Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Pyetje për Branko Poposkin dhe Cveta Dineva – E shijshme dhe e shëndetshme

June 1, 2021

 

јуни2021

Branko Poposki

  1. Një nga projektet më "të shijshme" televizive filloi me një koncept të ri. Çfarë është ajo që e dallon këtë koncept të ri nga koncepti i mëparshëm i “1001 Ushqime”?


Pas një viti pjesë e një familjeje të madhe si “1001 Ushqime”, më duhet të them se ia ka vlejtur dëshira e fortë për diçka që të ketë sukses dhe në kohë pandemie botërore. Mbaj mend se ishte marsi i vitit 2020, kur Ivce Pivce më thirri dhe më tha: “A dëshiron të vish si i ftuar në emision?” dhe unë, siç më njohin të gjithë, rrallëherë i refuzoj ftesat për në televizor, kështu që pranova me gjithë qejf. Dhe kështu filloi historia e “Cooking with Branko” në “1001 Ushqime”.

E përfundova sezonin e parë, të cilin, për shkak të COVID-19, na u desh ta përshtatnim me gjendjen dhe i cili dallonte nga ajo se unë isha edhe moderator edhe i ftuar njëkohësisht. Në verën e vitit 2020, e filluam sezonin e dytë, ku kishim të ftuar fytyra të njohura nga muzika dhe skena politike e Maqedonisë, aktorë e personalitete televizive dhe së bashku gatuanim dhe ndanim energji pozitive dhe shumë shije.

Megjithë suksesin e arritur, diku nga fillimi i këtij viti, u ulëm të bisedonim së bashku me ekipin e “1001 Ushqime” dhe vendosëm se kishte ardhur koha për ndryshime. Hulumtuam, biseduam, na erdhën një mori idesh, por vazhdonim ta kërkonim atë më të mirën. Në fund, vendosëm të sillnim diçka më ndryshe në eter, së bashku me mikeshën time të dashur Cecen dhe të paraqisnim një kuzhinë me ushqime të shëndetshme, të cilat ashtu të përgatitura, do t'ia dhuronim shoqatës së Cece Nikolovës “Për ty” (For you), e cila merret me mbështetjen e të rinjve që janë rritur pa prindër.

Ky koncept i ri i “1001 Ushqime”, përveç se sjell freski, është gjithashtu me përgjegjësi sociale. Nga njëra anë, jep këshilla për përgatitjen e ushqimit të shëndetshëm për të gjithë familjen dhe nga ana tjetër, ushqimi i përgatitur dhurohet për bamirësi, në bashkëpunim me shoqatën e të rinjve pa prindër. Dallimi qëndron edhe në energjinë e emisionit, pasi tani jemi dy që duan të sjellin gjithmonë më të mirën për shikuesit dhe të përçojnë ndjesi pozitive.

јуни2021

2. Na ndodh shpesh që ritmi i jetës së përditshme të mos na lejojë që t'i përveshim mëngët dhe të gatuajmë diçka të shëndetshme. Sa kohë nevojitet mesatarisht për të përgatitur një vakt të lehtë, praktik dhe të shëndetshëm?

  1. Asgjë nuk është e vështirë kur e bën me shumë dashuri. Edhe po të marrë kohë, qoftë minuta apo orë, nuk është kohë e kaluar kotë nëse ia kushtoni vetes, të afërmve e ndoshta edhe miqve tuaj. Ushqimi që përgatisim është diçka në të cilën duhet të sjellim dashuri, energji pozitive, histori të bukura, frymë pozitive dhe të zhytemi të tërët në botën e shijeve. Me çdo kafshatë, të përçojmë një energji të tillë që do të na çojë në botën e hedonizmit. Prandaj nuk ka rëndësi nëse ju duhen 3 minuta ose 3 orë, kur përgatitisni një vakt të shëndetshëm, që i  përmban të gjitha vitaminat dhe mineralet dhe jua shuan urinë. Përveç kësaj, është shumë e rëndësishme që gjatë përgatitjes së vakteve të shëndetshme të ruhet freskia dhe të mos humben lëndët ushqyese në procesin e përgatitjes.

    Do të jap një shembull të një vakti të shpejtë, të shëndetshëm dhe praktik, i cili përndryshe është smuthi im i parapëlqyer, kurse përgatitja e tij më merr vetëm 3 minuta në mëngjes. Përbërësit e nevojshëm janë: një banane, gjethe të freskëta spinaqi, disa vishnje të ngrira, një mollë jeshile, një lugë e vogël gjalpë, një lugë e vogël mjaltë dhe arra. Rezultati është një vakt që do t'ju mbajë të ngopur për më shumë se 3 orë dhe në të njëjtën kohë do t'i ruani të gjitha lëndët ushqyese, të cilat me konsumin e tij i keni futur në organizëm.

    Një vakt i shëndetshëm gjithmonë synon dy gjëra, edhe atë ngopjen e organizmit dhe imunitet të fortë. Ndaj rregulli i artë të cilit i përmbahem gjithmonë, është fillimi i ditës me një vakt të shëndetshëm.


јуни2021

3. Si njeri që ka arritur të humbasë 30 kilogramë, ju jeni frymëzim i vërtetë për të gjithë ata që përpiqen ta zvogëlojnë peshën e tyre trupore. Cili është sekreti për ta përballuar atë proces të mundimshëm dhe të gjatë?

  1. Unë jam rritur si fëmijë me më shumë kilogramë seç duhej të kisha, sepse jam qejfli i të ngrinit nga natyra dhe gjithmonë më pëlqen të ha më shumë sesa kam nevojë. Nëna ime më tregon edhe sot e kësaj dite, se si fëmijë, sapo të shihja ushqim, më shkëlqenin sytë nga dëshira për të ngrënë. Të tillë jemi si familje, e shijojmë ushqimin në maksimum, kafshatë pas kafshate.

    Sidoqoftë, me të mbushur 20 vjeç mora vendimin të hiqja pothuajse 30 kilogramë, me ushqim të moderuar dhe sport. Fokusi i ushqimi ishin perimet, frutat dhe mishi, ndërsa çdo ditë bëja 5 km ecje të shpejtë përgjatë rrugëve malore dhe të rrëpirëta dhe tri herë në javë ushtrime kardio. Gjatë asaj kohe jetoja në Vevçan dhe transformimi më zgjati rreth 9 muaj.

    E kam fjalën për një proces të shëndetshëm të humbjes së peshës, të cilën vazhdoj ta mirëmbaj edhe sot, me ca kilogramë më pak ose më shumë, por megjithatë përqendrohem gjithmonë në konsumin e moderuar të ushqimit gjatë ditës, uljen e karbohidrateve dhe sheqernave, rritjen e sasive të frutave dhe perimeve, si dhe hidratimin e rregullt.


4. Cili është ushqimi juaj i parapëlqyer? Pa cilën erëz nuk mund t'i parafytyroni shumë nga ushqimet tuaja?

  1. Unë gatuaj çdo gjë! Ngjesh bukë, bëj pite... dhe më pëlqejnë shumë brumërat, si kiflet dhe pitet. Më pëlqen shumë edhe byreku, por duhet ta pranoj se makaronat janë ushqimi im i parapëlqyer dhe përgatitja e tyre më kënaq më së shumti. Kuzhina italiane ka një vend të veçantë në historinë time të gatimit dhe duhet të gjendet me patjetër në menynë e drekës dy herë në javë. Qoftë me salcë të kuqe apo të bardhë ose një kombinim me perime, gjithmonë mund të më bëni për vete me makarona dhe nuk do të më dëgjoni kurrë të them se “s'më hahet”. Megjithatë, pavarësisht nga aftësitë e mia të gatimit në përgatitjen e brumërave, maturia në konsumin e tyre është gjithmonë në radhë të parë për mua.

    Produktet e qumështit i kam pikët të dobët, sidomos djathin e deleve të Vevçanit, i cili më përshtatet me pothuajse çdo kombinim. Erëzat i zgjedh me kujdes dhe gjithmonë kujdesem që të mos e teproj me përdorimin e tyre gjatë përgatitjes së ushqimit. Një nga erëzat e mia të parapëlqyera është shafrani i Indisë, të cilin e përdor shpesh për përgatitjen e smuthive, si dhe gjërave të kripura dhe të ëmbla.

    Kohët e fundit, pikërisht shafrani i Indisë e ka pushtuar botën falë shumë vetive të dobishme që i zotëron. Për atë shkak është quajtur edhe si “mrekullia e verdhë e natyrës”. Shafrani i Indisë e përmban kurkuminën, i cili është përbërësi kryesor aktiv ose antioksidues i shafranit të Indisë, përkatësisht ka veti të fuqishme anti-inflamatore. Për këtë shkak dhe në saje të lëndëve të tjera ushqyese që i përmban dhe janë dobiprurëse për shëndetin, nuk gaboni edhe nëse e përdorni në të gjitha pjatat që i përgatisni.


јуни2021

5. Me çfarë shprehie të shëndetshme mund të mburreni?

  1. Ka shumë, por si shprehitë kryesore të shëndetshme që i praktikoj çdo ditë dhe që ia vlen të përmenden, janë maturia në konsumin e ushqimit, përdorimi i përbërësve të shëndetshëm për përgatitjen e ushqimit, pirja e sasive të mjaftueshme të ujit dhe marrja me sport.

    Kur bëhet fjalë për sportin, çiklizmi dhe palestra janë kyçe në formësimin e të ashtuquajturit zinxhir të shprehive të shëndetshme. E ngas çdo ditë biçikletën dhe më është bërë shprehi të shkoj në punë dhe të kthehem nga puna me të. Biçikleta përveç se nuk harxhon energji të dëmshme për mjedisin, e harxhon energjinë tonë që shpesh e kemi me tepri. Ngasja e biçikletës konsiderohet aktivitet i moderuar dhe shumë studime tregojnë se aktivitetet e moderuara ndikojnë më mirë në drejtim të shkrirjes së dhjamit, sesa aktivitetet fizike më intensive. Për më tepër, ngasja e biçikletës mund ta zbusë ndjenjën e stresit, depresionit dhe ankthit.

    Jini aktivë dhe përfshijeni sportin në jetën tuaj të përditshme!


 

Cveta Dineva

1. Si një dietologe e mirënjohur, çfarë thotë përvoja juaj deri më tani; cili është gabimi më i madh që e bëjmë kur zgjedhim ushqimet tona?

  1. Bëjmë shumë gabime gjatë zgjedhjes së ushqimeve. Do të përmend disa të cilat mund ta dëmtojnë më së shumti shëndetin tonë, si konsumimi i ushqimeve që përmbajnë yndyrna trans, përkatësisht ushqimet që përpunohen në mënyrë termike me tiganisje. Pastaj konsumi i tepërt i sheqerit të bardhë, qumështit dhe produkteve të miellit të bardhë.


јуни2021

2. Si e gjetët veten në historinë e “1001 Ushqime”?

Shkëlqyeshëm! U përshtatëm shumë mirë me të gjithë ekipin që nga dita e parë, ndërsa Branko më jep ndjenjën sikur e kam njohur gjatë gjithë jetës. Tërë ekipi u përshtat në mënyrë të përkryer me qasjen e re dhe tani më mbetet vetëm t'i fus në regjim ushqimi producentët dhe kameramanët, që të heqin disa kilogramë para verës dhe gjithçka do të jetë ideale.



3. Gjithmonë rrezatoni me energji të pashtershme. Si arrini ta ruani frymën e hareshme?

Unë thith energji nga disa burime. Si e para dhe më kryesorja, familja ime, sidomos nipërit e mbesat e mia të cilët gjithmonë dinë se si të më mbushin me gëzim. Pastaj dieta e shëndetshme që e ndjek, spiritualiteti im, agjërimi që e praktikoj gjithmonë dhe më në fund, formula PUF, gjegjësisht konsumimi i perimeve, ujit dhe frutave.

4. A merreni me ndonjë lloj aktiviteti fizik dhe çfarë u rekomandoni atyre që nuk kanë motivim për të filluar me të?

Kohën e lirë e shfrytëzoj për alpinizëm dhe shëtitje në natyrë. Kurdo që më vjen rasti, përpiqem të vjedh një copë kohë të lirë për ta vizituar Berovën, Katlanovën ose për t'u ngjitur në Vodno. Përndryshe, anëtarëve të klubit tim të dietës u rekomandoj ecje dhe aktivitet të lehtë fizik, sipas mundësive dhe kondicionit që ata kanë. Le të fillojnë të gjithë me aktivitet të lehtë fizik, siç është ecja dhe ngadalë le ta rrisin intensitetin. Vetëm kështu do të fitojnë shprehi të shëndetshme dhe dalëngadalë do të bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme.



5. Çfarë u rekomandoni atyre që duan të heqin qafe kilogramët shtesë? A ka rregulla të përgjithshme apo ka të bëjë me faktorë individualë?

  1. Çdo ndryshim, çdo fillim i një mënyre të shëndetshme të të ushqyerit fillon së pari në kokë, me një gatishmëri të fortë mendore për ndryshim. Dhe sigurisht, nuk këshillohen assesi dieta të rrepta, por ndryshimi i plotë i mënyrës së të ushqyerit. Prandaj edhe unë nuk e zë kurrë në gojë fjalën dietë dhe i referohem gjithmonë si mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit. Vetëm një qasje e tillë do të çojë në një ndryshim të shëndetshëm dhe heqje të përhershme të kilogramëve, pa efekte yoyo.


Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (QERSHOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>