Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Si t’i përgatisim fëmijët për vitin e ri shkollor?

August 1, 2021

Katerina Zlatanovska Popova
këshilltare e certifikuar e
zhvillimit të karrierës

|

август 2021

Gushti është gjithmonë një muaj kur pushimet verore janë me vrull të plotë, por edhe kur afrohet dalëngadalë periudha e fillimit të vitit të ri shkollor. Që tani mund të ndihet se viti i ri shkollor do të jetë plot sfida për mësuesit dhe shkollat, si dhe për fëmijët dhe prindërit. Pyetja e parë dhe më serioze që na shqetëson të gjithëve në mënyrë të barabartë është se si do të duket viti shkollor dhe nëse shkollat do të hapin dyert për të gjithë nxënësit apo do të ketë përsëri kufizime?

Ka kaluar një vit e gjysmë nga vendosja e masave specifike dhe mënyrave për vazhdimin e procesit arsimor për shkak të pandemisë dhe fëmijët ishin ata që e patën disi më të lehtë të përshtateshin me "arsimin e ri normal". Dhe, ndërsa të rriturit përpiqen të gjejnë modelin më të mirë dhe veçanërisht të sigurt për vazhdimin e procesit arsimor, fëmijët duken se janë të gatshëm për çdo skenar.

Si prind i dy adoleshentëve, njëri nxënës i shkollës fillore dhe tjetri nxënës i shkollës së mesme, do të thosha se ajo që me të vërtetë u ka munguar fëmijëve të mi, me shumë gjasë edhe shumicës së fëmijëve të tjerë gjatë gjithë kësaj kohe, është socializimi, ndërveprimi i drejtpërdrejtë me moshatarët e tyre dhe ndarja e të gjitha ngritjeve dhe uljeve që i mbart me vete dita në bankat e shkollës.

Koha e kaluar në shkollë për fëmijët nuk nënkupton vetëm procesin arsimor, mësimin dhe përvetësimin e lëndëve të parapara për moshën e tyre, por është një kohë për të ndërtuar shumë aftësi që mësohen drejtpërdrejt vetëm kur përzihen me të ngjashëm dhe të ndryshëm. Jeta në shkollë ka dinamikën e vet të veçantë dhe shumë specifike dhe do të ishte mirë nëse do të mund t'ua mundësonim fëmijëve kthimin në shkollë, të paktën për një kohë të shkurtër dhe me protokolle të caktuara, të cilat do të ndihmonin në arritjen e një sigurie sadopak të vogël.

Si një vit e gjysmë më parë, ashtu edhe tani, jam fuqimisht e bindur se është e nevojshme, për sa kohë që jemi nën kërcënimin e mutacioneve dhe valëve të reja të përhapjes së virusit, që fëmijët të ndjekin të ashtuquajturin model hibrid të arsimit, që është zbatuar në disa vende dhe që është provuar të jetë një alternativë e pranueshme, përkundrejt sfidave dhe kufizimeve. Për më tepër, besoj se do të hyjmë në vitin e ri shkollor edhe më të sigurt se më parë, duke marrë parasysh mësuesit dhe anëtarët e familjes tashmë të vaksinuar.

Si t’i përgatisim fëmijët për një tjetër vit të ri shkollor “të jashtëzakonshëm”?

Duke marrë parasysh që autoritetet kanë njoftuar tashmë 3 skenarë të mundshëm, ndoshta nuk do të kemi mundësi të planifikojmë asgjë para se të fillojë viti shkollor. Sidoqoftë, mund të mbështetemi në përvojat e deritanishme në të cilat më të vegjlit, ata deri në 10 vjeç dhe veçanërisht nxënësit e klasave të para, kishin mundësinë të njoheshin me mësuesit dhe miqtë e tyre të rinj dhe të ndiqnin mësimin në bankat shkollore. Periudha e kaluar na ka treguar gjithashtu se fëmijët mund të përvetësojnë shumë më shpejt dhe më lehtë mjetet dhe pajisjet digjitale që janë vënë në funksion të mësimdhënies. Kjo do të thotë se do të jetë shumë më e lehtë dhe e thjeshtë për nxënësit që të përshtaten me një qasje të kombinuar të mësimdhënies, ku ata do të kishin mësim me prani fizike dhe përmes internetit si më parë.

Është thelbësore të ndërtohet aftësia e adaptimit tek fëmijët që në vegjëli. Fëmijëve duhet t’u mësohet se çdo gjendje dhe situatë është e përkohshme dhe e ndryshueshme, prandaj duhet të ndërtojnë qëndrueshmëri, elasticitet dhe përshtatshmëri, aftësi të cilat do të jenë gjithnjë e më të dobishme dhe të domosdoshme, sidomos kur të largohen nga shtëpia e familjes. Është e nevojshme t'u tregojmë fëmijëve se ata po rriten dhe do të rriten në një kohë të pashoqe të historisë njerëzore dhe se vetëm me një shkallë të madhe të përshtatshmërisë do të jenë në gjendje të kapërcejnë kufizimet dhe sfidat aktuale.

Çfarë do të thotë më saktësisht përshtatshmëria? Do të thotë të pranosh situatën, gjendjen e re, ndryshimin e papritur dhe të paparalajmëruar dhe të vazhdosh përpara. Sa më mirë ta bëni ju, aq më e lehtë do të jetë për fëmijët që ta "kopjojnë" atë sjellje nga ju, ngase ata mësojnë më së miri nga shembujt e sjelljes me të cilën janë të rrethuar. Prandaj, jini të hapur dhe të adaptueshëm ndaj ndryshimeve, veçanërisht kur është fjala për vitin e ri shkollor.

Flisni hapur dhe sinqerisht me fëmijët, ata kuptojnë shumë më shumë sesa mund të parafytyroni. Pyetini për frikën e tyre në lidhje me situatën dhe dëgjoni pikëpamjet e tyre. Sigurohuni që të konsultoheni me një psikolog nëse e konsideroni frikën si një kërcënim serioz për shëndetin mendor të fëmijës suaj  dje nëse nuk keni mundësi financiare për të paguar për këshillim psikologjik, gjithmonë mund të kontaktoni me psikologun e shkollës, i cili sigurisht do të jetë në gjendje të bisedojë me fëmijën tuaj. Mbani në mend se nuk jeni vetëm, frika dhe shqetësimi juaj për shëndetin e fëmijëve janë pjesë e "profesionit të prindit", prandaj gjëja më e mirë që mund të bëni është të dëgjoni me kujdes nevojat e fëmijëve tuaj.

Disa fëmijë janë plotësisht të vetëkënaqur, ndërsa disa të tjerët kanë nevojë të jenë aktivë, të shoqërohen, të luajnë sporte. Për disa, pandemia dhe kufizimet që pasuan ishin një ndëshkim i vërtetë, ndërsa për të tjerët ishte një mbarësi e vërtetë. Për këto arsye, biseda me fëmijët, në të cilën do të jenë në gjendje të shprehin me zë të lartë nevojat dhe pikëpamjet e tyre të brendshme në lidhje me vitin e ri shkollor, pa paragjykim, do t'ju ndihmojë të përshtateni më lehtë me gjendjen dhe situatën, e cila ndoshta do të jetë shumë e ndryshueshme dhe do të kërkojë përshtatje dhe adaptime shumë të shpejta dhe të paparalajmëruara.

Gjëja më e rëndësishme është që fëmijët të dinë dhe të informohen për faktin se viti i ri shkollor do të sjellë pasiguri të madhe dhe se ata do të kenë nevojë për bashkëpunim të vazhdueshëm për përshtatje dhe adaptim më të lehtë dhe më të shpejtë. Megjithëse ne të rriturit kemi për detyrë që t'i mbrojmë fëmijët, kurse përvoja e jetës na jep të drejtën të vendosim se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta, përvoja ime si prind, mësues dhe trajner dhe njëkohësisht si këshilltare për zhvillimin e karrierës, më jep të drejtën të arrij në përfundimin se fëmijët duhet të kenë të drejtën dhe mundësinë për të shprehur pikëpamjet dhe mendimet e tyre, kurse ne të rriturit të jemi mjaft të hapur për t'i dëgjuar dhe pranuar ato. Sido që të jetë viti i ri shkollor, gjëja më e rëndësishme është të ruajmë shëndetin fizik dhe mendor, sepse, siç thotë një fjalë e urtë popullore: "Edhe kjo do të kalojë".

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (GUSHT 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>