Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Më shumë në lidhje me kanabisin e përdorur për qëllime mjekësore

March 1, 2021

Gordana Trendovska Serafimovska
Farm. Dipl. Spec. për kontrollin dhe eksazaminimin e ilaçeve
Këshilltare për kanabisin
REPLEK FARM SHPKNJ, Shkup

|



Më shumë në lidhje me kanabisin e përdorur për qëllime mjekësore

- Kur flasim për preparatet e kanabisit dhe cilësinë e tyre, përparësi i jepet sasisë së vlerave që janë izoluar dhe ruajtur nga pasuria që natyra i ka dhënë kësaj bime me përbërje dhe potencial biologjikisht të papërsëritshëm. 

Qëllimi i proceseve të ekstraktimit është që nëpërmjet krijimit të kujdesshëm dhe standardizimit të rreptë të kushteve të ekstraktimit, të kryhet “nxjerrja” dhe përqendrimi i sa më shumë komponentëve biologjikisht aktivë të bimës. Gjatë kësaj, insistohet që të shmangen, aq sa është e mundur, procedurat dhe agjentët me të cilët mund të rrezikohet apo prishet raporti biologjik në ekstraktin përfundimtar. Veçanërisht duhet të shmangen ekspozimet termike, gjatë të cilave një numër i madh i komponentëve termo-labile humbasin përgjithmonë.

Kjo për shkak se vlera më e rëndësishme e të gjitha produkteve përfundimtare të kanabisit, është para së gjithash inkorporimi i një ekstrakti të plotë natyror apo “Full Spectrum” të kanabisit, i cili është përftuar nga procedura e sofistikuar, e “ftohtë” e ekstraktimit.

Nuk ka vend për krahasime kur është fjala për cilësinë dhe potencialin e produkteve me ekstrakt “Full Spectrum”, kundrejt atyre në prodhimin e të cilave përdoren izolate të ngurta të pastruara të kanabinoideve apo edhe struktura të ngurta kanabinoide, të cilat mund të jenë produkt i sintezës organike.

- Deklarata e preparatit duhet të paraqesë informacion të qartë dhe pa nënkuptime mbi përbërjen cilësore dhe përqendrimin e kanabinoideve parësore, në rend të parë, CBD-së jopsikotrope dhe THC-së psikotrope, formën në të cilën ndodhen, prejardhjen e tyre etj.

Zgjidhni gjithmonë një produkt të kanabisit mjekësor, i cili përmban ekstrakt natyror të kanabisit, është bartës i sasive të deklaruara të CBD-së dhe THC-së dhe në të njëjtën kohë është bartës i sinergjizmit të tyre me fitokomponentët e tjerë natyrorë.

Vlera e tij biologjike është shumë më e lartë në krahasim me kanabinoidet e ngurta të pastruara, të izoluara nga ekstraktet ose molekulat analoge kanabinoide të përftuara nga sinteza organike.

- Forma kimike në të cilën kanabinoidet e pranishme gjenden në formulim duhet të tregohet qartë në deklaratë.

Bima e freskët i përmban kryesisht kanabinoidet në formë të karboksiluar apo acidike, e cila është hidrofile apo e tretshme në ujë, por e patretshme në yndyrë dhe i kalon me vështirësi barrierat lipofilike (të yndyrës) në organizmin e njeriut, gjë që e bën fuqinë dhe potencialin e formave të karboksiluara të kanabinoideve më të ulët se format e tyre të dekarboksiluara apo neutrale.

Pas procedurave të kontrolluara të dekarboksilimit apo aktivizimit, forma e karboksiluar apo acidike e kanabinoideve transferohet në një formë neutrale, e cila është lipofilike ose e tretshme në yndyrë, por e patretshme në ujë. Është e kuptueshme, pasi kjo formë kalon më lehtë barrierat lipofilike (yndyrore) në organizmin e njeriut, ka përthithje më të mirë dhe manifeston fuqi dhe potencial më të theksuar.

Në treg mund të gjenden edhe preparate të kanabisit në të cilat deklarohet përmbajtje e “CBD/CBDA” ose përmbajtje e “CBD totale”.

Këto produkte zakonisht nuk e kanë të përcaktuar raportin e të dy formave kimike të CBD-së (neutrale dhe acidike), prandaj produktet e tilla janë me cilësi jostandarde dhe të paqëndrueshme, me përbërje të ndryshueshme brenda afatit të përcaktuar të përdorimit.

- Gjatë përzgjedhjes së një produkti të kanabisit, është e rëndësishme që në deklaratë të tregohet qartazi nëse është "vaj kërpi ose vaj kanabisi" (Hemp Oil, Cannabis Oil ose Hemp Extract, Cannabis Extract) ose “vaj i farës së kërpit” (Hemp Seed Oil).

Është e nevojshme të bëhet dallimi i prerë midis këtyre termave, me të cilat shpesh manipulohen konsumatorët.

Është e pamohueshme që, përmes shtrydhjes së ftohtë, nga fara e kërpit industrial (Hemp Seed) përftohet një vaj me cilësi të lartë që përdoret në ushqim dhe për qëllime kozmetike dhe i cili, ndryshe nga ekstrakti i luleve ose i barishtes së tërë, nuk përmban kanabinoide. Dallimi në vlerën biologjike të ekstrakteve natyrore të kanabisit mjekësor “Full Spectrum” dhe vajit ushqimor të farës së kërpit është domethënës.

- Një aspekt shumë i rëndësishëm i cilësisë është siguria shëndetësore, gjegjësisht mungesa e ndotësve në preparatet e kanabisit për qëllime mjekësore.

Ky aspekt, në radhë të parë nënkupton përputhshmërinë me kufijtë rreptësisht të përcaktuar të tolerancës për praninë e pesticideve, metaleve të rënda, tretësve organikë të mbetur dhe substancave të tjera toksike, mikotoksinave (aflatoksinave dhe okratoksinave) dhe pastërtisë mikrobiologjike.

- Për këtë arsye, është e rëndësishme të përdoret materiali bimor me cilësi të lartë, nga varietete të certifikuara dhe nga mbarështues të licencuar dhe të akredituar të kanabisit, me siguri të kontrolluar shëndetësore për sa i përket mospranisë së të gjithë ndotësve të mësipërm.

- Proceset e kultivimit, tharjes, përpunimit dhe paketimit të luleve të thata, transportit dhe magazinimit, ekstraktimit dhe procedurave teknologjike të inkorporimit të ekstrakteve në formulime të ndryshme farmaceutike deri te produkti final në paketimin origjinal, duhet të zhvillohen në kushte rreptësisht të kontrolluara, me një shkallë adekuate të pastërtisë mikrobiologjike të hapësirës dhe pajisjeve.

- Përparësi e rëndësishme është që përpunimi i përgjithshëm i barishtes dhe proceset e ekstraktimit të zhvillohen pa rreziqe të ndotjes, pa përdorim të agjentëve të dëmshëm që më vonë mund të shfaqen si ndotës të mbetur në lule, ekstrakt dhe përpunimet e tjera.

Prandaj, ekstrakti përfundimtar i përftuar nga ekstraktimi me CO2 duke përdorur gaz me cilësi farmaceutike, nuk përmban asnjë tretës organik të mbetur (vaj, eter petroli, hekzan, izopropanol dhe as etanol), ndryshe nga ekstraktet e blera ilegalisht ku ekziston rreziku i këtyre tretësve të dëmshëm organikë të cilët hiqen me vështirësi nga ekstrakti përfundimtar.

Kuptohet se kushtet “shtëpiake” të kultivimit, ekstraktimit dhe prodhimit nuk mund të sigurojnë një nivel adekuat të pastërtisë mikrobiologjike dhe mosprani të mikotoksinave. Janë gjithashtu të pasigurta për sa i përket trajtimit me pesticide, cilësisë së tokës, vendndodhjes etj.

Për shkak të aspekteve të lartpërmendura të cilësisë dhe sigurisë shëndetësore, organi ligjvënës dhe autoritetet përkatëse në vend duhet të punojnë me qëllim që konsumatori apo pacienti të jetë i mbrojtur nga të gjitha këto manipulime me produktet e kanabisit, të cilat mbartin rreziqe shëndetësore kur konsumohen.

- Kur zgjedhni, përparësi duhet t'u jepet gjithmonë produkteve përfundimtare të kanabisit, të prodhuara nga prodhuesit farmaceutikë të licencuar, të cilët në të gjitha proceset e ardhshme të ciklit të mbyllur të prodhimit dhe kontrollit të tyre kanë një sistem të zbatuar plotësisht të normave të praktikës së mirë të prodhimit, GMP.

Nëse për dekada të tëra qytetarët nuk kishin mundësi zgjedhjeje, me legalizimin e preparateve të kanabisit për qëllime mjekësore, mundësinë tashmë e kanë. Qytetarët e Maqedonisë e presin këtë nga prodhuesit si fitore e betejës së tyre shumëvjeçare për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Qytetarët nxitën entuziazmin që filloi dhe krijoi standardet për prodhimin e luleve të thata, ekstrakteve dhe preparateve të kanabisit, përmes edukimit, hulumtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm.

Vizioni dhe qëllimi drejt të cilit vazhdojmë të ecim me hapa të mëdhenj dhe vendimtarë është i qartë...

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16-17 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>