Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Pyetje për Rita Behadini – “Ditë e re”

August 1, 2021

1. Duke qenë se jeni pjesë e ekipit të emisionit të mëngjesit në Televizionin Alsat, me siguri zgjoheni herët. Pa çka nuk mund ta nisni ditën dhe të përgatiteni për obligimet tuaja?

Kam përshtypjen se shumë njerëz do të ishin përgjigjur se nuk mund ta nisin ditën pa pirë kafen e mëngjesit, por kjo nuk vlen edhe për mua. Unë nuk kam raport të mirë me kafen.

Meqë bie të fle herët, më ikin shumë gjëra, andaj do të kisha thënë se nuk mund ta nis ditën pa parë se cilat janë lajmet e fundit që më kanë ikur mbrëmë, duke marrë parasysh se edhe natyrën e punës e kam të tillë që kërkon të jem e informuar për ngjarjet aktuale.

2. Duke qenë se keni qenë pjesë e më shumë aktiviteteve të lidhura me tema me përgjegjësi shoqërore, çfarë ju frymëzon për të ndërmarrë ndonjë aktivitet?

Kam qenë gjithmonë më e fokusuar në të drejtat e njeriut, posaçërisht në të drejtat e grave. Nuk e di nëse mund ta quaj frymëzim, por vetë diskriminimi që më ndodh mua më bën të ndërmarr diçka për të. Andaj dhe si produkt ka dalë Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, me të cilën angazhohemi që të punojmë dhe të përmirësojmë diskriminimin gjinor në shumë lëmi.

Kam ndërmarrë edhe shumë aksione gerile, pasi puna si gazetare të bën të njihesh për së afërmi me problemet e qytetarëve. Sa herë që kam parë se pushteti, sidomos ai lokal, tallet me qytetarët, e kam parë të arsyeshme të ndërmarr diçka.

Aksionet humanitare kanë ardhur gjithmonë si rezultat i “përplasjes me realitetin” gjatë punës në terren. “Shtatori këtë mot, me çantën plot” është nismë për shpërndarjen e çantave dhe materialeve shkollore te fëmijët në nevojë dhe është nisma për të cilin ndihem më krenare.

август 2021 интервју

3. Si kujdeseni për shëndetin tuaj?

Shprehja “je shumë e dobët” më ka shoqëruar gjatë gjithë fëmijërisë dhe shpesh kilogramët e mi janë shndërruar në problem shoqëror. Tani mundohem të kem një rutinë dhe orar të të ushqyerit dhe nuk më pengon më mënyra se si më shohin të tjerët - ndihem shumë rehat me trupin tim. Nuk mund të mburrem se ha shumë shëndetshëm, por po përpiqem të ndryshoj  dalëngadalë.

4. A merreni me ndonjë aktivitet fizik?

Së fundi kam filluar të bëj palestër, kështu që besoj se jam në rrugën e duhur për të rikthyer stilin e jetesës në plotësisht të shëndetshëm. E kam shumë për zemre çiklizmin dhe uroj që së shpejti të mund t’i rikthehem.

август 2021 интервју

5. Si një person i ri dhe shumë aktiv, a i kushtoni vëmendje shëndetit mendor?

Po, shumë. Të jesh çdo ditë e “ekspozuar” në televizor përpara mijëra njerëzve, jo gjithmonë është e lehtë, sepse duhet të buzëqeshësh edhe kur nuk e ndien ta bësh. Por sa herë që ndiej se shëndeti im mendor nuk është ashtu siç duhet, kërkoj ndihmë dhe i jap vetes kohën e nevojshmë për ta tejkaluar atë gjendje.

6. Përveç se jeni person me të cilën zgjohet publiku i Maqedonisë, çfarë personi është Rita Behadini jashtë ekraneve televizive?

Shumë e ndjeshme dhe emocionale, sado që paraqitem shumë e fortë në ekrane. Prekem lehtë edhe nga gjëra të vogla. Më pëlqen t’u përkushtohem njerëzve që i dua dhe të kaloj kohë me ta. Jam tip pak nervoz, më duhet ta pranoj, por ata që më duan e pranojnë edhe atë anë timen.

7. Çfarë përgjegjësie mbart të qenit fytyrë televizive?

Kur jam në studio ndoshta nuk e ndiej plotësisht barrën e përgjegjësisë që kam ndaj njerëzve, por kur jam në terren e kuptoj se ata janë mësuar aq shumë me mua dhe dëgjojnë çdo fjalë timen çdo mëngjes. Mundohem të përcjell vetëm energji pozitive tek njerëzit dhe sado pak të prek temat për të cilat kanë nevojë që të ndërgjegjësohen dhe të edukohen. Meqë emisioni im është drejtpërdrejt, mundohem të jem e përgatitur edhe për të papriturat, sepse nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë. Pastaj, është edhe fakti se njerëzit të marrin si shembull dhe duhet të përpiqesh të japësh imazhin e duhur dhe të kesh ndikim pozitiv tek ata.

август 2021 интервју

8. Duke qenë se jeni nga Tetova e tetovarët njihen si qejfli të të ngrënit, cili është specialiteti yt i parapëlqyer nga Tetova?

Fasulet, sidomos në tavë. Ka gjithmonë shumë diskutime se a na pëlqejnë ose jo fasulet, por për mua është dashuri e pamohueshme.

9. Cili është mesazhi yt për lexuesit e Revistës Betty?

Që të kujdesen për shëndetin e tyre, si për shëndetin fizik ashtu edhe për atë mendor. Pandemia na bëri të kuptojmë se sa i rëndësishëm është shëndeti dhe se, pa të, asgjë tjetër nuk ka kuptim. Të kujdesen sidomos për shëndetin mendor dhe të kërkojnë ndihmë nga psikologu. Në vendin tonë, shëndeti mendor është ende temë tabu, por duhet të kuptojmë që, siç shkojmë tek mjeku kur na dhemb diçka në trup, ashtu duhet të kërkojmë ndihmë edhe kur diçka nuk shkon me anën tonë emocionale.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-12 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>