi, ose ndoshta vetëm si një pjesë të vogël të veprave të panumërta heroike në jetën e përditshme. Çdo theksim dhe lartësim i veçantë mendoj se e shpërqendron vëmendjen dhe është i dëmshëm.
- Cili është shprehia juaj e shëndetshme me të cilën dëshironi t'i motivoni lexuesit tanë?
- Shëndeti mendor dhe fizik janë të rëndësishëm në mënyrë të barabartë. Një nga shprehitë e mia të shëndetshme, që më ndihmon të shtendosem mendërisht dhe njëkohësisht më mban në formë të mirë fizike, është çiklizmi. Jam adhurues i çiklizmit malor "jashtë rrugës", sepse një udhëtim i tillë nëpër natyrë më relakson më së shumti. Maqedonia është e mbushur me natyrë dhe shtigje të mrekullueshme për çiklizëm malor dhe ky aktivitet duket se po lulëzon me të madhe viteve të fundit. Ka edhe shumë shoqata qytetare që organizojnë ngjarje kolektive të çiklizmit dhe kështu e promovojnë më tej këtë sport. Çiklizmi, në çdo formë, është një shprehi me të vërtetë e shëndetshme që ua rekomandoj të gjithë lexuesve tuaj.
- Duke qenë se jeni çiklist, cila është rëndësia e aktivitetit fizik për sëmundjet kardiovaskulare?
- OBSH-ja dallon pasivitetin fizik, së bashku me nikotinën dhe dietën jo të shëndetshme, si një nga shkaqet kryesore për zhvillimin e sëmundjeve kronike, veçanërisht sëmundjeve të sistemit kardiovaskular. Vlerësohet se rreth 35% e vdekshmërisë nga sëmundja e arterieve koronare është për shkak të pasivitetit fizik. Kjo është arsyeja pse OBSH-ja, përmes fushatave të shumta, thekson nevojën për aktivitet të rregullt fizik si një masë e rëndësishme parandaluese shëndetësore. "Lëviz për shëndet" ishte një nga parullat për Ditën Botërore të Shëndetit disa vite më parë. Rekomandohet aktivitet fizik i moderuar aerobik, si ecja, 20-30 minuta çdo ditë ose aktivitet fizik aerobik më intensiv, 30-60 minuta, 3-4 herë në javë.
- Sipas mendimit tuaj, cila është mënyra për të parandaluar dhe kontrolluar sëmundjet kardiovaskulare?
- Sëmundjet kardiovaskulare janë sëmundje për të cilat zbatohet parimi i multifaktorialitetit, d.m.th. për shfaqjen e tyre ndikojnë, pak a shumë, faktorë të ndryshëm të rrezikut. Prandaj, për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, është e nevojshme të shmangen faktorët e rrezikut. Pasivitetin fizik e përmenda tashmë si një nga tre faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, së bashku me pirjen e duhanit (nikotinën) dhe dietën jo të shëndetshme. Këta janë faktorë rreziku në të cilët mund dhe duhet të ndikojmë në jetesën e përditshme.
Lexuesve do t'u rekomandoja edhe një herë aktivitet të rregullt fizik, kurse nëse jeni duhanpirës, ndaloni pirjen e duhanit menjëherë, shmangni ushqimet e shpejta, të përpunuara, që janë të pashëndetshme dhe mbani një peshë normale. Për sa i përket kontrollit, rëndësi të madhe kanë edhe ekzaminimet e rregullta shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit, monitorimi dhe kontrolli i presionit të gjakut, niveleve të sheqerit në gjak dhe kolesterolit.
- Fatkeqësisht, stresi është bërë shumë i pranishëm në jetën e përditshme të të gjithë neve. Si mund të mësojmë ta duam zemrën tonë dhe t'i luftojmë situatat stresuese?
- Stresi është padyshim gjithëpërfshirës dhe i kudondodhur në jetën tonë, por ndoshta mënyra se si e trajtojmë atë është e ndryshme dhe e veçantë për secilin prej nesh. Nevojat ekzistenciale na bëjnë që shpesh të angazhohemi në profesione të detyruara, të jemi pak a shumë të ndarë nga të dashurit tanë, shpeshherë edhe larg, në vende të huaja.
Gjithkush duhet ta gjejë atë që do ta bëjë të lumtur, ta përmbushë dhe ta ndihmojë t'i kapërcejë situatat stresuese. Mund të jetë një hobi, punë dore, sporte, muzikë etj. Komunikimi, kalimi i kohës cilësore me të dashurit dhe lëvizja në natyrë janë ndoshta burimet më universale të energjisë pozitive që do të na ndihmojnë të zvogëlojmë ndikimin e stresit të përditshëm.
- Çfarë mesazhi do të donit t’u përcillnit të gjithë studentëve të mundshëm dhe aktualë, që janë pjesë e Departamentit të Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë?
- Përmes aktiviteteve të mia të përditshme në Qendrën Klinike Universitare kam mundësinë të takoj shumë kolegë më të rinj, studentë, vullnetarë dhe specializantë. Shumë prej tyre janë me të vërtetë frymëzim dhe motivim i shkëlqyeshëm edhe për mua. Brezat e sotëm janë të lirë nga shumë nga kufizimet e së kaluarës, kurse teknologjitë moderne i lejojnë që të ndjekin të gjitha tendencat moderne të shkencave të mjekësisë në botë.
Do të doja që të mos e humbin kurrë kërshërinë shkencore, të vazhdojnë të përditësojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mjekësisë dhe sistemit shëndetësor. Unë e di që janë qytetarë të botës dhe në këtë kuptim i inkurajoj dhe i mbështes në maksimum, por uroj që të përdorin të paktën një pjesë të njohurive dhe aftësive të tyre për zhvillimin e kujdesit shëndetësor në vendin tonë dhe për të mirën e pacientëve tanë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).