Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Intervistë me Zharko Kostiç – “Hijeshia e mendimit pozitiv”

April 1, 2022

1. Një nga shtyllat e profesionit tuaj është kujdesi për njerëzit. Meqë themi se nëse nuk e duam dhe nuk e respektojmë veten, nuk mund ta bëjmë të njëjtën gjë për dikë tjetër, na tregoni se sa janë të vetëdijshëm njerëzit për rëndësinë e dashurisë për veten?

Dashuria për veten është respekti për veten. Kur njeriu nuk e do veten, do të pranojë çdo “dashuri”, që në thelb nuk është dashuri. Nëse nuk e duam veten, do të frikësohemi dhe do të lutemi që të na duan. Në atë gjendje do të jemi të kënaqur me çfarëdo lloj dashurie. Kur kemi dashuri për veten, të tjerët na vlerësojnë më shumë dhe na japin dashurinë që e meriton gjithsecili. Por për ta arritur këtë, duhet të jemi gati edhe të mos na duan. Nëse dëshirojmë vetëm të na duan dhe nëse ky është qëllimi ynë kryesor, atëherë do të devijojmë nga parimet dhe etika jonë vetëm për të marrë dashuri, e kjo nuk është më dashuri për veten.

Dashuria për veten është gatishmëria për të ruajtur standardet tona të moralit dhe etikës, qoftë edhe nëse ndonjëherë nuk na duan. Kur të ndërtojmë standardin për veten tonë, atë standard do ta kërkojmë edhe nga të tjerët ndaj nesh. Kjo do të thotë që duhet t'i trajtojmë të tjerët me standardin e lartë që e kemi ndërtuar për veten. Një ndërgjegjësim i tillë kërkon punë të vazhdueshme për t’u arritur dhe jo çdokush mund ta arrijë në të njëjtën kohë apo masë, pasi dikush do të ndërgjegjësohet më herët, dikush më vonë, e dikush ndoshta nuk do të ndërgjegjësohet kurrë.



2. Çfarë ju motivon për të ndjekur profesionin tuaj me kaq shumë dashuri?

Dëshira për të ndihmuar të tjerët. Kjo ishte edhe arsyeja pse mbarova mjekësinë, por më vonë kuptova se pikërisht në këtë mënyrë dua t'i ndihmoj njerëzit - si trajner motivues dhe trajner i zhvillimit personal. Në një mënyrë apo në një tjetër, jemi të gjithë këtu për të ndihmuar, sepse fundi i fundit ndihma është baza e marrëdhënieve ndërpersonale. Kur ndihmojmë, të dyja palët janë të lumtura, por ai që ka ndihmuar ndoshta edhe më tepër.

3. Në dy vitet e fundit, të gjithë kemi pasur një sfidë të madhe për të kapërcyer, me një pandemi që ka prekur shumë fusha të jetës sonë të përditshme. Çfarë keni mësuar nga kjo periudhë? Çfarë u përpoqët t'u përcillni të tjerëve?

Ajo që kam mësuar është se në çdo situatë ka mundësi për përparim. Kjo nuk ishte një etapë e lehtë për njerëzimin. Por gjatë kësaj periudhe jam përqendruar në krijimin e ligjëratave online në faqen time në facebook, “Dr. Zarko Kostik”, ku mbaj ende ligjërata online falas, çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, nga ora 20:30, e ku bashkohen qindra njerëz për të mësuar rregulla dhe parime të reja të lojës së jetës.

Dikur jepja ligjërata të drejtpërdrejta, por ja që pandemia më bëri të dilja nga zona ime e rehatisë dhe të filloja të ligjëroja online. Kjo traditë vazhdon për të dytin vit dhe ka shumë njerëz që më shkruajnë se jeta e tyre është përmirësuar me njohuritë që marrin në ato ligjërata motivuese. Edhe emisioni im motivues “Sekretet e zbuluara”, që transmetohet në TV 24 çdo të shtunë, vazhdon me transmetimin e tij.

4. Si të përballemi me gjërat që na shqetësojnë dhe janë gjithashtu jashtë kontrollit tonë?

Shqetësimi ndodh pikërisht kur duam të kontrollojmë gjithçka ose diçka që nuk duhet ose nuk mundemi. Kur njerëzit përqendrohen në kontrollin e asaj që nuk duhet, ata nuk e kontrollojnë atë që duhet. Ata nuk janë në kohën e tashme, por kryesisht në mendime dhe imazhe joreale të kohëve të shkuara. Frika dhe shqetësimi janë një perceptim i përmbysur. Disa emocione si zemërimi, frika, zhgënjimi, e prishin plotësisht perceptimin, por dashuria dhe besimi e ndreqin atë. Ne duhet të vazhdojmë të besojmë dhe të kemi shpresë dhe të duam, sado të zhgënjyer që të jemi.

Është e lehtë të zhgënjehesh, sepse nuk duhet forcë për të qenë i cenueshëm. Kur besojmë se jemi të cenueshëm apo jemi të zhgënjyer, jemi "të sigurt" se asgjë nuk do të na dëmtojë, por më pas ndryshon perceptimi i botës, njerëzve dhe qëllimeve dhe vjen mosbesimi, i cili na pengon të jetojmë mirë dhe të shijojmë jetën. Dashuria dhe besimi janë një rrezik që është i nevojshëm për të arritur lumturinë dhe kënaqësinë. Kur nuk duam të besojmë, jemi të mbrojtur nga dhimbja dhe zhgënjimi, por mbrohemi edhe nga lumturia dhe kënaqësia në jetë. Për shkak të kësaj, duhet të besojmë dhe të vazhdojmë të duam, sepse ia kemi borxh vetes.



5. Thonë se shumica e sëmundjeve janë psikosomatike, pra sëmundje që shkaktohen nga mendja dhe gjendja jonë mendore. Cili është ndryshimi kryesor për njohjen dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve?

Kur studioja për mjekësi, lexova se shumë sëmundje nuk kanë etiologji ose shkak në trup dhe konsiderohen sëmundje psikosomatike. Kjo ishte një nga arsyet që më bëri të zbuloja gjëra për mendjen dhe shpirtin, sepse nëse ndonjë nga sëmundjet nuk është nga trupi, atëherë është nga mendja ose gjendja e shpirtit. Vetë fjala psikosomatike do të thotë se psikika e sëmur trupin. Mjekët thonë se disa gjëra vijnë nga stresi, i cili më pas ndikon në mendimet dhe emocionet tona, kurse ato ndikojnë drejtpërdrejt në trupin tonë. Ndonjëherë kur thjesht mendojmë për diçka të pakëndshme, mund të kemi një reagim trupor. Dikush mund të ndihet vazhdimisht nën presion, i kërcënuar apo i përçmuar, ndërsa ndonjëherë na shqetësojnë gjëra nga e kaluara, të cilat na kthehen vetvetiu. Si të përballemi me to?

Edhe pse jam mjek, nuk punoj si mjek, por si trajner motivues dhe trajner i zhvillimit personal. Në punën time si trajner motivues, nuk shëroj, pasi shërimi i takon fushës së mjekësisë, por i ndihmoj njerëzit me komunikim apo teknika me të cilat mund të zbulojnë se pse janë të stresuar, si të komunikojnë me njerëzit që nuk janë mirë dhe si të përballen me problemet e përditshme. Përpiqem të kuptoj se çfarë problemi ka një person dhe të gjejmë së bashku një zgjidhje për atë problem. Kur një person ka emocione dhe mendime më të mira dhe është i motivuar, ky mund të jetë hapi i parë drejt zgjidhjes.

6. Çfarë na duhet më së shumti për të qenë të lumtur?

Të kemi një drejtim dhe qëllim. Të dimë se kemi arritur diçka. Të dimë të jemi në momentin e tashëm dhe ta shijojmë atë. Të dimë të komunikojmë dhe të krijojmë një të ardhme me njerëzit që kanë rëndësi për ne.

7. Dhimbja dhe pikëllimi i dashurisë janë një nga shkaqet më të zakonshme të pakënaqësisë. A ka ndonjë formulë që mund të na ndihmojë me këtë lloj "vuajtjeje" apo, si shumica e problemeve që hasim, kërkon kohë?

Thonë se edhe koha ka nevojë për kohë, por ndonjëherë, dhimbja dhe pikëllimi për dikë që kemi humbur ngelet gjëja më e afërt për njeriun. Kur njeriu vazhdon përpara, do të thotë që ka vendosur të shkëputet sadopak nga ajo dhimbje. E ardhmja është shërim për të shkuarën, por jo edhe anasjelltas. Megjithatë, duhet guxim dhe besim për të vazhduar më tej.

Është si të udhëtosh me makinë dhe të ndalosh në një vend të shëmtuar. Aty nuk pushon, vazhdon më tej, jep gaz dhe e lë pas vetes vendin e shëmtuar dhe nuk e sheh më as në pasqyrë. Por disa njerëzve u pëlqen të shohin shumë në pasqyrë. Thonë që xhami i përparmë është më i madh se pasqyra sepse është më e rëndësishme se ku shkojmë dhe nuk ka rëndësi se ku kemi qenë. Derisa t'i kthejmë shpinën të shkuarës, nuk do të shohim të ardhmen dhe derisa t'ia kthejmë shpinën të keqes, nuk do të njohim të mirën!

8. Të gjitha dukuritë, veçanërisht ato negative, shkaktojnë stres shtesë. Sa ndihmon kontrolli i emocioneve në uljen e stresit?

Sigurisht që ka teknika të ndryshme për të kontrolluar emocionet dhe mendimet. Sa më shumë që njeriu të punojë me veten, aq më mirë do të ndihet. Ajo që ndihmon është të pranosh, të përballesh dhe të mos rezistosh. Rezistenca ndaj emocioneve dhe mendimeve negative i mban ato vazhdimisht të pranishme. Por sigurisht që ka teknika që mund të mësohen për vetëndihmë.



9. Sipas jush, cili është sekreti për të pasur trup të shëndetshëm dhe shpirt të shëndetshëm?

Jeta me qëllim. Puna është shumë e rëndësishme dhe njeriu nuk mund të dëshirojë thjesht të jetë i lirë nga të gjitha detyrimet. Duhet medoemos të ketë pengesa. Një person që është vazhdimisht pa punë dhe thjesht dëshiron të jetë i lirë dhe të ikë nga përgjegjësitë, mund t’i krijojë vetes probleme. Pa dyshim që na duhet edhe pushim apo liri, por është më e bukur kur vjen pas detyrave të kryera me sukses.

Angazhimet dhe puna e ndërtojnë shpirtin. Shpirti ndërtohet kur ka diçka për t'u kapërcyer si pengesë apo për t'u zgjidhur si problem, ashtu siç ndërtojmë trupin në palestër, fitnes apo çdo aktivitet tjetër fizik. Nëse atje nuk përballemi me pesha apo pengesa, muskujt nuk do të rriten. Kështu është edhe me shpirtin: “palestër e jetës” janë sfidat e jetës.

Sa krenarë jemi kur arrijmë diçka! Sa e duam dhe e vlerësojmë veten kur arrijmë atë që duam! Por sot, më të rinjtë kanë ca emra të tyre për zonën e rehatisë, si “çlirët” e “shkujdesur”. Duhet të kuptojmë se shpirti lodhet nga pushimi i tepërt dhe, duke mos pasur se çfarë të bëjë, më pas fillon të krijojë probleme. Thonë se mendjes së lirë dhe duarve të lira u gjen punë djalli. Ne kemi nevojë për punë për të pushuar vërtet shpirtërisht dhe pushojmë vërtet shpirtërisht kur e dimë se kemi arritur diçka dhe në atë moment ndihemi shumë mirë. Ajo ndjenjë e arritjes është e pazëvendësueshme dhe është liri e vërtetë, liri nga mendimet negative, të paktën për atë moment.

Sigurisht që duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për trupin, pra duhet të jemi në komunikim të vazhdueshëm me të. Nëse nuk jemi të vetëdijshëm si qenie, do të jemi më pak të vetëdijshëm për trupin tonë i cili është mjeti i shpirtit për të arritur qëllimet dhe ëndrrat e tij.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>