Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Revista – Driton Vejselin dhe Emra Kurtishovën – Gjithçka është më mirë kur ka dashuri

February 1, 2021

 

Talati (Driton Vejseli) dhe Isaura (Emra Kurtishova) janë bindshëm një nga çiftet më simpatike në serinë “Prespav” e cila ka arritur sukses dhe popullaritet të madh në mesin e audiencës. Romanca e tyre interesante vazhdon në sezonin e pestë, i cili është përplot me episode argëtuese dhe filloi të shfaqet kah fundi i vitit të kaluar.

Spontanë dhe të natyrshëm, Dritoni dhe Emra kapin thelbin e atmosferës energjike të setit, si dhe rënien në dashuri të personazheve të cilët i luajnë. Thonë se gjithçka është më e lehtë kur duhemi, gjithçka është më mirë kur ka dashuri.

Driton Vejselin



  1. Dashuria ka një vend të posaçëm në çdo zemër. Për dikë është dashuria për profesionin, për dikë tjetër dashuria për hobin ose për një person të caktuar. A je romantik dhe çfarë përfaqëson dashuria për ty?


Besoj se çdo person është romantik në mënyrën e vet. Romance nuk quhen vetëm klishetë e filmave të dashurisë; është dëshira e çdo njeriu që të kapë më fort momentin e kaluar me një person të dashur, për ta bërë atë të veçantë, për ta ngrirë në kohë në një farë mënyre. Kjo është dashuria.



  1. Duke pasur parasysh orët e gjata të punës gjatë xhirimeve dhe ritmin e shpejtë të jetës, a ke një dietë të caktuar?


Ashtu është! Vetë puna kërkon që trupi të jetë sa më i shëndetshëm dhe më i qëndrueshëm që të jetë e mundur, për shkak të rrethanave. Ditët me xhirime zakonisht zhvillohen sipas orareve dhe protokolleve të përcaktuara në mënyrë të rreptë, por ndonjëherë janë me të vërtetë të paparashikueshme dhe në momente të tilla ose nuk mendoj fare për ushqim ose ha çfarë të gjej. Megjithatë, nuk është e lehtë të çrrënjosen shprehitë e vjetra dhe aq më pak që në vendin e tyre të krijohen shprehi të reja që janë në të vërtetë të shëndetshme.

  1. Cila është mënyra më e bukur për t'u çlodhur dhe relaksuar?


Shoqëria e mirë në një vend të mirë.

  1. Viti i kaluar na kujtoi edhe një herë rëndësinë e shëndetit të mirë. A e quan veten një person të disiplinuar kur është fjala për trupin dhe shëndetin tënd?


Do të ndërlidhem me pyetjen e mëparshme. Nuk do të thosha se jam i disiplinuar, por gjithnjë e më shumë po përpiqem t'i kushtoj kohë kujdesit për veten dhe të afërmit. Nuk ka ikje nga mësimet e pandemisë. Shëndeti, si ai fizik ashtu edhe ai mendor, është në radhë të parë.

  1. Cila është pjesa më e lehtë dhe cila është pjesa më e rëndë e profesionit tënd?


Puna në vetvete është e rëndë dhe e lodhshme. Duhet të marrësh pjesë në takime, të marrësh pjesë në punëtori, të lexosh dhe të mësosh tekste, të hulumtosh, të ushtrosh e të provosh dhe vetëm pas këtyre vijnë xhirimet ose performanca, që është e rëndë në vetvete. Por kur në këtë profesion punon me dashuri të madhe, e gjithë kjo është shumë më e lehtë sesa duket.



6.

  1. Ku e merr frymëzimin më të madh kur është fjala për personazhin e Talatit? Cilat janë ato çaste të jetës së përditshme që të mbërthejnë vëmendjen?


Çastet e jetës së përditshme që më mbërthejnë vëmendjen janë pikërisht frymëzimi im për personazhin. Ashtu si shumica e të rinjve, edhe unë dua të argëtohem, të kem shoqëri të mirë, urrej hipokrizinë dhe padrejtësitë, më acarojnë njerëzit dyfytyrësh dhe mendjemëdhenj...

  1. Si e mban baraspeshën midis Dritonit dhe Talatit? A ke ndjerë një ndryshim në karakterin tënd pas njëfarë kohe, për shkak të ndikimit të rolit?


Nuk mund të them se ka pasur ndonjë ndryshim në karakterin tim për shkak të rolit, por në një moment u bëra jashtëzakonisht i vetëdijshëm për ndikimin e madh të Talatit te shikuesit apo adhuruesit e ''Prespav'' dhe ndikimin e Talatit dhe ''Prespav'' në përgjithësi, në kulturën popullore të Maqedonisë dhe rajonit. Ky është një moment shumë i spikatur në jetën e një aktori që mbart me vete edhe një peshë të caktuar, çka nuk lë shumë hapësirë për perceptimin tim personal të karakterit.

  1. Cili është mesazhi i Talatit për lexuesit e revistës Betty?


Dashuria dhe miqësia janë më të rëndësishmet në jetë, kujdesuni për to siç kujdeseni për shëndetin tuaj.

Emra Kurtishovën



  1. Si e përjeton dashurinë Isaura dhe si Emra?


Isaura nuk kërkon dashuri ku nuk ka. Përdor taktika, është e gatshme të luftojë me të gjitha forcat për dashuri, por vetëm për dashurinë e vërtetë. Nga ana tjetër, Emra nuk ka taktikë. Mendoj se nuk duhet të ketë taktikë në dashuri, ndërsa nëse vjen deri te një gjë e tillë, atëherë diçka nuk është në rregull në atë marrëdhënie. Dashuri për mua është kur të dy palët e lëshojnë veten dhe e shijojnë atë.



  1. Cilat tipare të njerëzve ndikojnë më shumë për të të mbajtur vëmendjen te gjinia e kundërt?


Inteligjenca emocionale për gjithçka që frymon në botë, sinqeriteti, besimi dhe tipari kyç, respekti.

  1. Si përballesh me ritmin e punës gjatë xhirimeve dhe cilave gjëra u kushton më shumë kujdes kur është fjala për ruajtjen e energjisë që pasqyrohet në personazhin tënd?


Ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë herë ritmi im i punës ishte shumë më i relaksuar. Për shkak të pandemisë, dihet se teatrot nuk kanë repertorin e zakonshëm të shfaqjeve dhe për këtë shkak jam fokusuar vetëm në xhirimin e ''Prespav''.

  1. Thonë se mjedisi që na rrethon ka rol kyç në formësimin e karakterit tonë. Çfarë të frymëzon më së shumti për të plotësuar karakterin tuaj?


Jemi në pajtueshmëri se seria përfshin personazhe të jetës sonë të përditshme. Kohët e fundit, dëgjoj gjithnjë e më shumë se si audienca po i lidh personazhet me dikë që e njohin. Personazhi im gjen frymëzim nga një burim më i madh i karaktereve dhe mendoj se e kam atë nder ngaqë ajo thjesht nuk njeh kufi.  Me personazhin e Isaurës mund të shkohet deri në pafundësi; dinakëria dhe zhdërvjelltësia e saj arsyetojnë çdo gjë.

  1. A do të doje të ndryshoje ndonjë shprehi tënden për hir të jetesës më të shëndetshme?


Nëse pyetja ka të bëjë me situatën aktuale në të cilën gjendemi të gjithë, atëherë duhet ta pranojmë se shumica prej nesh kemi fituar shprehi që na kanë prishur bioritmin, por gjithashtu patëm mundësinë t'i kuptojmë më mirë shprehitë që i kishim para pandemisë dhe karantinave. Përndryshe po, ka një shprehi që do të doja ta heq qafe, cigaret.



  1. Sa rëndësi i kushton shëndetit mendor, i cili konsiderohet vendimtar në ruajtjen e shëndetit fizik?


Unë mendoj se në vendin tonë vetëdija për shëndetin mendor është për fat të keq e lënë pas dore. Rrallëherë është përparësi. Pa dyshim që kjo pikëpamje duhet të ndryshojë, kurse për t'u ndryshuar, së pari duhet të “gërmojmë” pak më thellë në mendjen tonë. Për çdo pse, ka edhe sepse.

  1. Cili është mësimi më i rëndësishëm që more gjatë pandemisë?


Jemi qenie njerëzore që varen nga njëri-tjetri, por të themi të drejtën, pandemia na tregoi dhe na dëshmoi se familja është ajo që duhet ruajtur dhe çmuar më së shumti.

  1. E dimë që je aktiviste e madhe për të drejtat e kafshëve. Çfarë mesazhi dëshironi t'u dërgosh lexuesve të revistës Betty në lidhje me kujdesin ndaj tyre?


Do të ndërlidhem me pyetjen e mëparshme.  Pandemia na ka konfirmuar gjithashtu se e keqja mbetet e keqe, nuk ka forcë që mund ta ndryshojë atë, edhe pse në fillim besuam se kjo çmenduri do të na zbuste zemrat. Jemi dëshmitarë të një numri të madh kafshësh të helmuara, të braktisura, të rrahura deri në vdekje dhe të keqpërdorura, kështu që do të doja të dërgoj një mesazh për të gjithë që të tregohen pak më zemërdhembshur ndaj kafshëve, t'u gjinden këto ditë kur kanë uri dhe të ftohtë, për t'i ndihmuar sadopak që ta mbijetojnë dimrin. Kafshët shprehin mirënjohje, ndryshe nga disa njerëz/jonjerëz.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>