Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Karate: Një sport që kërkon angazhim të vërtetë

April 1, 2022

Monika Stefanovska
Karateiste
Fituese e medaljeve evropiane dhe botërore

|



Sporti dhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm mund të ofrojnë shumë përfitime për fëmijët dhe adoleshentët. Përvojat pozitive që sjell sporti, si dhe mënyra aktive e jetesës, luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e të rinjve. Sporti rrit vetëbesimin, na ndihmon të ndërtojmë një person cilësor dhe të shëndetshëm dhe ka përfitime të fshehura shëndetësore. Të shikosh punën e palodhur të shpërblehet dhe të arrish qëllimet e tua, zhvillon vetëbesimin, ndërsa arritja e qëllimit të sportit ose fitnesit, ju nxit të arrini qëllime të tjera që keni vendosur.

Veçantia e karatesë si sport është e lidhur me fillimet e tij, gjegjësisht, edhe pse është sport si gjithë të tjerët, vetë fakti që bëhet fjalë për një art luftarak, sjell shumë më tepër përfitime dhe dobi se çdo sport tjetër. Stërvitja e karatesë dhe përkushtimi ndaj këtij sporti na mëson mbi të gjitha respektin ndaj kundërshtarit, vetëdisiplinën, vetëkontrollin, vendosmërinë dhe këmbënguljen, karakteristika këto të cilat janë kyçe dhe shumë të rëndësishme për formimin dhe zhvillimin e personalitetit te fëmijët dhe të rinjtë.

Karateja është një art luftarak që e ka prejardhjen në Japoni dhe fjala "karate" do të thotë dorë bosh. Edhe pse në të kaluarën karateja si art luftarak nënkuptonte përdorimin e të gjitha pjesëve të trupit për vetëmbrojtje, karateja bashkëkohore është shndërruar në një sport që përfshin dy disiplina: kata (luftimi me një kundërshtar imagjinar) dhe kumite (luftimi me një kundërshtar të vërtetë).



Një nga pyetjet më të shpeshta që besoj se çdo karateist i është përgjigjur është, "Çfarë shiriti ke dhe çfarë kuptimi kanë saktësisht ngjyrat e shiritave të tu?" Çdo ngjyrë shiriti ka një kuptim dhe simbolikë të ndryshme dhe ka të bëjë me gatishmërinë e karateistit në atë moment. Për shembull, shiriti i bardhë është simbol i pavarësisë së atij që e mban, i cili ende nuk i njeh aspektet shpirtërore e as teknikat e luftimit. Shiriti i verdhë i referohet ngjyrës së diellit dhe do të thotë dritë dhe pjellori. Shiriti i kuq është ngjyra e diellit kur perëndon dhe nënkupton gatishmërinë e mbajtësit të shiritit për të zgjeruar njohuritë dhe horizontet e tij pas lindjes së diellit. E gjelbra është ngjyra e bimëve, barit dhe pyllit. E kaltra është ngjyra e distancës, qiellit dhe oqeanit. Këtë shirit  e meriton nxënësi që dëshiron të kapë horizontin. Shiriti kafe është ngjyra e tokës, e cila simbolizon qëndrueshmërinë dhe sigurinë. Bartësi i këtij shiriti ka teknikë të mirë dhe cilësore, shpirt të frytshëm dhe mendje të palëkundur, kurse shiriti i zi nënkupton një bashkim të të gjitha ngjyrave. Shiriti i zi nuk është simbol i fitores dhe i diturisë, por simbol i errësirës.

Kumite apo përleshja me një kundërshtar të vërtetë, është disiplinë në karate ku në një zonë të shënuar garojnë dy kundërshtarë përmes "sparring" të lirë. Kontakti i plotë lejohet në zonën e bustit të trupit, ndërsa në zonën e kokës dhe pjesëve të ndjeshme të trupit nuk lejohet kontakt ose lejohet kontakt shumë i lehtë. Karateisti mund të marrë paralajmërim për përdorimin e forcës së tepërt në zonat e ndjeshme të trupit dhe kjo mund të çojë edhe në skualifikim. Në pjesën kumite, karateistët mbajnë kimono, pajisje mbrojtëse për këmbët, krahët dhe bustin dhe këllëf mbrojtës për dhëmbët. Një luftë apo ndeshje zgjat 3 minuta, kurse nëse pas përfundimit të kohës rezultati është i barabartë, fituesi përcaktohet nga gjyqtarët, gjithsej 5, të cilët kanë qenë gjyqtarët e ndeshjes.



Karatenë si sport e kam zgjedhur krejt rastësisht, përkatësisht menjëherë pas orëve të mia të kërcimit, në të njëjtën sallë mbaheshin stërvitjet e karatesë. Unë dhe motra ime erdhëm në shtëpi dhe me entuziazëm u thamë prindërve se ishim të vendosura që të fillonim të stërvitemi karate. Nëna ime në fillim mendonte se ky sport është shumë i ashpër për vajzat, por me kalimin e kohës vuri re veçoritë dhe shprehitë pozitive të cilat i sjell ky sport dhe të cilat janë të një rëndësie të veçantë për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve. Me fitimin e medaljeve të para në kampionatet vendore dhe ndërkombëtare, na u shtua dëshira për stërvitje dhe, kur motra ime e madhe filloi të përfaqësonte kombëtaren e Maqedonisë dhe ishte fituese e shumë medaljeve dhe çmimeve, vendosëm që t'i përkushtohemi seriozisht këtij sporti.

Një periudhë që ishte veçanërisht e rëndësishme dhe e vështirë ishte periudha kur duhej të balanconim sportin dhe universitetin, e cila është zakonisht një periudhë kur shumë sportistë vendosin ose t'i japin fund karrierës sportive, ose t'u japin fund studimeve akademike. Arritëm të vazhdonim paralelisht me të dyja, duke u diplomuar në studimet deridiplomike dhe më pas në ato pasdiplomike dhe mendoj se ky është vendimi më i mirë që kemi marrë.

Gjatë karrierës sonë jemi përballur me shumë momente të bukura, të lumtura, por jo edhe aq të lumtura. Të përfaqësosh kombëtaren dhe të fitosh medalje apo çmime është një ndjenjë e mrekullueshme për të cilën çdo sportist punon dhe përkushtohet shumë. Humbja si pjesë përbërëse e procesit stërvitor dhe garues duhet të jetë një përvojë nga e cila duhet nxjerrë mësim për ecurinë e mëtejshme të procesit. Nuk mund të lë mënjanë dëmtimet, të cilat janë pjesë e pashmangshme e çdo sporti, por këmbëngulja dhe qëndrueshmëria, si karakteristika të çdo sportisti të suksesshëm, luajnë një rol kyç në tejkalimin dhe daljen nga të gjitha situatat e vështira. Për shkak të kësaj, sporti e ndihmon njeriun të formohet dhe të zhvillohet, jo vetëm në aspektin e aftësisë fizike, por ka një ndikim të madh edhe në shëndetin mendor.

Sot, pas 22 vitesh nga stërvitjet e para të karatesë, pavarësisht angazhimit paralel me një tjetër sport, gjimnastikën, i qëndrova besnike karatesë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>